Rrjetet sociale në internet kanë shënuar një zhvillim marramendës viteve të
fundit. Prej paraqitjes së tyre në vitin 1995 ato janë shumëfishuar duke u shndërruar në hapësirat më të
vizituara të internetit.
Në thelb, rritja e këtij fenomeni ka
më tepër rëndësi cilësie e jo sasie.
Ato janë tregues i një bote materialiste në të cilën
jemi duke jetuar, dhe ambivalencës së kohës që po kalojmë. Përkundër rolit të
shtirur të neutralitetit, rrjetet sociale janë një arenë betejash.
Përmbajtja që postohet në rrjetet sociale është bioritmi me të cilën ne jetojmë: gjuha e
komunikimit, mendimet e vlerësimet tona,
shijet, çështjet që na preokupojnë.
Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre është padyshim vetë jeta jonë.
Kjo po ndodh me dy rrjetet më të popullarizuara
sociale në botë, Facebook e Twitter.
Në rrjetin social Facebook, vërehet se aktiviteti parësor
i pjesës dërrmuese të përdoruesve është
në krijimin e një tregimi multimedial të
jetës së tyre.
Jeta private bëhet jetë publike, dhe të gjitha përmbajtjet
e plasuara shndërrohen në konkurrencë joformale për gjërat vitale. Numërohet
numri i “pëlqimeve “ të marra nga miqtë virtual, numërohen komentet e postuara.
Në rrjete sociale me miliona njerëz shpenzojnë kohën e
tyre duke publikuar të dhëna të detajuara të ngjarjeve nga jeta e tyre.
Kontaket e krijuara me miqtë virtual
paraqiten si trofe të një jete intensive të fituar nga interaktiviteti, të
cilat maten jo bazuar në shkallën e cilësisë së raporteve të krijuara, por në sasinë e lidhjeve që grumbullohen.
Dhe këtu duhet kuptuar, se në realitet duke u lidhur
me të tjerët, ne vazhdojmë të flasim për vetveten. Sa më afër aq më larg jemi. Është
një formë shoqërimi që na mbyll në një
paradoks, pasi gjithë komunikimi sillet rreth një rrjeti virtual i cili
individualizon.
Fenomeni i globalizimit kështu po tret edhe jetën tonë
private, përmes rrjeteve sociale.
Ato po shfrytëzojnë jetën private të përdoruesve në
internet.
Rrjeti tjetër social Twitter, u lejon 50 milionë përdoruesve të komunikojnë përmes postimeve të shkurtëra. Twitter menaxhohet nga një ndërrmarrje private
e cila nga momenti i themelimit ka përfituar
55 milion dollarë nga fondet e investimeve. Deri kohë më parë Twitter ka
funksionuar në gjuhën angleze dhe japoneze. Ndërsa, së fundi ka parajmëruar
funksionimin në versione të gjuhëve të tjera. Kjo do të jetë fare e thjeshtë si
procedurë, pasi vetë përdoruesit do të
punojnë në përkthimin e versioneve të
reja në mënyrë vullnetare, pra do të angazhohen falas.
Sipas këtyre të dhënave, Twitter nuk ka teknologji e as infrastrukturë, pasuria e saj e vërtetë janë
përdoruesit si kapital njërezor.
Pra, kështu angazhimi
vullnetar i përdoruesve është vetë
jeta e tyre sociale. Nuk ka nevojë të kërkohen përdoruesit, ata janë në të
gjitha anët e botës, dhe vënë në dispozicion tërë kohën e tyre. Kjo pjesërisht
ndodh ngase një pjesë e madhe e përdoruesve të rrjeteve sociale, janë të papunë,
dhe komunikimin në rrjete e përjetojnë si punë me orar të plotë.
Shumica e rrjeteve sociale janë të thjeshta,
aplikacionet shumë të lehta për përdorim, qasja të pakufishme në grupe të
ndryshme shoqërore të të gjitha fushave, për të gjitha interesimet.
Kjo të bën të
kuptosh se kategoria e të qënit përdorues
të cilët navigojnë në internet e popullarizojnë rrjetet sociale, janë në
realitet prodhuesit apo krijuesit e rrjeteve,
pra nuk janë shfrytëzues të një shërbimi. Prandaj rrjetet sociale janë
një lloj bashkëprodhimi me përdoruesit, pasi pikërisht përdoruesit janë pjesë aktive,ndërsa
krijuesit e tyre janë pjesa pasive. Besoj
se pronarët e rrjetit social Twitter kur
lansuan rrjetin e tyre online, gjashtë vjet më parë kishin paraparë këtë gjë. Rrjeti u krijua që klientët e tyre të
komunikojnë mes veti, përmes të ashtuquajturve “tweets”,
komunikime në formë teksti të kufizuara deri në 140 fjalë. Ajo që
është më interesante të potencohet është se krijuesit e rrjetit s ‘kanë fare
gisht këtu, ishte inteligjenca kolektive e përdoruesve ajo solli
inovacion.
