Wednesday, September 23, 2020

Entela Tabaku ”Katër lexime për një poezi”


Image may contain: text
Entela Tabaku

Të dashur lexues,
Më në fund erdhi e diela dhe kam kohë t’ju shkruaj disa rreshta për doracakun ”Katër lexime për një poezi”. Ky libër paraqet një metodë leximi të poezisë që mund të përdoret nga të gjithë: nxënësi i shkollës së mesme që është lodhur nga komentet jopjellore të orës së letërsisë, lexuesi i facebook-ut që ndihet i mbytur nga poezitë e pafundme që botohen këtu çdo ditë, i apasionuari i poezisë që do të provojë sa mbajnë poezitë e tij/e saj të preferuara. Ne e kemi të gjithë trurin nga pak të shpërlarë nga leximi tradicional që i bëjmë poezisë: leximi i impaktit të parë, sipërfaqes, dhe leximi i biografisë së autorit. Leximi i parë, kuptohet, është shumë i rëndësishëm. Për lexuesin e stërvitur është leximi që zbulon metaforat, apo ndikimet nga autorët e lexuar, apo idenë që përçon. Për lexuesin e thjeshtë mundet me qenë njëjtësimi, psh. një poezi për mërgimin emocionon një emigrant apo atë që ka dikë në mërgim, poezitë e dashurisë emocionojnë ata që janë të dashuruar apo presin dashurinë. Diçka e tillë. Leximi i autorit është ai që është përpjekur t’i japë leximit të poezisë pak "thellësi". Jeta private e tij/e saj kthehet në çelës të poezisë: e/i apasionuar mbas muzikës/pikturës/mësuesisë/matematikës, jeton në mërgim/jeton në Korçë, vajzë apo djalë i ri, nënë/baba e dhënë/ i dhënë, e bija/ i biri i një poeti a shkrimtari, i/e persekutuar, i/e bukur dhe sexy, e të tilla. Në botën e vogël shqiptare kjo lidhje e poetit me poezinë e bën poezinë shumë private: kur lexoj humbjen e poetit, lexoj humbjen e poetit. Ky lexim ia heq poezisë fuqinë përgjithësuese: kur lexoj humbjen e poetit, lexoj humbjen time, që ndoshta nuk është aspak humbja e vëllait tim, por më godet mua në një humbje krejt tjetër që ndoshta as që e dija se e kisha.
Por, edhe pse shumë i rëndësishëm, leximi i parë është vetëm fillimi, poezia e mirë mban shumë më shumë, metaforat e saj gërmojnë thellë. Ndërsa leximi i autorit për mua është një metodë që ka vlerë për autorë të së kaluarës ndoshta, por për bashkëkohorët është humbje kohe më vete, bashkëhumbje.
Prandaj m’u duk se kishim nevojë për këtë doracak leximi të poezisë, një metodë që e ndihmon lexuesin e sotëm, që ka kaluar nga lexime të kursyera (të përzgjedhura nga lart) në lexime të kursyera (të përzgjedhura nga poshtë).
Në këtë doracak gjeni leximin e shtatëmbëdhjetë poezive të publikuara kohët e fundit nga shtatëmbëdhjetë poetë, për të cilët mësoni vetëm se kanë lindur në vitet shtatëdhjetë. Poetët e lindur atëhere janë 20-vjeçarë në kohën e ndërrimit të madh, të edukuar estetikisht më së pari nga uria e madhe e realizmit socialist, me moshatarë të reklamuar që në atë kohë. Mandej të edukuar estetikisht nga rrëmuja e madhe e viteve 90, me moshatarë po aq të reklamuar në atë kohë. Do të mësoni edhe ndonjë detaj tjetër që ua thonë poezitë, por më së shumti është lexim i tekstit të poezisë, thellë e më thellë derisa mbërrini te vetja juaj, jo e poetit. Mund të kisha zgjedhur edhe periudha të tjera, kjo metodë nuk është e lidhur me autorin, por me tekstin. Kjo metodë ndjek lidhjen e lexuesit me tekstin.
Kur pata publikuar Leximet e para këtu në facebook ishte një sy i vëmendshëm që i përzgjodhi për botim në faqet letrare që redaktonte dhe që më mbolli idenë se duhej t’i vazhdoja, syri i Violeta Muratit. Dhe në përfundim, kur ishin rreshtuar në libër, ishte një sy tjetër që i çoi në shtyp dhe që, sidomos, pati durimin të më përgjigjej nga larg, syri i Aida Baros. Këto lexime janë me fat që patën nune në Tiranë këta sy që shenjojnë në mënyrën e tyre kulturën shqiptare të sodit.
Lexim të katërçiptë ju uroj!

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021