Ndryshe nga sfida e mjeshtrit De Filippo, ajo e
Ilire Zajmit dhe Filipo Landit vjen në një formë më të drejtpërdrejtë, më
brutale, më të ankthshme dhe njerëzore. Ajo është një sfidë që ndodh larg
dritave dhe prozhektorëve të skenës. Nuk ka romantizëm dhe sfida artistike të
mbushura plot pasion dhe ambicie. Sfida e tyre ndodh ndërsa jetojnë nën peshën
e plumbave që vazhdimisht prodhojnë kufoma dhe errësirës së terrorit. wshtë një
kërcim tangoje ku rolin e partnerit përballë e interpreton Vdekja. Nuk ka pista
vallëzimi, as orkestra ku luajnë muzikantë të veshur me frak dhe papion. As
spektatorë që e ndjekin këtë kërcim-sfidë plot ankth dhe adhurim. Vendi i
zhvillimit të kësaj sfide është i madh dhe quhet Ballkan. Ai nis në Kosovë dhe
përfundon po aty. Por gjatë këtij rrrugëtimi zhvendoset sa në një vend në
tjetrin, sa në një mentaliet në tjetrin, sa në një popull në një tjetër, sa në
një kancelari në tjetrën, sa në një ushtri në tjetrën, sa në tokë, e sa në det
e qiell. Është një udhëtim-kërcim i ankthshëm që të rrënqeth.
Duke njohur talentin dhe forcën e mendimt të
Ilire Zajmit, si edhe përvojën e Filippo Landit, qysh në krye isha i bindur se
nuk kisha marrë në duar një libër të mbushur me thirrje patetike atdhedashurie dhe
mëshire, apo me himne për luftëtarë të shndërruar në politikanë, të cilët me
padurim kërkojnë që t´u këndohet kënga për së gjalli. Përkundrazi, qysh në krye
ndesha me një rrëfim ngjethës për luftën e fundit që vrau dhe theu në mes
Ballkanin, e që pë hir të „bashkëekzistencës paqësore“ tash kemi nisur që ta
harrojmë ende pa dënuar kriminelët e vërtetë, si dhe duke kryer edhe manovra të
rrezikshme, siç është shtrembërimi i historisë së ndodhur. Vetvetiu para meje u
hap një dritare tjetër, ndryshe nga shumë të tjera deri më sot. U hap një hapësirë,
për të cilën ndieja nevojën për ta ndier më pranë.
Duke udhëtuar nëpër rreshtat e faqet e librit,
ndesha me atë pjesë të historisë, që ndonëse e kam pasur afër, jo edhe aq shumë
kilometra larg, nuk kam mundur që ta
njoh aq thellë. Ndaj them se „Një tren për Bllacë“ është një dritare e re, e përmbi
të gjitha një realitet i përshkruar në një vepër që të trondit. Jam i prirur që
t´i besoj këtij rrëfimi, pasi ai është kryer nga dy gazetarë dhe dëshmitarë që
e kanë ndierë barutin dhe vdekjen pranë. Janë dëshmitarë okularë që rrëfejnë përjetimet
e tyre. Ata janë vetvetja. Kush e ka parë vdekjen në sy në rrethanat e luftës
nuk mund të gënjejë duke tjetërsuar atë çka ka ndodhur. Jam i prirur t´i besoj
këtij rrëfimi, pasi gazetarët e luftës kanë një armë të fortë dhe të
pathyeshme; sinqeritetin.
