Tuesday, May 14, 2013

Gjakova mbyll një javë nën tingujt e poezisë

 
Artan Z. Haraqia

Publikuar: 14.05.2013 - 09:49

Poetesha Ilire Zajmi – Rugova, e cila 9 muaj me parë po e shoqëronte në Francë dhe ishte njeriu i fundit që ishte ndarë me poetin Ali Podrimja, asokohe e pati përjetuar në menyrë mjaft të rëndë vdekjen e poetit.9 muaj pas asaj ndarje fizike, përmes poezisë “Është herët për të vdekur”,poetesha ka rrëfyer të gjitha ato ndenja dhe emocione, të cilat ka thënë se vazhdojnë ta drithërojnë edhe sot e kësaj dite.
E pikërisht kjo poezi, të shtunen në mbrëmje është zgjedhur si poezia më e mirë e deklamuar në Mitingun e 49-të të poezisë që u mbajt në Gjakovë, ndërsa është shpërblyer me çmimin “Ali Podrimja”, çmim ky që ndahet nga klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, organizator i Mitingut. “Vazhdoj të ndjehem njëjtë sikur atëherë sikur sot. Tash kur po rri me miqtë dhe familjarët e Aliut, po më vijnë në mendje e po më drithërojnë të gjitha ato momente të rënda që i kaluam pas vdekjes së tij”, ka thënë Zajmi – Rugova, vetëm pak minuta para se ta merrte çmimin “Ali Podrimja”.
E krahas këtij çmimi, si çmimi kryesor i Mitingut, organizatorët kanë ndarë edhe një sërë çmimesh tjera.Çmimi për veprën më të mirë të botuar mes dy mitingjeve është ndarë nga poetët kosovarë Ibrahim Berisha me vepren “Fundi është i mundshëm” dhe Sabit Rrustemi me veprën “Në fytyrën tënde një gjeth”.
Çmimi “Yllka Domi” që ndahet për debutuesin e Mitingut, ka shkuar tek poetesha Migena Arllati dhe vepra e saj “Mendime në kornizë”, ndërsa çmimi për vepër jetësore i ndarë nga shtëpia botuese “Fan Noli” i është dhënë poetit Ibrahim Kadriu.Organizatorët kanë ndarë edhe çmimin tradicional për humanitetin e poezisë “Nënë Tereza”,çmim ky që është fituar nga poeti francez Julien Blaine dhe ai ukrainas Dmitri Tchustiuk.
Të gjitha këto çmime janë ndarë gjatë orën së madhe letrare, gjatë së cilës edhe janë deklamuar rreth 30 poezi të përzgjedhura, nga poetë vendorë e ndërkombëtar. Por, paraprakisht kësaj, është mbajtur edhe një tribunë me temë “Jeta dhe krijimtaria e Ali Podrimes”, në të cilën me kumtesat e tyre janë paraqitur Sali Bashota, Basri Çapriqi dhe poeti nga Shqipëria Bashkim Kyçyku.
Ky i fundit ka thënë në fjalen e tij se Ali Podrimja dhe poezia e tij i kanë kapërcyer të gjithë kufijtë e politikës dhe krahinave, duke qenë poet emblemë i etnisë shqiptare. “Disa poetë e shkrimtarë nuk e kapërcenin anën tjetër për shkak të cenzures, ndërsa disa të tjerë për shkak të vetëdijës së gjymtë. Por, ndryshe prej tyre, vetëdija e Ali Podrimes nuk ka njohur as kufij politikë e as krahinorë, përkundrazi ai i ka rrafshuar ata, për ta pasur të plotë tërësinë e saj në krejt shtrirjen historike dhe gjeografike”, ka thënë Kyçyku, i cili ka folur edhe për lidhjen e Aliut me poezinë frënge. “Në pamje të parë do të duket si pak e vështirë, por po të shikojmë thellë, do të gjejmë disa lidhje të brendshme që duken si të fshehta”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ndërkohë, duke e marrë si shembull referimi veprën “Lum Lumi” të Ali Prodrimes, poeti e studiuesi Basri Çapriqi ka thënë se kjo vepër është dëshmia më e mirë për mjeshtërinë e të shkruarit që e ka pasur Ali Podrimja. “Me këtë vepër Aliu ka treguar se është mjeshtër i shkëlqyeshm i zhvendosjes dhe alternimit të konteksteve nëpërmjet ndërtimit të hapësirave dhe nënhapësirave. Lum Lumi është shembulli më i mirë se si mbindërtohet një dhembje e thellë individuale në një brengë të madhe për grupin dhe më në fund për fatin e racës njerzore”, ka thënë në fjalen e tij Çapriqi.
Përveç tribunës dhe orës së madhe letrare, në kuadër të Mitingut janë organizuar shumë aktivitete, si promovime të librave dhe orë letrare për fëmijë dhe të rritur.
Njëri prej këtyre aktiviteteve ka qenë edhe ora letrare në qytetin e Bajram Currit, aktivitet ky që tash e 3 vjet organizohet atje.Në këtë manifestim kanë deklamuar poezitë e tyre rreth 30 poetë nga Kosova e Shqipëria, ndërsa janë ndarë edhe çmime për Halil Haxhosajn, për poezinë më të mirë, si dhe për Lulzim Logun, për librin më të mirë.
I tërë aktiviteti njëjavor është përmbyllur me një foto dokumentar 15 minutësh i përgatitur nga Blerim Valla, në të cilin është prezentuar e tërë jeta e Ali Podrimes, që nga fëmijëria e deri tek fotoja e fundit e bërë në Lodeve të Frances, pak orë para vdekejs, teksa poeti po deklamonte në festivalin e poezisë “Zërat e Mediteranit”
Sipas organizatorëve të Mitingut, menjëherë pas përfundimit të këtij edicioni do të fillojnë përgatitjet për edicionin e ardhshëm që do të jetë jubileu i 50-të i njërit prej aktiviteteve kulturore më të mëdhenj në trojet shqiptare.

http://www.zeri.info/artikulli/5782/gjakova-mbyll-nje-jave-nen-tingujt-e-poezise

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021