Wednesday, May 21, 2014

Shumë vepra vdesin që në lindje

   
Intervistë me poeten Ilire Zajmi

“Letërsia shqipe nuk ka mungesë të zërave femëror.Unë e shoh ndryshe këtë çështje. Nuk e di për çfarë arsye, shkrimtaret femra mungojnë apo mund të numërohen në gishtat e dorës në tekstet shkollore, në antologji të ndryshme letrare, në leksikone të shkrimtarëve etj.”

kodi.info: Çfarë domethënie ka për ju poezia?
Poezia është si buka, uji dhe oksigjeni që thith. Është vetë jeta, bukuria e dhimbjes, mallit, ëndrrës, dashurisë e shpresës përmes fjalës së shkruar. Me poezinë frymoj, dhe s‘mund ta ndaj Iliren nga poezia. Thjesht unë e poezia jemi një. S ‘do të mend se poezia është kurora e letersisë, prandaj nuk është e lehtë ta identifikosh dhe ta zbërthesh vetveten përmes saj.

kodi.info: A ndiheni e çliruar kur shkruani poezi?
Kur shkruaj poezi jam vetvetja më shumë se kurrë. Më duket se vdes për çdo shkronjë, e ndiej dhimbje për çdo varg. Të shkruarit është një akt hyjnor, i paspjegueshëm.Janë momente kur përjeton yllësinë, ndihesh e çliruar emotivisht, sepse ke nxjerrë nga vetja një krijim tëndin, një relatë, kumt, të cilin nuk mund t’ia kumtosë botës ndryshe veçse përmes poezisë.

kodi.info: Na flisni diçka rrethë librave tuaj ?
Deri më tani kam botuar tri përmbledhje me poezi “Këmbanë e mengjesit”, “Baladë e bardhë”, “Amnesia” (anglisht, portugalisht që doli vitin e kaluar në Portugali), romanin “Fashitja e ëndrrave rebele”, librin publicistik “Un treno per Blace” botuar në Itali në vitin 1999, versioni shqip pa dritën vitin e kaluar në Prishtinë, pas 11 vjet botimi në gjuhën italiane. Së fundmi botova librin studimor “Pamjet televizive dhe realiteti”. Gjithashtu jam përfshirë në disa antologji letrare, jam përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe në leksikone të shkimtarëve shqiptarë. Jam e kënaqur që librat e mi e kanë gjetur rrugën te lexuesi, dhe përgjithësisht janë mirëpritur nga opinioni.

kodi.info: Si e filloni një libër? A ke ndonjë kohë të preferuar për të shkruar?
Të shkruarit është proces kompleks. Pasi të kem përpunuar idenë, të kem “bashkëjetuar” në kuptimin imagjinativ me personazhet, më pëlqen të bëj një koncept ideor, të vë në letër personazhet, të ndaj kapitujt dhe më pas të shtrij “brumin”. Më ndodh që filloj të shkruaj faqet e para, e ti shqyej më pas, nëse nuk më pëlqen fillimi, nuk jam e kënaqur me stilin apo qasjen që u kam dhënë personazheve të mia. Kur “personazhet” më dalin duarsh, gjithnjë ndalem së shkruari, pushoj një kohë e më pas i rikthehem punës. Zakonisht shkruaj natën, sepse atëherë kam qetësinë e duhur dhe lirinë për t’u zhytur në botën time krijuese.

kodi.info: Cilat tema preferoni t’i shtjelloni më së shumti në krijimtarinë tuaj?
Në letërsi nuk ka tema të vogla e të mëdha.Varet çfarë punoj, poezi, prozë apo publicistikë. Në poezi, më pëlqen të shkruaj për jetën, identitetin, mallin, dashurinë, trishtimin, atdheun. Në prozë më pëlqen të trajtoj tema që preokupjojnë njeriun e përditshëm, gruan, shoqërinë, dilemat e jetës moderne, preokupimet dhe psikologjinë e ambientit në të cilin jetojmë. Në publicistikë kam trajtuar përvojën time si gazetare gjatë luftës në Kosovë. Mendoj se është një temë me të cilën synoj të merrem edhe në ardhmen në krijimtarinë time.

kodi.info: Çfarë pëlqeni më tepër të lexoni?
Përgjitësisët preferoj beletristikën. Por lexoj shumë triler psikologjik, poezi, prozë, publicistikë, kritikë letrare aty –këtu dhe literaturë profesionale nga fusha e medias e mardhënieve ndërkombëtare

kodi.info: Si është pritur poezia e juaj nga kritika shqiptare?
Kujtoj se te ne mungon kritika e mirëfilltë. Edhe kritikët dhe studiuesit letrarë, përjashtimisht këtu disa zëra të brezit të ri, shkruajnë kritika dhe vlerësime me porosi, pavarësisht vlerës letrare të librave të botuar.
Prandaj në këtë mishmasë vlerash, edhe kritikën duhet marrë në mënyrë shumë të rezervuar. Sa i përket poezisë sime, mendoj se është pritur mirë. Më kanë cilësuar si “poete rebele”.

