Friday, April 24, 2015

Vështirësitë e botimit në Kosovë bien ndesh me kulturën e librit

 

Përderisa në sheshin “Nëna Terezë” një mini-panair libri ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, pak metra më tutje në Qendrën Informative Kulturore të BE-së, OJQ “Artpolis” zhvilloi një diskutim për situatën e librit në Kosovë.

“Leximi dhe botimi i librave – sa ia vlen në Kosovë” ishte tema nën të cilën biseduan poetja Ilire Zajmi, Edon Zeneli nga shtëpia botuese “Buzuku”, drejtori i bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Munish Hyseni, regjisorja Zana-Hoxha Krasniqi, si dhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci.
“Nuk mund të themi që nuk ka iniciativë për lexim. Tani varet prej preferencave kush çka lexon, këtu ndikon edhe çmimi i shtrenjtë i librit, një ndër arsyet pse shpesh hezitojmë t’i blejmë librat… Libri pak promovohet, aspak nuk shpërndahet dhe autori nuk stimulohet qoftë për të shkruar, qoftë për të botuar për shumë arsye. Autori duhet të shndërrohet prej A-së deri në ZH për ta dërguar librin e tij te lexuesi”, tha Zajmi.
Drejtori i bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Munish Hyseni, foli për statistikat e organizatës që ai udhëheq. Ai tha se në dhjetë degët e bibliotekës dhe në tre sektorë, janë të anëtarësuar 6167 lexues. Nga ky numër, 4000 janë fëmijë, kurse pjesa tjetër janë studentë apo të rritur.
Sipas Munishit, prin letërsia botërore me autorë si Daniele Steel, Nicholas Sparks, Paolo Coelho, Dostoyevski, etj., kurse nga letërsia shqipe lexohet Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Elvira Dones dhe Brunilda Zllami.
Edon Zeneli nga Shtëpia botuese “Buzuku” tha se politikat botuese të kësaj shtëpie kanë ndryshuar prej mesit të shekullit të kaluar, kur botoheshin autorët të cilët për shkak të censurës nuk ishte e mundur të botohej.
“Tani shtëpia ‘Buzuku’ shumë më shumë fokusohet në nxitjen e autorëve të rinj. Autori i ri problemin kryesor e ka problemin financiar. Në shtëpinë botuese ‘Buzuku’ nuk ndodhë që autori të vijë të pyes sa kushton ta botojë dorëshkrimin”, tha Zeneli, duke qenë se pas vlerësimit se një dorëshkrim ia vlen të botohet, ai do të botohet me shpenzimet e botuesit dhe jo shkrimtarit.
Zeneli përfundoi fjalën e tij duke thënë se nga aspekti i përfitimeve financiare, për shkak të tirazhit të vogël, për botuesin në Kosovë nuk ia vlen. Në pjesën tjetër të debatit, Zeneli diskutoi për dëmin e madh që po i bëhet shtëpive botuese nga mos mbrojtja e të drejtave të autorit nga institucionet kosovare, duke qenë se burimi kryesor financiar për këta botues janë shitja e librave të tyre.
Në anën tjetër, Zajmi tha se institucionet gjithashtu janë përgjegjëse për botimet e pakëta, ku citoi të dhënat e Bibliotekës Kombëtare që tregojnë se në dy vitet e fundit janë botuar 1260 libra. Për Zajmin, në raport me popullsinë, ky numër del të jetë i ulët.
Botimi i librave në formatin elektronik u diskutua shkurt nga Hyseni, i cili tha se ky lloj i leximit pamundëson reflektimin logjik mbi librin, ndërsa bazuar në disa studime, ai tha se libri qëndron përmbi televizorin sa i përket stimulimit të audiencës.
Në debat gjithashtu u diskutua promovimi i mirëfilltë i librave, me ç’rast regjisorja Hoxha-Krasniqi theksoi nevojën për të krijuar fushata që mundësojnë ekspozimin e librit tek caku i lexuesve, si dhe u fol për rishikimin e kritereve të botimit nga institucionet kosovare, procedurë e cila është në zhvillim në Komunën e Prishtinës, sipas drejtoreshës Bogujevci.

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021