Publikuar: 25.07.2012 - 10:02
http://www.kohaditore.com/?page=1,5,108728
Prishtinë, 25 korrik - Poetja Ilire Zajmi - Rugova ka thënë se as që ka mundur ta imagjinonte se do të udhëtonte bashkë me poetin Ali Podrimja për një festival poezie në Francë, e do të kthehej vetë në Kosovë.
“S’e kisha imagjinuar kurrë se do të shkonim bashkë, do të ma lexonte poezinë e fundit të cilin e kishte shkruar, ‘Fustani i verdhë’, do të më fliste aq shumë për Lumin, madje do të ma dhuronte edhe një herë veprën ‘Lum lumi’, e unë do të kthehesha në Kosovë pa të”, është shprehur Zajmi - Rugova, në një orë letrare që Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë ka mbajtur të martën paradite. Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës janë mbledhur miq të tij që kanë kujtuar poetin, e kanë lexuar poezi për të.
“Nuk gjejë fjalë që të shpreh dhembjen e kësaj vdekjeje tragjike. Tekefundit ai vdiq ashtu siç jetoi, dhe këtë e kupton vetëm një poet”, ka thënë Zajmi - Rugova. Të dy bashkë të hënën e javës së kaluar kishin udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Lodeve të Francës, ku është mbajtur edicioni i 15-të i festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”. Podrimja kishte humbur kontaktet të mërkurën e 18 korrikut përderisa u gjet i vdekur të shtunën katër kilometra larg vendit ku po mbahej festivali.
Në orën letrare ka folur edhe veprimtari Adem Demaçi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Për Demaçin, Podrimja ishte si poet dhe si njeri mbi të gjitha origjinal.
“Si njeri ai mundohej të bashkonte edhe njerëzit që s’bashkohen, edhe mendimet që s’përputhen, vetëm për hir që Kosova të gjente rrugën e lirisë”, ka thënë Demaçi. Por ai ka bindjen se fjalët e mira për poetin, të cilat pa dyshim ai i meriton, ka qenë dashur t’i thuhen për së gjalli.
“Askush nga shumë këto fjalë të mëdha e me vend, që u thanë e u shkruan brenda këtyre 3-4 ditësh, nuk u ndal t’ia thotë Aliut për së gjalli. Vetëm gjysmën sikur t’i dëgjonte do të ishte shumë i lumtur, e ndoshta do t’ia zgjasnin jetën”, ka thënë Demaçi.
Por miku i tij i ngushtë, shkrimtari Ramiz Kelmendi, ka thënë se kurrë më shumë se kësaj here nuk është ndier “fukara” nga fjalët për të shprehur krejt dhembjen që po ndien këto ditë.
“Por them se gjysma e jetës sime ka vdekur”, ka thënë Kelmendi.
Akademik Rexhep Ferri, i cili ka treguar se me poetin janë rritur bashkë në Gjakovë, u shpreh se “Ali Podrimja ka lindur si poet, dhe poezia e mori”. Ai lexoi poezinë e tij “Zoti me çka na pa”, të cilën ia kishte dedikuar Podrimjes shumë vjet më parë.
Studiuesi Begzat Baliu u shpreh se “Ali Podrimja është bërë sinonim i letërsisë shqipe të shekullit XX”.
Reshat Sahitaj, i cili i prin Unionit që organizoi këtë orë letrare, tha se kjo nuk është e zakonshme si orët e tjera. Ai nuk mundi ta çonte deri në fund leximin e letrës së tij, për t’ia dhënë që këtë ta bënte moderatorja e këtij komemoracioni.
“Ali Podrimja është në zemrën e secilit prej nesh, ngase secili prej nesh kemi kujtime të pashlyeshme me të. Ai ishte në kontakte të vazhdueshme kudo dhe kurdo me secilën prej jush, por askush nuk duhet të ketë pretendime se Aliu ishte i tij, sepse ai ishte i të gjithëve”, kishte shkruar ndër të tjera Sahitaj në fjalën e tij.
E zëvendësministri i Kulturës, Hajdin Abazi, ka thënë se shteti Podrimjes ia ka borxh që t’ia botojë të plotë veprën.
“Me gjithë dhembjen që e ndiejmë, kemi nga ai vargjet që na ka lënë trashëgimi. E kemi obligim që të kujdesemi për to, dhe ta botojmë të plotë veprën e tij. Kështu së paku do të pretendojmë se sado pak do t’ia shpaguajmë borxhin për atë që ai ka kontribuuar për shtetin e Kosovës”, ka thënë Abazi, teksa ka lexuar edhe ai një poezi që ia kishte dedikuar poetit.
Veç tij, poezi për poetin Ali Podrimja lexoi edhe një poet nga Mali i Zi, Mirash Martinoviq, ndërsa lexuan edhe Gani Xhafolli, Smajl Smaka, Mexhit Mehmeti, Jonuz Fetahu, Zymer Neziri, Tomë Palokaj, Naim Kelmendi, Jeton Kelmendi, Shqipe Hasani, Xhemil Bytyçi, Ramadan Thaçi e të tjerë.
No comments:
Post a Comment