kodi.info: Nga shkrimtarët botërorë, të vdekur apo të gjallë, cilin do të donit ta takonit?
Lista e shkrimtarëve të cilët do doja t’i takoja është e gjatë. Nga të vdekurit do të më kishte pëlqyer të kisha takuar Shekspirin, Ginsbergun, Dostojevskin, Virgjina Vulfin, Ana Ahmatovën, Garsia Lorkën, Remarkun, Preverin, Nerudën... Nga të gjallët padyshim Paolo Koeljon, Dan Brown, Umberto Ekon, Orhan Pamukun, Salman Ruzhdi, Luis Zaffon, Maja Angelou etj.

kodi.info: A ju impresionon letërsia shqipe?
Në botën shqiptare ka shkrimtarë shumë të mirë këndej e andej kufirit. Letërsia shqipe, edhe pse është e vogël ka nxjerrë emra të mëdhenj që lirisht mund të krahasohen me gjigantët letrarë botërorë. Sigurisht që shumë pena më impresionojnë me talentin, stilin dhe temat që trajtojnë në krijimtarinë e tyre. Është e pamundur të mbesësh indiferente ndaj kalibrit të Kadaresë, Kongolit, Zhitit, Blushit e të tjerëve.

kodi.info: A vazhdon të ju impresionoj ende klasika shqiptare?
Kujtoj se të paktë janë shkrimtarët që nuk impresionohen nga klasika. Letërsia klasike gjithnjë mbetet një burim i pashterrshëm nga i cili mund të mësosh, të krahasosh letërsinë tënde më të tjerët, t’i shohësh vlerat nga një prizëm tjetër, dhe përfundimisht të mburresh me emrat që kanë lënë gjurmë në letrat shqipe.

kodi.info: A mendoni që letërsia shqipe ka arritur në hapin e njëjtë me atë botërore?
Jo, edhe pse ka shkrimtarë të mirë kujtoj se ende shumë larg letërsisë botërore. Sa i përket temave që trajtohen mbase edhe nuk dallojmë shumë nga pjesa tjetër e botës. Sikur të përktheheshin më shumë libra të autorëve tanë në gjuhë të huaja, besoj se do të qëndronim më mirë në këtë aspekt.
Por ka probleme të tjera që e lënë të ngecë letërsinë tonë. Është çështja e zhanreve, pastaj e trendeve që po ndërrojnë me shpejtësi marramendëse. Përderisa në botë një libër botohet në botim klasik, si e- book e CD book, i bëhet promovim medial, vlerësohet e arrinë sukses, duke u shitur në miliona kopje, te ne është e kundërta. Mund të shkruasë një vepër me vlera të mirëfillta, por mungojnë promotorët, lexuesit, mungon marketingu dhe shpërndarja e librit në treg. Bota po ec me hapa gjigand drejt digjitalizimit, e te ne shumë pak libra mund të botosh apo të shesësh online.

kodi.info: Mendoni se letërsia shqipe, ka nevojë për më tepër zëra femrash që shkruajn?
Letërsia shqipe nuk ka mungesë të zërave femëror.Unë e shoh ndryshe këtë çështje. Nuk e di për çfarë arsye, shkrimtaret femra mungojnë apo mund të numërohen në gishtat e dorës në tekstet shkollore, në antologji të ndryshme letrare, në leksikone të shkrimtarëve etj. Letërsia shqipe ka zëra të fuqishëm femëror të cilave në të kaluarën nuk u është dhënë hapësira e merituar në nënqiellin tonë letrar. Tashti më duket se kjo situatë ka ndryshuar pakëz për të mirë, falë vetë ngritjes së zërit femëror, letërsisë që ato krijojnë, dhe ambicieve të disave për të pushtuar hapësirën që iu takon. Megjithkëtë, mbetet shumë për të dëshiruar.

kodi.info: Kur mendoni se përfundon një vepër?
E vështirë ta thuash. Logjikisht një vepër përfundon kur shkrimtari arrinë të hedh në letër gjithë brumin letrar të projektuar më parë. Por, shumë vepra vdesin që në lindje, nuk arrijnë të bëjnë jetë, apo mbesin të papërfunduara për shumë arsye.

/kodi.info/

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021