Wednesday, March 13, 2013

BRITMAT E POETEVE


Nga Alfred Beka 13 Mars 2013 08:19



Poetet kosovare zhvilluan për herë të dytë aktivitetin ‘Britma e gruas’. Aktiviteti ka për qëllim avancimin e letërsisë së shkruar nga gratë dhe luftimin e dhunës ndaj tyre.

Dhuna ndaj gruas bëri që poetet ta ngrehin zërin e tyre, madje edhe të bërtasin. ‘Britma e gruas’ u emërtua aktiviteti që u organizua të martën, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Prishtinë, si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë të Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Poete.
Temë e festivalit ishte pikërisht dhuna ndaj gruas. U tha edhe se synim i festivalit është avancimi i letërsisë së shkruar nga gratë, fuqizimi i zërit femëror në letërsi dhe luftimi i dhunës ndaj gruas.
Në kumtesën e saj, shkrimtarja Lindita Tahiri theksoi se emërimi i iniciativës si ‘Britma e gruas’ kujton stereotipin klasik të personazheve femra në letërsinë kanonike, të cilat shfaqeshin ose si gra engjëllore ose si gra të marra.
“Madje, edhe vetë ideja e Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Poete nënkupton ndarjen e letërsisë mbi baza gjinore, dhe ndarjen e një aktivizmi shumë të rëndësishëm kundër dhunës – po ashtu mbi baza gjinore”, theksoi Tahiri, derisa përmendi disa nga stereotipat gjinorë dhe citoi thëniet e disa autorëve, që dëshmojnë për ekzistimin dhe për vazhdimësinë e këtyre stereotipave.
Sipas saj, pabarazia gjinore ka një pushtet kognitiv, që mbështetet në përvetësimin e automatizuar të normave të caktuara gjinore, dhe që manifestohet në veprimet dhe rutinën tonë të përditshme.
“Prandaj, praninë e zërit të femrës në letërsi më shumë e shoh si vetëdijesim sesa si britmë; e shoh si një zë që e ndryshon perspektivën e atyre që lexojnë ndaj asaj që e lexojnë; e shoh si njëlloj diskursi politik, që i kundërvihet mendësisë patriarkale dhe dogmatike”, u shpreh Tahiri, derisa shtoi se perspektivën femërore në letërsi e sheh si nxitje për një lexues aktiv i cili iu reziston formulave të gatshme, gjegjësisht, për një lexues që nuk është vetëm konsumues pasiv i ideologjive të gatshme.
Ndërkaq, poetja dhe publicistja, Naime Beqiraj, tha se pak gjëra kanë ndryshuar që nga koha kur ajo filloi të shkruajë poezi - para 30 viteve. Ajo akuzoi edhe poetët meshkuj, të cilët, sipas saj, mundohen të krijojnë autoritete të paqena letrare.
“Përsëri jemi pak poete, por ndryshe nga të të tetëdhjetat, nuk mund të rri indiferente e të mos them se kemi aq pak poetë (burra) që shkruajnë bukur. Përsëri, ka burra që përpiqen të krijojnë autoritete të paqena letrare”, theksoi Beqiraj. Ajo ndërkohë thumboi gjininë e kundërt, meqenëse, siç u shpreh, çikat e gratë që shkruajnë në juritë letrare i vendosin vetëm sa për strukturë.
Pas kumtesave të lexuara, me poezitë e tyre u paraqitën Flora Brovina, Edi Shukriu, Shukrije Gashi, Blerina Rogova–Gaxha, Fahredin Shehu, Xheraldina Vula, Kujtim Paçaku, Nerimane Kamberi dhe Trina Gojani.
Aktiviteti i dytë ‘Britma e gruas’ organizohet nën drejtimin e PEN Qendrës së Kosovës, dhe i kushtohet aktivistes pakistaneze, Malala Yousafzai.

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021