publikuar: 2014-03-26 14:16:50
Koordinatorja e Festivalit Ndërkombëtar të
Poezisë për Kosovë, Ilire Zajmi Rugova, ka deklaruar para të pranishmëve
se britma e gruas është e dizajnuar të nderoj figurën e gruas dhe të
përdorë poezinë që të dëgjohet zëri i saj kundër dhunës.Kreshnik Bekteshi
Fotografitë: Ridvan Slivova
“Heroinat”, ka qenë tema kryesore e aktivitetit letrar të sivjetmë “Britma e Gruas” që është organizuar të mërkurën në mesditë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë të Lëvizjes “Mujeres Poetas Internacional”, me seli në Republikën Dominikane.
Heroinat nuk janë mite të krijuara, por janë gra shqiptare, kjo ka qenë njëra ndër mesazhet kryesore në këtë aktivitet poetik që mbahet për çdo vit të datës njëzet e gjashtë të muajit mars, në gjitha qendrat kryesore të botës, e që po ashtu është organizuar edhe në Prishtinë, ku në të kanë lexuar poezi disa poet të njohur të vendit.
Koordinatorja e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë për Kosovë, Ilire Zajmi Rugova, ka deklaruar para të pranishmëve se britma e gruas është e dizajnuar të nderoj figurën e gruas dhe të përdorë poezinë që të dëgjohet zëri i saj kundër dhunës.
“Të dhënat e një studimi të fundit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për të drejtat themelore janë shokuese. Gjashtëdhjetë e dy milionë gra janë viktima të dhunës. Kurse pesë përqind e tyre kanë qenë viktima të përdhunimit. Dallimet kulturore në qëndrimet ndaj dhunës ka ndikim në mënyrën se si gratë flasin për këtë temë. Atje ku barazia gjinore është më e fortë ka më shumë përgjegjësi, ndërsa ne kemi zgjedhur poezinë për ta luftuar dhunën ndaj gruas”, ka thënë Zajmi Rugova, duke shtuar se në Kosovë pak është shkruar për gratë e cilësuara si heroina.
"Njëra ndër ato që kanë shkruar për rolin e grave heroina është Akademikja Edi Shukriu, e cila ka bërë një punë të madhe duke botuar librin “Gra të shquara shqiptare”, ku në të janë të paraqitura femra që kanë ofruar vlera të çmuara për kulturën, historinë, arsimin, shkencën dhe artin në përgjithësi. Besoj se ky libër ka ndikuar sadopak jo vetëm këtu në vend, por edhe në rajon me synim që edhe gratë shqiptare të njihen në botë për idealin e tyre”, ka pohuar koordinatorja Zajmi Rugova.
Ilire Zajmi Rugova, koordinatore Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë për Kosovë
Naser Dula në kitarë si dhe me flaut Yllka Simnica nga Shkolla e Muzikës “Vihuela”, kanë shoqëruar me tinguj muzikor gjatë tërë kohës poetët që kanë lexuar poezi për dashurinë dhe njëkohësisht vuajtjet e gruas, ndërkohë në prapavijë të poetëve ishte vendosur një video-projektor ku në të shfaqeshin portretet e grave shqiptare që kishin lënë gjurmë në disa fusha jetësore siç ishin: Marie Shllaku (veprimtare kombëtare), Katarina Josipi (aktore), Marie Kraja (këngëtare operistike), Liza Vorfi (aktore), Irena Papas, Shote Galica, Safor Marko, Tinka Kurti e shumë të tjera.
Poetja Edi Shukriu, ka qenë e para që ka lexuar poezinë e saj “Sonte zemra ime feston” të shkruar në vitin 1972, ku ka treguar më pas se si gjatë periudhës së komunizmit në Shqipërinë ishte e ndaluar vëllimi i parë i saj me poezi.
“Ende nuk i kisha 22 vjet, kur përmbledhja ime poetike u ndalua në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Ai libër u mor nga njerëzit e atij pushteti dhe u dogj në tërësi. Jo rastësisht e lexoj sot, këtë poezi në kohën kur ende duhet të dëgjohet britma jo veç ajo e gruas”, ka deklaruar poetja Shukriu.
Pas saj, me poezi në këtë aktivitet janë paraqitur edhe Qibrije Demiri Frangu, Ibrahim Kadriu, Shukrije Gashi, Arif Bozaxhe, Fahredin Shehu, Burbuqe, Rushiti, Jeton Kelmendi, Eli Krasniqi, Mirlinda Koxha dhe Vjosa Osmani Maqedonci.
Edi Shukriu, poete
Qibrije Demiri Frangu
Ibrahim Kadriu
Shukrije Gashi
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë është themeluar nga “Mujeres Poetas Internacional”. Ky festival për herë të parë nisi në Republikën Dominikane dhe mbahet çdo vit në muajin mars në shtetet të ndryshme të botës. Aty mblidhen shkrimtarë, poetë, artistë, muzikantë duke bashkuar gratë dhe burrat me qëllim që përmes arti të dëgjohet zëri i femrës./KultPlus.com
Vjosa Osmani Maqedonci
No comments:
Post a Comment