Tuesday, May 05, 2015

Dashuria, pasqyrë reale e ndjesisë poetike

Dashuria, pasqyrë reale e ndjesisë poetike

 

Bilall Maliqi • 02 Maj 2015 • 08:48 •
 
(Ilire Zajmi “Baladë e bardhë”, Prishtinë, faqe 60)
Poetesha Ilire Zajmi është e njohur për lexuesit shqiptarë dhe të huaj si dhe për kritikën letrare, sepse ajo me shkrimet e saj të çfarëdo zhanri qofshin, tregoi veten si një krijuese e cila nuk kënaqet me pak, kërkon, gjurmon vlera, motive të ndryshme, të cilat pastaj i vargëzon bukur, duke iu dhënë shkrimeve “shije“ artistike dhe estetike.
E kur lexuesit i pëlqen libri, i pëlqejnë poezitë që kompletohet ai libër, atëherë e nxit atë të shkruajë dhe t’i paraqesë mbresat e tij, të cilat i kanë ngelur gjatë leximit.
Libri “Baladë e bardhë“  i poeteshës Ilire Zajmi përbëhet nga poezi, të cilat ngërthejnë në vete një përkushtim të autores që poezitë e saja të ndërtohen bukur, të kenë art dhe qëndrueshmëri poetike.
Së lexuari të këtij libri simpatik me poezi, para nesh na del një botë e gjerë frymëzuese e poetes, e cila ka ditur të gjejë motive, ti vargëroj ato dhe t’i forcojë me figura stilistike, duke arritur kështu deri te caku i dëshiruar i poetes, që libri të ketë vlerë e cilësi dhe poezitë e saj të jenë koherente nëpër kohë.
Brenda tekstit poetik vërejmë se Ilirja ka sheshuar motivin e dashurisë, i cili është më i theksuar në libër, duke sajuar ngjarje, duke iu dhënë kuptimshmëri dhe duke përçuar mesazh, gjë që këto të gjitha i vërejmë tek të gjitha poezitë prezente në libër.
Në poezinë “Baladë e bardhë”, autorja paraqet një tabllo reale të kohës, vetminë e vetmuar duke pritur mëngjeset e ftohta e mbrëmjet e lodhura dhe të ftohtit me bardhësi që kishte mbuluar Prishtinën.
I pret autorja këto mëngjese dhe shprehet:
“ ...I pres mëngjeset e ftohta mbrëmjet e lodhura
Me shijen e puthjes sate në buzë
E i lutem Zotit për lumturi
Ta jetoj çdo ditë si ditën time të fundit… „
Edhe në vazhdim të shtjellimit të poezive vërejmë se Ilirja vazhdon t’i vargërojë dashurisë vargje tërheqëse, me një art të veçantë dhe me një shtrirje të botës filozofike dhe psikologjike të saj nëpër këto poezi, të cilat pa dyshim se japin një pasqyrë reale të ndjesisë poetike.
Autorja përmes vargjeve e hap portën e dashurisë të futet brenda protagonisti i saj poetik:
„ I hap dritaret e zemrës sime të hysh ti
Të më falësh buzëqeshje gëzime dhe dashuri”
Edhe në vazhdim autorja me vargje interesante vargëron për dashurinë… ajo nuk e do as pritjen, as heshtjen dhe shprehet: e imja dashuri, unë si të jetoj e dënuar në pritje, larg vetes pa ty.
Pra kjo është një ndjesi poetike e poetes karshi dashurisë, zbukuruar me gjetje interesante të fjalëve dhe forcimin e tyre me figuracion të duhur poetik.
Poezitë e librit nuk janë hermetike, diku hasim në gjysmëhermetizëm, por shumica dërrmuese e poezive janë të drejtpërdrejta, ndërtuar mjeshtërisht nga autorja. Gjuha është e rrjedhshme dhe e kuptueshme për secilën shtresë të shoqërisë, poezitë janë të ligjërimit poetik për të rritur, dhe si të tilla e kanë forcën shprehëse dhe unin poetik.
Në dy vazhdimet e poezisë “Pa titull”, shohim se poetesha assesi nuk del nga motivi i dashurisë, duke paraqitur para nesh episode intimiteti,  të vargëruar bukur si në skenë ëndrre. Dhe për autoren:
“ Dashuria është libër i mbyllur
Libër i palexuar”
Brenda poezive në libër hetohen figurat si: krahasimi, epifora, personifikimi etj., të cilat ia forcojnë vargjet dhe ia rrisin vlerën librit në përgjithësi.
Në aspektin përgjithësues poezitë e vëllimit poetik “Baladë e bardhë” të poeteshës Ilire Zajmi, janë ndërtuar me mjete poetike, poezitë shoqërohen me vlerë artistike, duke forcuar bindjen se kemi të bëjmë me një krijuese të kujdesshme dhe serioze e cila në shkrimet e saja është vetvetja, ka individualitetin dhe stilin e vet krijues dhe se është një krijuese me vlera të qëndrueshme artistike.

http://zeri.info/kultura/30913/dashuria-pasqyre-reale-e-ndjesise-poetike/

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021