Shkruan : Ilire ZAJMI – RUGOVA
Njerëzimi është shumë i fiksuar pas lavdisë, miteve dhe sensit të superioritetit. Historia e nacionalizmit, e krijimit dhe zhvillimit të shumë popujve është e mbushur përplot me luftëra të lavdishme, luftëtarë “viganë”, “supernjerëz” “superheronj”, “ lajmëtarë hyjnorë” etj. Madhështia e veprës së Homerit i ka mundësuar njerëzimit të përjetojë një nga kryeveprat më të fuqishme të antikës, mirëpo kur lexojmë e rilexojmë vargjet e Homerit, mundohemi të rikrijojmë në mendjen tonë ato skena luftërash e përleshjesh glamuroze. Personazhe mitike, të rrethuar me kontradikta.Mite të një kohe antike, të një historie që ka mundur të sajohet, të përpunohet, të zbukurohet në dhjeta forma e dimensione, për shkaqe dhe qëllime të caktuara.Italianët krenohen sot e kësaj dite me triumfin e Trajanit mbi popullin dace. Kolona e gdhendur për këtë betejë e perandorit Trajan ndodhet në Romë, dhe është një inskenim i mrekullueshëm i të gjitha episodeve të ndodhura 2000 vjet më parë. Një film, një tregim kronologjik i të gjitha sekuencave që shkaktuan një luftë të tillë.Objektiviteti sa i përket miteve mbetet një çështje perceptimi. Një teoricien i njohur që është marrë me çështjen e nacionalizmit, Benedikt Anderson, thotë se shkrimtarët nacionalistë dhe vlerësimet historike janë zakonisht “të pasakta e të errëta dhe kanë një kuptim përfundimtar për ardhjen e një revolucioni”. Shqiptarët si popull janë edukuar, inspiruar por edhe gjallojnë me imazhin e krijuar në mendjet e tyre të mitit “Skënderbe”. Një portret i gdhendur në bronz, në dru, në qeramikë i Skënderbeut mbi kalë, me përkrenaren e famshme në kokë, gjendet në çdo familje shqiptare. Në mendjen e tyre Skënderbeu është “vigani”. Përjetësimi i “viganit” Skënderbe u vulos edhe në shirit celuloidi, në filmin e titulluar me të njëjtin emër, në të cilin rolin e luftëtarit zulmadh shqiptar e interpretoi një aktor rus, me një trup shtatlartë e të bëshëm.Miti i Skënderbeut vigan ka personifikuar shqiptarin që heroikisht i preu hovin sundimit otoman në Ballkan. Historianët e rinj shqiptarë nga zbulimet e fundit pohojnë se Skënderbeu nuk ka qenë më i gjatë se 1 metër e 67 centimetra, dhe që imazhi i tij magjepsës është stolisur për qëllime nacionaliste. Në librat e vjetër të historiografisë shqiptare ka shembuj të pafund ku glorifikohet miti i Skënderbeut por edhe i luftëtarëve të tjerë të historisë së mëvonshme që të lënë gojëhapur me bëmat e tyre.Por si perceptohen bëmat e këtyre heronjve nga një konstelacion tjetër kohor?!Miti i Skënderbeut me heroizmat e tij të krijon imazhin e ekzistencës së një “mbinjeriu” apo “superheroi”. Sepse figura e tij prej strategu ushtarak dhe trimëria janë stolisur tej mase për të mbajtur gjallë nacionalizmin shqiptar tash e pesë shekuj.Këtu me gjasë fshihet sekreti i jetëgjatësisë së miteve. Ato përcillen gjeneratë pas gjenerate, përpunohen, stisen, zbukurohen nga koha në kohë. Dhe miti shndërrohet në përjetësi. Sidomos ai i tipit të “viganit” në kuptimin pozitiv të fjalës. Por jo të gjitha mitet perceptohen njëlloj në kohë të ndryshme.Siç e potencon edhe teoricieni i njohur Anderson në raste të rralla ka mite që radhiten në kategorinë e “nacionalizmit banal”. I tillë mund të trajtohet rasti i heroit të madh Mic Sokoli ndër shqiptarë.Imazhi i ruajtur për të është i një luftëtari që i doli përpara topit të ushtrisë armike. Mic Sokoli është glorifikim tipik për një figurë të veçantë historike, theksojnë historianët. Manifestimi i vetësakrificës në historinë shqiptare, shprehja e guximit dhe altruizmit interpretohet si mënyrë për të treguar karakterin e dobët dhe të palavdishëm të një ushtrie që fshihej pas grykës së topit.Dhe nga perceptimi i kohës në të cilën jetojmë, ky mit është krejt surreal dhe i pazbërthyer në veçanti për gjeneratat e reja. Gjenerata e heronjve si Batman, Spiderman, Supermen, Hari Poter e heronjve të tjerë të fabrikuar në Holivud e ka të vështirë të perceptojë atë lloj miti.Për figurën dhe të bëmat e tipit të heroit të Mic Sokolit nuk mësohet më as në faqet e librave të historisë. Jo rastësisht historianët kanë vlerësuar se librave të historisë nuk u nevojiten mite të “nacionalizmit banal”.Teoricienët, historianët, studiuesit modernë aktualisht tentojnë t’i zbresin mitet përtokë, t’i zbërthejnë, t’i bëjnë të prekshëm për masën.T’i paraqesin si heronj normalë, vdekatarë të zakonshëm nga mishi e gjaku, krijesa njerëzore në kohë dhe në vend real.Një shembull që e dëshmon këtë tendencë është ai një miti të ri, të dalë nga lufta e fundit në Kosovë.Figura e komandantit Adem Jashari, që flijoi veten dhe tërë familjen për lirinë e atdheut, është portretizuar me përshkrim të zakonshëm e autentik. Ai nuk është portretizuar si supernjeri, por si një nga krerët e UÇK-së.Se është “tokësor” e dëshmon imazhi që është krijuar për të dhe nderimi që i bëhet atij dhe familjes Jashari në Kosovë.Të rinjtë e kanë përqafuar mitin e tij në forma të ndryshme. Në festën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, portreti i tij me sloganin “Bac u krye” u përdor nëpër pano, fanella… Një manifestim i adhurimit dhe mirënjohjes për të treguar se testamenti i heroit ka shkuar në vend.