Situatën në Kosovë dhe në ish-Jugosllavinë e
fundshekullit XX e kisha ndeshur jo pak herë në rrëfime të ndryshme, në artikuj
publicistikë dhe krijimtari letrare, por në këtë vepër, si rrallë, realiteti
vjen në mënyrë të drejtpërdrejtë, në formë më të prekshme, nga njerëz të cilët
rrjedha e kohës i vuri përpara jo vetëm si dëshmitarë, por edhe si protagonistë
të ngjarjeve të caktuara, me të cilat u mbush jo vetëm historia e re e Kosovës,
por edhe ajo e luftrave që çuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Është „një këngë
pikëllimi“, siç shprehet edhe vet në libër Ilire Zajmi, që kulmin e pati në
kampin e Bllacës, ku edhe këta të dy protagonistë u njohën në rrethana krejt të
pazakonta, njëra si qytetare e dëbuar prej vendit të saj, dhe tjetri si
gazetar, që prej gati një dekade ndiqte konfliktet në Ballkan, këtë tokë sa të
begatë, po aq edhe të mallkuar e të sfilitur prej luftrave dhe konflkteve. Por,
ky takim, i cili në pamje të parë mund të duket i vonuar, realisht dhe shpirtërish
kishte ndodhur shumë kohë më parë, në rrethana, ngjarje dhe imazhe të ndryshme.
Ilire Zajmi i takon aij brezi të rritur me „ëndrrat e vjetra“, siç shprehet
grupi Minatori në këngën e tij „Brezi im“, të rritur me „kërkesat për ndyshimet
në Kushtetutë, ja me paq´, ja me luftë“, e që vazhdimisht kishte dilemë për shpëtimin
e tij. Pikërisht ky brez që mbajti edhe peshën më të madhe në vitet ´90, me
guximin dhe ndjeshmërinë e tij, u bë edhe protagonisti më i sinqertë i
situatave të krijuara. Nga ana e tij Landi na e sjell këtë dramë në përmasa
shumë të mëdha, e që ishte drama e popujve që deri një hop më parë kishin
jetuar së bashku, nën t njtn hapësirë administrative, të njëjtin himn dhe të njëjtin
flamur. Bashkimi i këtyre rrëfimeve në një të vetëm na sjell një vepër të veçantë
dhe kuptimplotë.
Duke hyrë në vlerat e librit „Një tren për
Bllacë“, me bindje të plotë, duhet thënë se vlerat e tij janë të mëdha, jo vetëm
për të sotmen, por më shumë për të ardhmen, si një dëshmi therrëse për të gjithë
ata që duan të harrojnë historinë, ose përpiqen që ta fetishizojnë atë. Ndërtuar
si një autorrëfim, i gërshetuar edhe me detaje tepër intime, ky libër përshkuan
atë çka shumë njerëz jo vetëm që nuk mundur ta përjetojnë, por as edhe nuk kanë
mundur të mendojnë se ka ndodhur, pikërisht, që, në gjirin e Evropës të plakur
nga luftrat dhe tmerret, fundi i shekullit të njëzetë të shpaloste edhe njëherë
inkuzicionet, dhe masakrat e mbushura plot gjak dhe kufoma.
Të sfidosh vdekjen në jetën e përditëshme është
vlerë, por ta bësh këtë në rrethana lufte, ku nuk e di se pas zgjimit të mëngjesit,
mbrëmja, e jo më mëngjesi i ditës tjetër, mund të mos të të gjejë gjallë, është
vërtetet mbivlerë, është heroizëm.
Duhet të jesh njeri i fortë të sfidosh vdekjen
kur ajo të qëndron pranë, si një bashkëudhëtare cinike, që nuk përton të të
marrë shokun, miken, të njohurit, të afërmit, këdo që t´i dalë përpara pa iu
dridhur qerpiku. Të sfidosh vdekjen, edhe atëherë kur jeta duket si një
tollumbac i zi, vlera e të cilit është shumë e vogël, përballë jetëve të të
tjerëve, pa ekzistencën e të cilëve frymëmarrja jote nuk ka asnjë vlerë. „Një
tren për Bllacë“, është një vepër që të mbush me kurajë, duke të kujtuar se
dhimbjet e përdistshme, përballë atyre që ndesh në periudha terrori masiv e
luftërash që shndërrohen në kasaphana, nuk janë asgjë, veçse shoqëruese të rëndomta
që i japin kuptim jetës dhe karakterit të njeriut.
„Një tren për Bllacë“ të bën të mendohesh thellë.
Kjo vepër duhet të na shtyjë në refleksion të vërtetë për të djeshmen, të
sotmen dhe të ardhmen tonë.
No comments:
Post a Comment