Wednesday, April 22, 2015

Fëmijët, leximi dhe të shkruarit

Fëmijët, leximi dhe të shkruarit
Një tregim për nënën ka ngjallur debat mes fëmijëve. Idetë e tyre kanë qenë nga më të ndryshmet, derisa janë bashkuar në një pikë, se tregimi do të ishte më i mirë nëse në të do të rrëfehet një ngjarje interesante që lidhet me nënën. Të dymbëdhjetë fëmijët që janë mbledhur në një punëtori të organizuar në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së, në pasditen e së martës kanë diskutuar mbi leximin dhe të shkruarit. Punëtoria e cila do të vazhdojë edhe sot (e mërkurë) është drejtuar nga shkrimtarja Ilire Zajmi. Fëmijët do të shkruajnë nga një tregim të shkurtër, të cilët do të përmblidhen në një libër që do të publikohet në Ditën e Evropës.   
Është e pamundur që në aspektin teorik të mësojmë si të shkruhet një tregim apo një poezi e mirë, ka thënë shkrimtarja Ilire Zajmi. “Një nga ato rregullat e arta për t’u bërë shkrimtar është leximi sa më shumë i librave, pastaj nëse ju tërheq ky lloj i artit, e sprovoni veten në të shkruar”, është shprehur Zajmi, derisa u është drejtuar me dhjetë këshilla fëmijëve pjesëmarrës. Gjeni idenë, gjërat elementare (detajet, koha, hapësira veprimi), inspirimi, njohja e karaktereve (fiktiv dhe real), kohështrirja (periudha kur ndodh ngjarja), narratori, sistemimi i mendimeve, fillimi i të shkruarit, tërheqja e lexuesit dhe lejoni tregimin të rrjedhë vetë, janë këshillat të cilat Ilire Zajmi u ka sugjeruar lexuesve të vegël, që pretendojnë të bëhen shkrimtarë.
Erza Bajrami thotë se i pëlqejnë romanet historikë dhe aventurat, po kështu edhe ata libra që trajtojnë probleme sociale. “Unë e kam lexuar Sabri Hamitin, edhe Mary Pope Osborne dhe të dy shkrimtarët më pëlqejnë”, thotë ajo, derisa ka shprehur idenë se do të shkruante një tregim për nënën, veprimet dhe sakrificën e saj për fëmijët.
Fabola Shoshi thotë se do të lexonte tregimin për nënë vetëm nëse do të shkruhej për diçka të veçantë. Ajo ka treguar se libri i fundit që e ka lexuar ka qenë “Xha Gorio” i Balzak, derisa ka bërë të ditur se më shumë i pëlqejnë romanet. “Më shumë më pëlqejnë romanet psikologjike, që synoj në të ardhmen të jem një psikologe”, ka thënë Shoshi, duke shtuar se anon më shumë nga gjendja sociale dhe shpirtërore e personazheve dhe po ashtu edhe e shkrimtarëve. “Disa nga librat që më kanë bërë të anoj nga këta libra janë “Sekreti” e “Forca e ndërdijes””, shprehet ajo.
Më shumë se romanet, Vlera Bajramit i pëlqejnë poezitë. “Shkrimtarët, librat e të cilëve deri tani i kam lexuar, më së shumti më kanë bërë përshtypje Nazmi Rrahmani dhe po ashtu Naim Frashëri”, ka thënë ajo.
Nard Shala thotë se i pëlqejnë të gjitha gjinitë letrare, por ai e veçon dramën.
“Kur lexoj një libër, ndjehem mirë që mësoj gjëra të reja”, ka treguar Shala, derisa ka treguar se së fundmi e kam lexuar “14 vjeç dhëndër” të Çajupit dhe “Kështjellën” e Kadaresë. “Ka shumë libra që më pëlqejnë dhe që ndikojnë emocionalisht tek unë”, është shprehur Nard Shala, derisa ka treguar se krahas dramës i pëlqejnë edhe librat shkencorë.
Librat filozofikë i ka më për zemër Erza Hasani. “Më pëlqejnë librat e Paulo Coelho, filozofia e tyre, qysh ai e shpreh një mendim. Do t’i veçoja “Alkimistin” dhe “Aleph””, ka thënë Hasani.
Veronika Buqinca thotë se me leximin e veprave të gjithë kanë mundësi të shkruajnë mirë. Ajo tregon se ka filluar të lexoj qëkur ka qenë e vogël.
“Nga të gjitha veprat që më së shumti më ka pëlqyer ka qenë “Besa” e Sami Frashërit, e cila edhe pse ka fund tragjik, ka një përshkrim shumë të mirë të ngjarjeve”, është shprehur Buqinca, të cilës i pëlqen edhe shkrimtari francez Balzak.
“Një tjetër vepër që më pëlqen është edhe ajo “Xha Gorio” e Balzak, në të cilën autori shkruan për jetën e një njeriu të cilit i vdes gruaja dhe të dy vajzat e braktisin”, tregon ajo për “Xha Gorion”.
Një nga shkrimtarët që më së shumti i pëlqen Bleona Krasniqit është Ali Podrimja. “Për të cilin mund të them se në të ardhmen do të doja që t’i afrohem atij, të shkruaj si ai”, derisa e veçon “Lum lumi” si vepër e saj e preferuar e poetit Podrimja.
Ilire Zajmi është shprehur e bindur se pas përfundimit të punëtorisë dyditore, fëmijët do të dalin me nga një tregim të shkurtër të mirë.
Violeta Hyseni - Kelmendi, nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, ka thënë se tregimet që fëmijët do t’i shkruajnë për dy ditë do të publikohen në një libër me rastin e Ditës së Evropës. Ajo ka bërë të ditur se e njëjta punëtori do të mbahet edhe në Mitrovicën e Veriut me fëmijët serbë, ndërsa për të gjithë fëmijët pjesëmarrës do të ndahen certifikata.


Image
Image

http://ripost.net/zeri-info/14318/f-mij-t-leximi-dhe-t-shkruarit/

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021