Por, në esencë çka ndodh me jetët e përdoruesve të rrjeteve sociale?
Konceptit i kuptimit të miqësisë ndërthuret në logjikën
e funksionimit të rrjetit, miqësia vihet në kalkulator dhe propozohet pa fërkime.
Paradoksalisht kjo miqësi nuk ka vlerë por vlerëson ata që e posedojnë, dhe e
demonstron si kapital simbolik.
Ky kapital vazhdimisht
gjendet pëballë problemit të
njejtë: përbën një formë të re të
ndikimit. Sepse “shoqëritë online” në botën bashkëkohore janë shndërruar në një instrument për shtrirjen e ndikimit dhe konfliktet sociale.
Shumë zhvillime të ngjarjeve në botë u kualifikuan
si “revolucion Twittter”,pasi luajtën
një rol të rëndësishëm në organizimin e protestave, përhapjen e lajmeve me
shpejtësi rrufeje, ndërkombëtarizimin e dhunës që ushtrohej në ato vende. Duke shfrytëzuar
lirinë e plasimit të informacioneve në twitter, përdoruesit e këtyre vendeve,
arritën të informojnë njerëzit në mbarë botën në kohë reale për ngjarjet që
kishin përshkuar, duke iu shmangur cenzurës së hekurt qeveritare. Ngjarjet në Iran e Siri janë dy nga rastet e
fundit të “revolucionit Twitter”.
Tani, vijmë edhe te një fakt tjetër për rrjetet
sociale. Përveç për ndikime e përfitime individuale, del që këto rrjete përdoren
shumë edhe për qëllime politike. Rrjetet sociale janë ideale për këto
veprimtari, pasi janë “territor i mbipopulluar”
për të thithur informacionet që
postohen.
Fenomeni i “fansave” apo adhuruesve është ideal për përhapjen
e ndikimeve, qoftë edhe atyre politike. Përvojat e fansave, shërbejnë për të
hapur diskutime. E një “fans” nuk është
thjesht një adhurues entuziast i dikujt apo diçkajes, ai apo ajo rrit dhe
zgjeron në mënyrë sociale botën e
fenomeneve që e rrethojnë. Një fans i
ndonjë aktori, për shembull, nuk rri vetëm duke shikuar filmat e tij në kinema
apo televizion, por ai shpërndan informacione për të në internet, u kërkon miqëve
të tij t’a pëlqejnë, duke shumëfishuar popullaritetin për idhullin e tij. Një
botë e tërë e fansave që postojnë, shpërndajnë lajme, fotografi, video për
idhujt e tyre në internet.
Pasoja më e rëndësishme e dukurisë së
globalizimit, është krijimi i një bote të cilën e ndajmë me të gjithë. Një
botë që ka futur miliona njerëz në kurthin e saj të brendshëm. Gjithçka luhet
brenda saj. Një botë që për shumëkend ka krijuar botëra të reja. Një hapësirë që
gjithkujt i jep mundësi të marrë pjesë. Me profile reale, faqe e grupime të ndryshme të vërteta apo të
trilluara. Me postime të pacensuruara. E çka është më e rëndësishmja, që
tregojnë për pavarësinë e individit për
t’u sjellur, kontribuar, e shpërndarë informacione të pakontrolluara apo
diktuara nga të tjerët.
Por sigurisht, kjo i pengon dikujt. Shumë qeveri kanë
ndaluar e censuruar rrjetet sociale, duke u munduar të kontrollojnë ndikimin
dhe përhapjen e informacioneve në botë.
Këto masa nuk kanë sjellur rezultate, përkundrazi
janë treguar kontraproduktive. Qeveri të
verbëra nuk janë të vetëdijshme se rrjetet sociale janë log betejash që i shërbejnë
emancipimit të individit, i kontribuojnë dinamizimit të ngjarjeve aktuale,
rritjes së lirisë së diskutimeve të shtruara,
por edhe i shërbejnë një radikalizmi të ri demokratik. Kështu, përdoruesit
e rrjeteve sociale, shndërrohen në një lloj të opozitës joformale për qeveritë
e tyre. Logjika e rezistencës përmes rrjeteve sociale dëshmon për zhvillimin e
“ një inteligjence kolektive” e cila
mishërohet e brymoset nga aktivitetet e veprimet tona si kapital relevant
në internet.
Ky kapital e kjo inteligjencë kolektive e grumbulluar rreth rrjeteve sociale nuk ka
transformuar vetëm jetën e njerëzve, por edhe gjithë botën brenda e jashtë
saj.
@ ilirezajmi botuar tek "Koha ditore" shtojca e kulturës
No comments:
Post a Comment