Wednesday, November 13, 2013

Zbulimi i të keqes së përjetuar për tu pajtuar me të ardhmen


Guglielmo Minervini

Se historia e rrëfyer nga masmediat është e pjesshme dhe e përgjithësuar në të gjitha vendet, është një konstatim shumë i përhapur.Por gjithnjë e më shumë po shtohet nevoja nga po të njëjtit sajues të informacionit për t’u ikur modeleve të ngurta dhe shterpe të kronikave, duke mërguar në hapësira të tjera të lirisë jo vetëm të ndërgjegjes por edhe të arsyes.
Filippo Landi dhe Ilire Zajmi janë dy gazetarë, Filippo italian që vjen nga bota e televizionit, Ilirja gazetare shqiptare që vjen nga mediat e shkruara.
Rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë e kanë parë drejtpërdrejt me sytë e tyre. Gjithçka është përshkruar në rrëfimin në libër.Filippo e ka parë luftën duke qëndruar andej kufirit të Kosovës, Ilirja e ka parë nga brenda. Shumëkush arriti të njohë vullnetin e tyre dhe të familjarizohet me rrëfimin e tyre.
Në këto faqe, të shkruara nga katër duar, ata nuk shkruajnë kronikë lufte por rrëfejnë historinë e tyre. Kësisoj, tragjedia e Kosovës hyri në jetët e tyre, duke u bërë pjesë e zgjidhjeve individuale, raporteve dhe vlerave të tyre. Përmes rrëfimit sesi një histori e katastrofës mund të bëhet një qark i shkurtër për jetën e një individi, të një bashkësie, të një populli. Sesi mund të ndryshojë fatet, por edhe të gërshetohet me ngjarjet që pasojnë.
Në realitet, shikimet e ndodhitë e tyre, që takohen jorastësisht në pikën kufitare, transformohen në lenta narrative, deri në ndjenjën drithëruese që zhvesh deri në intimitet tmerret e kësaj lufte.
Rrëfimi i Ilires përshkruan ankthin e luftës, atë zhvendosje të ngadalshme të vetëdijes që fillon nga
një skepticizëm i largët ”lufta është një fenomen i çuditshëm, gjithnjë kujton që vdesin vetëm të tjerët” dhe zhytjen në një fatalizëm duke vazhduar me ndjenjën e pashmangshme të impotencës fataliste : ”Kush mund t’a parandalojë një luftë të dimensioneve tragjike në Kosovë? Më duket askush”.E në rrugëtimin psikologjik, që fillon nga e pabesueshmja e deri te e mundshmja, pikërisht arrihet deri te pika kur lufta bëhet e pashmangshme dhe e domosdoshme. Ritmi dinamik, parodizimi i dëlirë, dëshira e shtypur e Ilires për të kuptuar, lejojnë ndërtimin e një zinxhiri të reagimeve që shkaktojnë shpërthimin e paevitueshëm të dhunës, duke shpërfaqur me saktësi momentin kur të kuptuarit e rrugës pakthim tejkalohet si ndjenjë, dhe raporti i të pakthyeshmes copëtohet.
Në rrëfimin e Ilires shpesh përdoret metafora e dashurisë dhe e fatit. Ideja e bashkëjetesës, ndërmjet kulturave e popujve si shprehje e një marrëdhënie të dashurisë, është një figurë shumë e çmuar e paqes, apo “bashkëjetesë e diferencave”. Ideja e luftës e trajtuar si një fat dashurie që ndërpritet shkatërrueshëm, përbën politikën mbizotëruese të një etje të pafundme për dominim: “ Bashkëjetesa ndërmjet dy popujve, më duket e pamundur. Kanë shkuar shumë larg kësaj radhe. E si çdo bashkëjetesë, edhe çdo dashuri ka fatin e vet. Dhe fundin.”
Është i ndryshëm, ndërkaq, shtegtimi i Filippos. Shikimi i tij ndjek një shteg tjetër, që fillon nga
zbërthimi i një ”katastrofe humanitare” dhe vazhdon me një konstatim të pabesueshëm të “një deportimi masiv” të planifikuar në mënyrë shumë racionale. Edhe në rrëfimin e Filippos ka një përshkrim të një zinxhiri reagimesh, që zgjasin shumë në tokën e Ballkanit, që fillon nga ikja e të përndjekurve e deri te gjenocidi sistematik : ”Unë që kam vizituar Dakaun,nuk mund të besoj se pas pesëdhjetë vjetësh, në Europë, do të mund të organizohej një deportim i ri masiv”. Në këtë sekuencë, rrëfimi i Filippos mbërrin në pikën në të cilën lufta ka arritur të programojë ekzilin e një populli të tërë, për ta zhdukur edhe fizikisht ekzistencën e tij. Është ky momenti kur lufta në Kosovë zhvillohet në dy fronte, atë të teknologjisë së sofistikuar të aeroplanëve bombardues perëndimorë,”tragjedia duhet të ketë numrin e mjaftueshëm tëviktimave, para se të prekë ndërgjegjen njerëzore”.
Ky hibrid është një kaptinë e re që lufta ka ndjekur për të afirmuar sovranitetin e saj shkatërrimtar.
Vitaliteti i Ilires dhe rrëfimi autentik i Filippos përbëjnë të kundërtën e asaj që duket: “Gjithçka që thuhet e deklarohet s ‘është gjë tjetër përveçse triumf i dhunës në një territor që numëron 146 grupe etnike.” Karakteri brutal që merr lufta, gjithnjë e pamëshirshme ndaj civilëve, është fryt i dallimeve që  bashkëjetuan përgjatë tragjedive ballkanike dhe ato shprehin nevojën urgjente të një politike të paqes për të cilën bombardimet nga ajri paraqesin vetëm një hipokrizi të konfrontimit.
Një politikë që ia del të shpallë horizonte të reja të bashkëjetesës, duke u nisur pikërisht nga Europa, njëra nga modelet më pozitive të suksesit të politikës në shekullin që po e lëmë pas.
Këtu pikëpamjet dhe opinionet e Ilires jo vetëm që ndërthuren, jo vetëm që përqafohen, por përfundojnë duke u bashkuar domosdoshmërisht me pikëpamjet tona. Pra për të çliruar ata që jo vetëm lexojnë një rrëfim ankthi, jo vetëm emotiv, përfundon kështu rrëfimin në të cilin represioni i tjetrit është e vetmja mënyrë për të afirmuar të vërtetën tënde. Detyrë e një shkrimi autentik, në fund të fundit, është që të vazhdojë të zbulojë të keqen e përjetuar për t’u pajtuar me të ardhmen


No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021