Friday, June 10, 2016

U promovua “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit – Rugovës

Kulturë31.05.2016 19:33
Pasi që aktorja Anisa Ismaili e bëri një përmbledhje të punëve që bën Ilire Zajmi-Rugova, e pyeti nëse lodhet ndonjëherë. Ajo iu përgjigjet me “Po”.

Pyetjes se a ushqen shpirtin me shkrim Zajmi iu përgjigj me “sigurisht”, ndërsa pyetjes së tretë se a do të ndalet ndonjëherë së shkruari ajo u përgjigj me “kurrë”. Në këtë formë të bashkëbisedimit që dukej spontan, u promovua libri i saj i fundit në gjuhën shqipe.

“Valsi i mesnatës” përbëhet nga poezi që i thurin vargje, dashurisë, dilemave jetësore, mallit e çështjeve shoqërore. Ky libër me poezi është i treti që Zajmi-Rugova e ka botuar në Kosovë. Në foajenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, bashkë me Zajmi-Rugovën dhe Ismailin, ishin edhe aktorja dhe regjisorja Melihate Qena, poeti Shpëtim Selmani dhe aktoret Qëndresa Kajtazi dhe Fitore Boriqi. Të gostitur me kafe turke dhe llokum, ata lexuan disa nga poezitë që janë pjesë e “Valsit të mesnatës”.

Ky promovim u bë në kuadër të edicionit të katërt të festivalit “FemArt”, ndërsa libri është botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”. Zajmi – Rugova, duke mos dashur të flasë shumë për librin e fundit, ka falënderuar të pranishmit dhe ka treguar për pauzën e saj të gjatë të shkruarit të poezive në gjuhën shqipe.

“Mendoj se poezia foli”, ka thënë ajo fill pas leximit që i bënë aktorët. “Pas një kohe shumë të gjatë, pas 15 vitesh, botova libër në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe kam botuar në gjuhë të huaja, dhe në këtë libër janë të përmbledhura edhe disa poezi që janë të shkruara brenda këtyre 15 viteve”, ka thënë Zajmi - Rugova, e cila ndër të tjera është autore e përmbledhjes me poezi “Kambanat e mëngjesit”, romanit “Fashitja e ëndrrave rebele”, librin publicistik “Un treno per Blace” botuar në Itali në vitin 1999, përmbledhjen me poezi “Baladë e bardhë”.

“Ishte kënaqësi ta kemi Iliren, sepse çdo vit mundohemi të bëjmë nga një promovim të librit. Po e prisnim një ditë që të bëjmë promovim të një libri të Ilires”, ka thënë Zana Hoxha-Krasniqi, drejtoresha e “FemArt” për promovimin e së hënës, ditës së fundit të edicionit të katërt të “FemArt” kur është dhënë edhe shfaqja “Rrëfime private” nga autorja Ingmar Bergman dhe me regji të Nina Nikolikj. Përmbyllja është bërë me koncertin e sopranos Besa Llugiqi e pianistes Lirika Pula ku në fund Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, i është ndarë çmimi “FemArt”, i cili u nda për herë të parë në kuadër të këtij festivali.

Wednesday, June 01, 2016

U promovua “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit – Rugovës

U promovua “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit – Rugovës: Prishtinë, 31 maj - Pasi që aktorja Anisa Ismaili e bëri një përmbledhje të punëve që bën Ilire Zajmi-Rugova, e pyeti nëse lodhet ndonjëherë. Ajo iu përgjigjet me “Po”.

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021