Kështu mitet e vjetra e të reja
përcillen përjetësisht brez pas brezi, herë-herë pa vrarë mendjen për
vërtetësinë e tyre.Aleksandri i Madh, Hektori, Akili, Uliksi, Penelopa,
Helena e Trojës e sa e sa figura të tjera që kanë fituar statusin e
pavdekësisë.Të gjitha këto figura sa mitike e aq tërheqëse për mendjen
tonë janë personifikuar duke u rikrijuar nga historianë, shkrimtarë,
piktorë, skenaristë, muzikantë, në mijëra faqe librash, në qindra metra
shirit filmik, në dhjeta piktura, opereta e simfoni muzikore.Kështu
mitet kanë rrugëtuar ndër shekuj, duke mbetur gjithnjë burim frymëzimi
sidomos për artistët, regjisorët e historianët.Është interesant të
analizohet fakti sesi i kanë mbijetuar kohës. Dikur mitet shpërndaheshin
me anë të gojës, me anën e një bindje, që sot na duket imagjinare sepse
nuk kemi të dokumentuar asgjë.Sot këto forma tradicionale janë
tejkaluar dhe rikrijimi apo riprodhimi i miteve të vjetra apo “shpikja” e
të rejave bëhet përmes formave moderne të komunikimit.Format e bindjes
gojore që ekzistonin në kohën e Homerit janë zëvendësuar nga muhabetet
nëpër kafene. Lajmet për bëmat e figurat mistike përhapen me shpejtësi
rrufeje nga tavolina në tavolinë, nga bisedat në ambiente pune, në
shoqëri deri sa arrijnë të lansohen në mjetet e komunikimit masiv (qoftë
me tendencë imponimi nga ana e pushtetmbajtësve, apo për interesa të
tjera) për t’iu atribuuar dikujt epiteti i njeriut -mit, mitit -njeri.
Mediet janë ato që përhapin mitet në kohërat moderne. Media është “lajmëtari hyjnor”, dërguesi i mesazhit, ai që përçon të bëmat e heronjve modernë deri te audienca, që nuk lejon mitet t’i mbulojë pluhuri i harresës.Pas luftës në Kosovë, janë fabrikuar me dhjeta mite. Këtij “prodhimi serik” të lansimit të miteve dhe ndërgjegjësimit të “masës” për bëmat, heroizmat, punën e tyre të pashembullt i kanë kontribuar më së shumti mediet e kontrolluara në vazhdimësi nga pushteti. Shpëlarja e trurit përmes modelit të propagandës, fokusimi në disa personaliteteve të caktuara duke i ngritur në qiell përmes shkrimeve, emisioneve afirmative, dokumentarëve, madje edhe botimit të librave nga shkrues të paguar e vrastarë të së vërtetës, i kanë kontribuar në masë të jashtëzakonshme “mitizimit” të shoqërisë kosovare.Shqiptarët si të gjithë popujt e tjerë besojnë në mite. Çdo shoqëri dhe çdo kohë ka mitet e saj. Por shoqëria jonë duhet të këndellet në veçanti nga mitet e tipit banal, e të tillë ka mjaft për ilustrim. Gjithçka që shkëlqen nuk është ar. Gjithçka për të cilën flitet, e ekziston një bindje, nuk do të thotë se duhet latuar në mit të paperëndueshëm.Sepse në fund të fundit çdo shoqëri në thelb është ngritur mbi bazën e miteve e gojëdhënave popullore që kanë glorifikuar deri në ekstrem shumëçka. Rreziku në modernizëm është shkëlqimi i shpejtë dhe rënia e furishme e “miteve prej letre” . E në këtë kategori të fundit në Kosovë lista e emrave “mitikë” është e pafundme. Sa më e gjatë lista, aq më i madh zhgënjimi kur të kuptohet se çka fshihet pas tyre.

http://www.lajmishqip.com/?p=18752
No comments:
Post a Comment