Wednesday, March 13, 2013

“Britma e gruas” për zërin e femrës në poezi

Publikuar: 13.03.2013 - 10:16
Prishtinë, 13 mars - Në Kosovë dëgjohet pak zëri i femrës në poezi. Por të hënën ai u dëgjua më shumë se zakonisht. Me qëllimin për të avancuar letërsinë, PEN Qendra e Kosovës për herë të dytë iu bashkua botës në shënimin e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë së Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Poete. Në botë ky aktivitet shënohet për herë të tretë, me më shumë se 90 aktivitete. Poetet kosovare u bënë bashkë në ambientet e Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës për të lexuar poezi dhe për t’u përgjigjur në pyetjen se sa dëgjohet zëri i femrës në letërsi.

E para që e hapi aktivitetin e titulluar “Britma e gruas” ishte poetesha Ilire Zajmi, e cila zbërtheu qëllimin e festivalit ndërkombëtar që u dedikohet grave poete.

“Festivali ka për qëllim avancimin e letërsisë femërore, ngritjen e zërit për poetet femra dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Në botë shënohet me 90 aktivitete”, ka thënë Zajmi.

“Aktiviteti i dytë në kuadër të festivalit do të mbahet në Pejë, në fund të muajit”, ka shtuar ajo.

Studiuesja Lindita Tahiri ka thënë se iniciativa “Britma e gruas” me vetë emërtimin e kujton stereotipin klasik të personazheve femra në letërsinë kanonike. Sipas saj, zëri i femrës në letërsi duhet të jetë më prezent dhe për këtë duhet vetëdijesim.

“Prandaj, praninë e zërit të femrës në letërsi më shumë e shoh si vetëdijesim sesa si britmë, e shoh si një zë që e ndryshon perspektivën e atyre që lexojnë ndaj asaj që e lexojnë, e shoh si një lloj të caktuar të diskursit politik, që i kundërvihet mendësisë patriarkale dhe dogmatike”, ka thënë Tahiri, derisa ka shtuar se perspektivën femërore në letërsi e sheh si një nxitje për lexuesit që nuk janë konsumatorë të ideologjive të gatshme.

Poetesha Naime Beqiraj ka ka thënë se sa i përket prezencës së femrës në letërsi, në 30 vjetët e fundit nuk ka pasur shumë ndryshime.

“Pak gjëra kanë ndyshuar qysh para 30 vjetësh kur nisa të botoja poezi. Përsëri pak poete jemi, por ndryshe prej viteve ‘80, nuk mund të rri indiferente e të mos them se kemi aq pak poetë (burra) që shkruajnë bukur. Përsëri, çikat e gratë që shkruajnë i vendosin sa për strukturë në juritë letrare”, ka thënë Beqiraj.

Ajo ka thënë se Kosovës tashmë i mungojnë dy poete të mira, Feime Selimi dhe Hida Halimi.

“As Hida, as Feimja, këto ikona të lirikës klithëse, nuk kanë qenë krejt vajtojce, por britmat e tyre kanë qenë femërore, origjinale, magji poetike”, ka shtuar ajo.

Në kuadër të aktivitetit “Britma e gruas”, poezi kanë lexuar Edi Shkuriu, Xheraldina Vula, Blerina Rogova - Gaxha, Kujtim Paçaku, Fahredin Shehu etj. Aktiviteti është shoqëruar edhe me pika muzikore të inerpretuara nga Lule Ballata, në pikolo.
www.koha.net
 

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021