Publikuar: E hëne 13 Maj 2013, 23:38
Fryma e krijuesve të mëdhenj, çfarë ishte edhe poeti Ali Podrimja, nuk ndihet vetëm për të gjallë të tyre, por ajo vazhdon, shpesh edhe më fuqishëm, pasi ata të ndërrojnë jetë. Kjo, më së miri u dëshmua gjatë tërë kohës sa zgjati manifestimi më i madh poetik tek ne, Mitingu i Poezisë në Gjakovë, i 49-ti me radhë, që përfundoi të shtunën në mbrëmje, e mbështetur nga Ministria e Kulturës së Kosovës dhe Drejtoria Komunale e Kulturës në Gjakovë, organizuar nga klubi i letrarëve "Gjon Nikollë Kazazi".
Binjakëzimi Gjakovë-Lodeve
Orët e shumta letrare që u mbajtën në kuadër të këtij mitingu, tribuna tradicionale e mitingut dhe vetë manifestimi qendror që u mbajt të shtunën në mbrëmje (ora e madhe letrare), kaluan në shenjë të këtij krijuesi të madh, i cili në korrikun e vitit të kaluar ndërroi jetë në qytetin Lodeve të Francës, ku ishte i ftuar të marrë pjesë në një manifestim poetik. Jo vetëm kaq, Podrimja dhe vepra e tij ishin shkas që qyteti i tij i lindjes, Gjakova dhe ai i vdekjes, Lodeve, të binjakëzohen. "Këto dy qytete, sot, po i bashkon Ali Podrimja, por ato i bashkon edhe e kaluara e tyre e lavdishme. Lodeve, sikurse edhe Gjakova ka kaluar nëpër luftëra të ashpra, ndërsa edhe qyteti ynë sikurse edhe i juaji, është qytet i traditës, i kulturës, i poetëve..." ka thënë në aktin e binjakëzimit Haxh Madani, nënkryetar i komunës Lodeve. Kjo e ka nxitur edhe kryetarin e Gjakovës, Pal Lekajn që të spikat të madhin Podrimja. "Ky binjakëzim ka kuptim të shumëfishtë, por, megjithatë, ai në radhë të parë, bëhet për ta ruajtur emrin e poetit të madh Ali Podrimja" ka thënë Lekaj, me rastin e nënshkrimit të binjakëzimit, të cilin e përshëndeti edhe ambasadorja e Francës në Kosovë, Maris Daviet. "Lodevasit kanë shumë ngjashmëri me gjakovarët, prandaj na vjen shumë mirë që sot, këto dy qytete po e nisin një fazë të re të bashkëpunimit" është shprehur Petrit Podrimja, djali i poetit.
Çmimet tradicionale
Për madhështinë e Podrimjes, në tribunën tradicionale të mitingut, në temën "Jeta dhe vepra e Ali Podrimjes" folën Sali Bashota, Basri Çapriqi dhe Bashkim Kyçyku. Fjalët e tyre, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë të kësaj tryeze, mund të përmblidhen në konstatimin e Kyçykut se Ali Podrimja dhe poezia e tij i kanë kapërcyer të gjithë kufijtë e politikës dhe krahinave, duke u bërë poet emblemë i etnisë shqiptare. "Vetëdija e Podrimjes nuk ka njohur as kufij politikë e as krahinorë, përkundrazi ai i ka rrënuar këta kufij, për ta pasur të plotë tërësinë e saj" është shprehur Kyçyku, në ndërkohë që Basri Çapriqi duke e analizuar veprën e Podrimjes "Lum Lumi", ka thënë se kjo është dëshmia më e mirë e mjeshtërisë së rrallë të poetit për poezi. Përjetim i posaçëm ishte ora e madhe letrare, ku, pos që lexuan poetët më të shquar shqiptarë, u ndanë edhe çmimet tradicionale. Çmimi për poezinë më të mirë të lexuar në orën e madhe letrare, i takoi poetes Ilire Zajmi-Rugova, e cila, 9 muaj më parë po e shoqëronte Podrimjen në manifestimin letrar në Lodeve. "Është herët për të vdekur" titullohej poezia fituese e përmes së cilës, autorja rrëfen tërë ndjenjat dhe emocionet e asaj kohe, por, siç ka thënë edhe vetë, që vazhdojnë ta drithërojnë edhe sot e kësaj dite. Në këtë mbrëmje u ndanë edhe çmimet e tjera. Çmimin për veprën më të mirë me poezi të botuar ndërmjet dy mitingjeve e ndanë Ibrahim Berisha ("Fundi është i mundshëm") dhe Sabit Rrustemi ("Në fytyrën tënde një gjeth").
B. VULA
http://www.kosova-sot.info/kulture/manifestim-qe-ringjalli-poetin-e-madh-ali-podrimja
No comments:
Post a Comment