Lucie Léanne
“Kufiri” roman poetik, përktheu nga frëngjishtja, Anila Xhekaliu, Buzuku, Prishtinë 2016
Për Milenën, personazhin kryesor të romanit
poetik “Kufiri” të autores franceze
Lucie Léanne, koha ndalon së ekzistuari një ditë nëntori, kur ajo shtrohet në
një spital për të sëmurët mendërisht.
Milena,
e cila dallon nga të sëmurët e tjerë të spitalit, ndihet e terrorizuar nga trajtimi i rëndë që iu bëhet të sëmurëve në këtë
spital. Ajo e ka të vështirë të kapërdijë dhunën e ushtruar, shkeljen e dinjitetit njerëzor, brutalitetin e infermiereve dhe sjelljen e psikiatrit të spitalit.
Duke përshkruar mënyrën e jetës në këtë spital, si të jetuarit në një “akullnajë” përmes Milenës, autorja përdor këtë metaforë duke na rrëfyer se jeta mund të jetë mizore, të vendoset në dorën e dikujt që bëhet edhe më i “çmendur” se sa vet të sëmurët që janë shtruar aty për shërim, duke fshirë nga vetja e tyre kështu çdo vlerë njerëzore e humane. Kjo sjellje pikërisht ndikon që jeta e Milenës dhe pacientëve të tjerë të shtruar në spital, të përjetohet si akullnajë antarktiku, që shkrihet nga pak përditë, që ka aq shumë ftohësi e vrer sa të ngjeth mishtë.
E përtej metaforës së akullnajës, simbolit të pakove të harruara në kohë e hapësirë, masave të paforma, viteve të kaluara nën pushtetin e ilaçeve qetësuese, është gjakimi për mungesën e lirisë.
Të çmendurit e mbyllur në këtë spital, janë të burgosur brenda mureve, që ëndërrojnë ndonjë këngë zogu, barin e mëndafshtë, fluturat e purpurta, lëndina të gjelbëruara.
Aty ndodhet kufiri i Milenës, Zherarit, Sekotinës, Karmenit e personazheve të tjera të romanit të Lucie Léanne, që janë mbyllur në spitalin e të sëmurëve mendërisht.
Përderisa kufirin imagjinar por edhe atë real, mes çmendurisë dhe arsyes e ndan një fije e padukshme, për dikë në ëndërr shndërrohet mbledhja e lajthive të fshehura në muret e spitalit, llampadarët ndriçues apo vardisje zonjave të bukura të shtruara në spital, për Milenën ëndrra ka vetëm një synim, të arratiset nga ai dreq vendi.
Milena, kjo vajzë e re e vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhet dhe pasojat afatgjate të saj, ka krijuar Itakën në kokën e saj. Prandaj, nuk resht së kërkuari mundësinë për të fituar lirinë e mohuar.
“Përtej këtyre mureve, është parku dhe përtej parkut… liria. Ishte harruar liria, e strukur që prej shumë kohe në gropën e trurit tim, larg, në fund të pavetëdijes, duke u endur korridoreve nëntokësore, e hedhur, e burgosur e substancave kimike, e pengesave mendore”( kreu i dytë fq.39).
Kjo liri, synohet të fitohet me çdo kusht, qoftë edhe me çmimin e dhimbshëm për të mos e gëzuar kurrë. Por aftësia e personazhit kryesor të romanit, dhe ndihma e ofruar nga Zherari, një i sëmurë tjetër, bëjnë që plani të ketë sukses, dhe që Milena të ndjej shijen e gjakuar të lirisë.
“Kufiri” është një rrëfim që të trondit që në faqet e para, që të zbulon sa e trishtë dhe e egër mund të jetë jeta njerëzore brenda një spitali të sëmurësh. Historia e Milenës, na mëson sa i guximshëm është njeriu që nuk pajtohet me fatin e tij, që nuk pajtohem me situatën në të cilën ndodhet qoftë ajo edhe e të qenit e shtruar në një spital të sëmurësh mendësisht, dhe çfarë betejash mund të bëjë për të thyer kufinjtë.
I
shkruar me një gjuhë të pasur poetike, romani lexohet me një frymë, dhe të fut
në filozofinë e absurdit. Aty ky qënia njerëzore objektifikohet në një diagnozë
psikiatrike “i sëmurë mendor”. Aty ku dinjiteti njerëzor mbytet me qetësues.
Gjuha
e përdorur e romanit është plot me ironi
të hollë, humor e satirë.
Shkrimtarja
Lucie Léanne ia ka arritur që ti
ofrojë lexuesit një triller psikologjik, duke trajtuar një temë krejtësisht të
veçantë, jo vetëm në letërsinë françeze.
Lucie
Léanne, është poete dhe
romanciere, autore e romanit “I çmenduri pas letërsisë “ , (Les lettres du
monde, 1999) dhe përmbledhjes me poezi,
Dromca jete (Le Manuscrit, 2001). Ky
është libri i saj i tretë.
No comments:
Post a Comment