Friday, June 07, 2013

“Kohës” Çmimi për shtandin më të vizituar të Panairit të librit

Publikuar: 07.06.2013 - 10:26
Prishtinë, 7 qershor – Edicioni i 15-të i panairit të librit “Prishtina 2013” ka hyrë në ditën e pestë. Janë mbi 100 botues nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe me mbi 1300 tituj që për herë të parë dalin para lexuesit. Organizatorët deklarohen të kënaqur me numrin e vizitorëve, ndërkaq bilanci i blerjes së librit ende nuk është kryer, por pohohet që botuesit të jenë të kënaqur edhe nga ky aspekt.

Organizatorët këso here kishin paraparë edhe çmime për shtandin më të vizituar, për romanin më të mirë, për librin me poezi, librin për fëmijë, për kritikë letrare, përkthim, autor, vepër kapitale.

Shtandi i Botimeve KOHA është shpallur më i vizituari i edicionit të 15-të të panairit “Prishtina 2013”. Botimet KOHA në edicionin e sivjetmë të ekspozitës së madhe të librit ka sjellë 15 tituj të rinj.

“Çmimi për stendën më të vizituar, pa dyshim i takon Botimeve KOHA”, ka thënë Ilire Zajmi – Rugova, që ka kryesuar jurinë e Panairit të Librit. Anëtarë jurie kanë qenë edhe poetja dhe përkthyesja Anika Xhekaliu, poeti, publicisti dhe botuesi Naim Kelmendi. Për herë të parë në historinë e Panairit janë ndarë një seri çmimesh e mirënjohjesh. Në emër të Botimeve KOHA, çmimin e ka pranuar menaxheri i shtandit, Fidan Imeri. “Faleminderit”, ka qenë fjala e tij të cilën ua ka drejtuar lexuesve dhe vizitorëve të Botimeve KOHA në panair. Por më të gjatë në fjalime kanë qenë të tjerë fitues të çmimeve, të cilat shumica u janë ndarë botimeve nga Shqipëria. Në një darkë të organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës që organizon panairin e librit “Prishtina 2013”, jo krejt të shpërblyerit kanë qenë të pranishëm.

Çmimet, sipas Zajmi-Rugovës që edhe i ka lexuar emrat, janë vlerësime të fushave të ndryshme dhe përfshijnë librat e botuar midis dy panaireve.

Trofeu i Panairit ka qenë “Hyjnesha në fron”, simboli i Prishtinës. E çmimet kanë qenë të shumta. Ai për romanin më të mirë në panair ka shkuar për “Kukullat nuk kanë atdhe” të Flutura Açkas, botim i “Skanderbeg Books” nga Tirana.

“Ky është një çmim me rëndësi të madhe e sidomos që më vjen nga Prishtina”, ka thënë ajo. Çmimin për poezi e ka marrë libri “Pothuajse dje” i Luljeta Lleshanakut, që ka qenë edhe mysafire e Panairit të sivjetmë. Në emër të saj çmimin e ka marrë bashkëshorti i saj, poeti Lazer Stani. Çmimi për librin më të mirë për fëmijë në Panair i ka takuar Shkëlzen Zallit për librin “Zogj të Barshë”. Edhe ky nga një shtëpi botuese nga Tirana.

Nga Prishtina, çmim ka marrë Kujtim Shala. Atij i është ndarë çmimi për kritikë letrare, përkatësisht për librin “Gjenetika vs poetika”, botim i shtëpisë “Buzuku” nga Prishtina. Në emër të tij, çmimin e ka pranuar Avdullah Zeneli, drejtor i “Buzukut”. Përkthyesi i vitit ka qenë një tjetër çmim që është ndarë. I ka takuar Amik Kasoruho për përkthimet “Revolta e Atlasit” të Aun Rand, “Mosha e pafajësisë” nga Edith Warton dhe “Damka e turpit” të Nathaniel Hawthore, që të tre librat botime të shtëpisë “Pegi” nga Tirana. Me çmimin për autor të vitit 2013 është nderuar Albatros Rexhaj për romanet “Bombë në Beograd” dhe “Ditar dashurie i një shkrimtari”, botuar nga “Dudaj”.

“Libri i tij është botuar edhe disa herë si dëshmi se krijimtaria e vërtetë nuk njeh kohë as kufij”, ka thënë Zajmi-Rugova teksa ka lexuar arsyetimin e jurisë. Vetë shkrimtari ka thënë të jetë shumë i emocionuar që ka marrë këtë çmim. Ai ka falënderuar lexuesit të cilët, sipas tij, e shtyjnë që të shkruajë më shumë.



Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, ka folur për arritjet e Panairit të sivjetmë duke e cilësuar si njërin prej më të suksesshmëve ndër vite. Ka lavdëruar botuesit shqiptarë, të cilët sivjet në Panair kanë sjellë 1 mijë e 300 tituj të rinj.

“Mesatarisht po e zëmë se për një vepër duhet një vit për ta botuar, atëherë i bie që në këtë panair vijnë 1 mijë vjet punë”, ka thënë Demaku. Ka folur edhe për organizmin e Panairit. “E dimë që nuk është perfekt, por edhe ne i pranojmë gabimet. Megjithatë, këto gabime neve na japin mësim të mirë që për vitet e ardhshme të organizojmë panair edhe më të mirë”, ka thënë ai.

E i vetmi çmim që u është ndarë dy librave ka qenë ai që është titulluar “Çmimi për vepër kapitale”. “Për shkak të specifikave dhe ngjarjeve që ndodhën brenda dy panaireve, juria ka vendosur që t’ia ndajë dy veprave këtë çmim”, ka thënë Zajmi-Rugova. Çmimin e ka marrë studiuesi arbëresh Matteo Mandala për veprën që është cilësuar kurorë në fushën e traditës letrare “Lekë Matranga, njeriu, koha, vepra”. Mbi botimin kritik të varianteve dorëshkrim e të shtypur të veprës “E mbsuame e kërshtere - 1952”. Matteo Mandala ka qenë i ftuari i Panairit, por sipas organizatorëve, ai nuk ka mundur të vijë për shkak të angazhime të tjera. Në emër të tij, çmimin e ka pranuar përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Ombra GVG” nga Tirana. I dyti që ka marrë këtë çmim ka qenë vepra që sipas jurisë është cilësuar një album i jashtëzakonshëm që ka shënjuar bindshëm 100 vitet e Pavarësisë së Shqipërisë, ai i Aleksandër Meksit dhe Xhevair Lleshit, “100 vjet pavarësi kombëtare”.

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021