E -book apo CD book, esse nga Ilire Zajmi – Rugova
Letërsia dhe digjitalizimi
E -book apo CD book
“Sot industria e librit në botë është në kollaps. Edhe shtëpitë më të njohura botuese siç janë Simon & Schuster, Macmillan, HarperCollins etj. janë duke u riorganizuar dhe duke përgjysmuar personelin e pagat.” Sot librat mund të blihen, të porositen online apo edhe të shkarkohen falas. Ueb –faqet si Best poems, Poets & writers, Vox poetica, Poemish, Poethunter etj, janë vetëm disa nga uebfaqet ku mund të lexohen me mijëra shkrime online dhe mund të shkarkohen falas libra të shkrimtarëve të mëdhenj si klasikë ashtu edhe atyre bashkëkohorë.”
Evolucioni që ka shkaktuar zbulimi i internetit, lirisht mund të krahasohet me revolucionet më të rëndësishme teknologjike që kanë ndodhur gjatë tri dekadave të fundit në botë. Krahas me ndryshimet rrënjësore që ka sjellur interneti në botë, edhe çdo fushë e jetës u është përshtatur këtyre ndryshimeve, si formë e vetme e mbijetesës në ”fshatin global”.Edhe letërsia, është veshur me petkun e teknologjisë. Digjitalizimi i letërsisë ka filluar të bëhet qëmoti në shumë vende të botës. Shtëpitë botuese krahas librave tradicionalë botojnë libra elektronikë apo e- book. Shumë biblioteka posedojnë me dhjeta, qindra titujt të librave virtualë. Para viteve ‘90, botimi i librave ishte produkt i konfiguracioneve financiare dhe rrethanave teknologjike. Avansimet e teknikave të reja të shtypit dëshmuan se mund të botoheshin shumë libra me pak mjete financiare, tregu i ri mbarëbotëror i librave evoluoi dhe ato mund të shiteshin gjithandej; për herë të parë në mbarë botën u krijua mundësia e përzgjedhjes së një game të madhe të librave nga fusha të ndryshme. Por kjo tashmë i takon së shkuarës. Sot industria e librit në botë është në kollaps. Edhe shtëpitë më të njohura botuese siç janë Simon & Schuster, Macmillan, HarperCollins etj. janë duke u riorganizuar dhe duke përgjysmuar personelin e pagat. Botimi i librave në formatin tradicional po përballet me sfida të mëdha. Kriza e leximit është çështje në vete, që po merr përmasa tragjikomike sidomos në vendin tonë. Libri përçmohet, e rrallë lexohet nga ata që e kanë obligim, ndërsa në raste të veçanta lexohet nga disa që e konsiderojnë kënaqësi, kulturë e ushqim të pazëvendësueshëm për shpirtin. Në gjithë këtë mishmash të jetës moderne, botimet e librave elektronikë po marrin hov. E-book është duke shënuar një revolucion të vërtetë, me hapa radikalë po bëhet pjesë e përditshme e industrisë së librit. Nga aspekti industrial, procesi i digjitalizimit është shumë më ekonomik, pasi që kushton fare lirë, në aspektin hapësinor është mrekullia vetë, pasi e –book mund të palosen në memorie (USB) , mund të ruhen në kompjuterë, ndërsa gjithashtu është ekologjik pasi ruan ambientin që na rrethon. Librat tradicionalë ndërkaq, zënë shumë hapësirë fizike, duhen rafte e rafte për t’i ruajtur, por edhe kushtojnë më shtrenjtë. Kështu libri tradicional gradualisht po humbiset në vorbullën e digjitalizimit. A po shndërrohet libri specie në zhdukje? Çka po ndodh me letërsinë?! Letërsia interpreton botën, por edhe formësohet nga bota, prandaj është shumë e natyrshme që të ndryshojë. Zhanret letrare po pësojnë ndryshime gjithashtu. Gjithnjë letërsia e arti kanë pasur sensin të jenë në hap me të renë. Tani