Monday, July 30, 2012

Poezia shqipe në “Zërat e Mesdheut”




Publikuar: 18.07.2012 - 10:10
Prishtinë, 18 korrik - Poetja Ilire Zajmi - Rugova dhe poeti Ali Podrimja po marrin pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Voix de la Mediterainee” (Zërat e Mesdheut) që po mbahet në qytetin Lodeve të Francës, raporton sot “Koha Ditore”. Ceremonia e hapjes së këtij festivali është bërë të hënën e 16 korrikut, por programi zyrtarisht ka nisur të martën. Pesëdhjetë shkrimtarë nga 24 vende të botës janë pjesë e këtij manifestimi që organizohet nën patronazhin e UNESCO-s dhe nuk ndalet vetëm te poezia. Koncerte, ekspozita e ngjarje të tjera janë në mënynë e “Zërat...”. Zajmi-Rugova atje po përfaqëson Kosovën, e Podrimja zyrtarisht merr pjesë në këtë festival si poet nga Shqipëria. Podrimja ka thënë se nuk e di pse i është shkruar se është poet nga Shqipëria. “Shqipërinë e kanë vendosur para emrit tim. Këtë nuk e di përse. Kur erdha, edhe unë u habita”, ka komentuar ai mënyrën e prezantimit të tij përderisa në festival nuk ka pjesëmarrës nga Shqipëria. Për festivalin ka thënë se po hap rrugë bashkëpunimi me klubet letrare, poetët, botuesit e fondacionet e ndryshme.

“Është festival shumë i njohur”, ka thënë Podrimja. “Megjithatë, siç shihet, ekziston një përshtypje e mirë për fjalën e kulturën shqiptare. Ajo që duhet të bëjmë ne është t’i kushtojmë një vëmendje edhe më të madhe dhe të ngulim këmbë që vetëm me art dhe kulturë mund të ecim përpara”, ka thënë poeti për gazetën, nga qyteti Lodeve, teksa tregon se po shoqërohej nga përkthyesi i njohur i poezisë nga gjuha shqipe, në gjuhë të tjera, Aleksandër Proksi. Përgatitja për botimin e librit të tretë në italisht të Podrimjes, tashmë ka nisur.

Secili nga poetët e ftuar atje ka të rezervuar nga tri paraqitje, lexime e diskutime me poezi.

Ilire Zajmi - Rugova është paraqitur atje mbrëmjen e së martës, me 5 poezi, në një ambient, që siç e ka përshkruar ajo, impozant të titulluar “Lexim nën dritën e qirinjve”. Zajmi do të paraqitet edhe të enjten në sheshin kryesor të qytetit si dhe të shtunën, në një “Takim me lexim të poezive” dhe në një diskutim i cili transmetohet në radion e atjeshme.

“Gjithashtu kam marrë ftesë për pjesëmarrje në një emision të radios të premten, ku do të lexoj dhe do të flas për poezinë. 20 poezi të përkthyera në gjuhën frënge do të lexohen gjatë këtyre paraqitjeve nga aktorët profesionistë dhe do të përcillen me kitarë e klarinetë nga muzikantët e këtushëm”, ka thënë Zajmi - Rugova.

Veç 50 poetëve, pjesë e këtij festivali janë edhe 100 artistë të tjerë, si shkrimtarë, muzikantë e aktorë. Poetja kosovare ka treguar se ajo që po i bën përshtypje më së shumti në Lodeve është mishërimi i tërë qytetit me frymën e festivalit.

“I tërë qyteti jeton me poetët pjesëmarrës këto 6 ditë. Ndjek paraqitjet e tyre, blen librat e tyre të ekspozuara në shesh, e të tjera. Përkthimi i poezive në gjuhen frënge dhe gjithashtu botimi në antologji janë një element tjetër i këtij Festivali”, ka thënë ajo. “Prandaj, besoj se jam me fat që mora ftesën të vij këtu”.

Ftesa për të marrë pjesë në këtë festival i kishte mbërritur në dhjetorin e vitit të kaluar nga drejtori Marc Delouze. “Në mesin e disa emrave të poeteve nga Kosova, të cilët u janë dërguar organizatorëve dhe në bazë të poezive që kemi dërguar, jam përzgjedhur unë”, ka treguar Zajmi - Rugova. Ajo e cilëson si tepër të rëndësishme për kulturën dhe letërsinë shqipe pjesëmarrjen në Francë.

“Përveç diplomacisë kulturore që i bën vendit tënd, gjithashtu krijon kontakte me shkrimtarë, botues, përkthyes, e të tjerë”, ka thënë Zajmi - Rugova.

Festivali do të zgjasë deri të dielën e 22 korrikut, ndërsa përveç leximeve poetike, ai boton edhe antologjinë në gjuhën frënge me poezitë e autorëve pjesëmarrës.




No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021