Wednesday, March 13, 2013

Gratë luftojnë dhunën me letërsi


Drilon Pulaj Publikuar: 13.03.2013 - 10:18


Ato ishin ulur të gjitha në qendër të amfiteatrit të vogël në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, kur papritmas u dëgjua zëri i aktores Anisa Ismaili, e cila recitoi poezinë kushtuar gruas së parë, Evës. Poezia e saj tregonte fuqinë mbizotëruese të burrit dhe sakrificat e gruas, dhimbjet e lindjes të cilat nuk i përjeton burri. Interpretimi skenik i aktores u përcoll me pikolo nga Lule Ballata, e vetmja instrumentiste e këtij lloji ne Filarmoninë e Kosovës.
Organizatorja e manifestimit “Britma e Gruas”, shkrimtarja Ilire Zajmi, në emër të PEN Qendrës, tha se ky është një aktivitet që mbahet në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, të Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Poete. “Ky organizim ka tri vite që mbahet në shtete të tjera të botës, ndërsa në Kosovë është hera e dytë që e organizuam këtë aktivitet në kuadër të Festivalit”, ka thënë Zajmi. Ajo ndër tjerash tha se qëllimi i këtij aktiviteti ka për synim të nxjerrë në pah pikëpamjen tradicionale të grave, avancimin e zërit femëror dhe luftimin e dhunës ndaj gruas: “Festivali ka për qëllim avancimin e letërsisë femërore, fuqizimin e zërit femror në letërsi, gjithashtu edhe mënyrën e trajtimit të gruas në përgjithësi”, ka shtuar Zajmi.
Ndërsa, poeteshat, figura të njohura nga fusha të ndryshme, ndër të cilat disa anëtare të PEN Qendrës së Kosovës, lexuan poezitë e tyre me të cilin zë a “britmë” thirrnin për jetën e veprimtarinë e gruas. Femra e parë akademike në Kosovë, Edi Shukriu, para leximit të një poezie të saj, që trajtonte gjendjen sociale, tha se situatën e femrës në Kosovë e di secila femër, sepse e ndjen në lëkurën e saj, dhe që shpreson që gjërat të shkojnë në drejtim më të mirë. Pos Shukriut, Lindita Tahiri, Naime Beqiraj, Shukrije Gashi, Xheraldina Vula, Kujtim Paçaku, Blerina Rogova-Gaxha, Nerimane Kamberi, Trina Gojani, Fahredin Shehu kanë sjellë një lloj revolte ndaj gjendjes së femrës kosovare dhe lirive që posedon ajo, secili në mënyrën e tyre.
Ndryshe nga kjo, Ilire Zajmi tha se ky edicion i kushtohet aktivistes pakistaneze 15-të vjeçare, Malala Yousafzai, posteri i së cilës ishte i vendosur në prapavijën e britmave të grave poete. “Malala është një aktiviste pesëmbëdhjetë vjeçare, e cila lufton për të fituar të drejtën e saj për shkollim. Përmes peticioneve të shumta, Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Poete, ka arritur që ta nominojë aktivisten e re për çmimin Nobel për paqe”, tha Ilire Zajmi. Ndonëse aktiviteti ishte paraparë si një lloj debati për zërin e femrës në letërsi, të ftuar të diskutojnë, të pranishmit dhe pjesëmarrësit dukej se nuk kishin shumë për të debatuar për temën.

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021