ndoshta letërsia përmes digjitalizimit po e rinon vetveten, duke u shndërruar në diçka më popullore, më të lirë, më të etshme, e përfundimisht si dukuri më produktive se kurrë më parë. Disa nga studimet e fundit për librin tradicional treguan se libri si formë fizike mund të zhduket shumë shpejt nga përdorimi. Por shumë nostalgjikë të letrave këtë teori nuk e pranojnë si të qenë, pasi sipas tyre librin tradicional nuk mund ta zëvëndësojnë formatet digjitale si e -book apo CD book. Në Kosovë, si gjithçka tjetër që ka arritur me vonesë, edhe procesi i digjitalizimit ka humbur rrugës diku. Letërsia jonë është larg këtyre proceseve. Shtëpitë tona botuese mezi ia dalin të botojnë libra në formatin tradicional e lëre më botimin e librave elektronikë , e për CD -librat as që bëhet fjalë. Përkundër këtij fakti dëshprues, disa nga shkrimtarët shqiptarë të Kosovës aty – këtu kanë dalur me botime të librave elektronik në gjuhë të huaja, në vende të ndryshme të Evropës e Amerikës. Këto përpjekje e suksese të vockëla të disa krijuesve janë ca pika shiu në oqeanin e pafund të procesit të digjitalizimit që ka përfshirë botën. Këto libra të një letërsie nga një vend i vogël në hartën e botës, shkrihen në vorbullën e një letërsie globale në transformim e sipër. Zhanret po ndërrojnë me ritëm marramendës, ashtu si edhe kriteret e vlerësimit të asaj që po plasohet në mijëra, qindra ueb -faqe, portale,revista letrare elektronike, magazina kulturore virtuale, forume, blogje. Librat “fiction” apo “jo fiction”, beletristikë, përmbledhje me poezi e së fundi memoare, kujtime shkrimtarësh të mëdhenj, histori politikanësh etj.po ngjallin interesim të përdoruesve të internetit, qofshin ata adhurues librash, shkrimtarë, miq të shkrimtarëve etj. Këto libra mund të blihen, të porositen online apo edhe të shkarkohen falas. Ueb –faqet si Best poems, Poets & writers, Vox poetica, Poemish, Poethunter etj. janë vetëm disa nga uebfaqet ku mund të lexohen me mijëra shkrime online dhe mund të shkarkohen falas libra të shkrimtarëve të mëdhenj si klasikë ashtu edhe atyre bashkëkohorë. Kjo ka bërë që letërsia të bëhet më popullore dhe më e kapshme se kurrë më parë. Qasja në këto uebfaqe është falas, e magjia që ofrojnë krijimet e parezistueshme. Sa i përket kritereve, në uebfaqe, magazina të specializuara letrare, gazeta elektronike ekzistojnë filtrat e vlerësimit. Shkrimet e dërguara analizohen, vlerësohen nga botuesi. Atyre u jepet apo s ‘u jepet e drejta për botim. Situata ndryshon te rrjetet sociale. Ato mbeten një hapësirë e lirë e promovimit të librave, poezive, ngjarjeve kulturore e çka jo tjetër. Aty secili mund të ndihet mirë e të zërë vendin që synon përmes ‘like” të miqve, adhuruesve, dashamirëve e komenteve të tyre. Për vlerat s ‘ka çka të diskutohet. Është e drejtë e secilit të pëlqej a të mos pëlqej. Shkrimtarë të njohur e të panjohur, botohen, botojnë gjithçka, përfshirë këtu edhe libra elektronikë etj. pa e vrarë mendjen për vlerat. E lufta në mes të Gutenbergut e digjitalizimit do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Ithtarët e librit tradicional mbase do të mbesin si ata mohikanët e fundit. E proceset teknologjike do të vazhdojnë të shkrinjë gjithçka, përfshirë edhe letërsitë e vogla e të mëdha.
http://gazeta-nacional.com/?p=1278
No comments:
Post a Comment