Friday, June 02, 2017

Magjia e burrneshës së Xibrit

Fenomeni i burrneshave apo “virgjëreshave të përbetuara” është trajtuar në letërsi, është dokumentuar me fotografi, filma dokumentarë e artistik e zhanre të tjera artistike. Një traditë e hershme shqiptare që tashmë është në zhdukje, ashtu si vetë jeta në male që u jepte të drejtën grave të shpalleshin burrnesha, pasi betoheshin se nuk do të martoheshin kurrë dhe merrnin rolin e burrit. Kjo traditë qindravjeqare patriarkale, ka inspiruar edhe regjisoren shqiptare që jeton në Itali, Valbona Xibri, për të realizuar shfaqjen “Burrnesha”.

Gjela është vajza e vetme e një çifti që jeton në një fshat të thellë të veriut të Shqipërisë. Ajo kalon një jetë të qetë e rrethuar me dashuri prindërore, deri në kohën kur babai sëmurët rëndë dhe vdes. Këtu fillon trasformimi i jetës së Gjelës, e cila sapo kishte mbushur të njëzetat.

Sipas Kanunit, dy gra nuk mund të jetojnë të vetme

E gjendur papritmas në udhëkryq jetësor, ajo mundohet të gjej një zgjidhje. Vendos të martohet me Lekën, të birin e mikut me të cilin kishte punuar babai i saj në koperativë. Por me të parë Lekën, ajo ndërron mendje. Leka nuk ia mbush syrin. Ai ishte një djalë i shëmtuar e shtatvogël. Idea e martesës i shqitet nga mendja.

Atëherë, Gjela vendos të bëjë kthesën e madhe të jetës së saj. Të shndërrohet në virgjëreshë të përbetuar. Kështu ajo do mund të vazhdojë të jetojë e lirë, e të gëzojë të gjitha të drejtat që i gëzojnë vetëm burrat në fshatin e saj të thellë. Me të bërë betimin para dymbëdhjetë burrave, Gjela heq përgjithmonë rrobat e gruas e vesh ato të burrit, për tu bërë Gjergj. Gjergji, identiteti i saj i ri, e obligon të mësojë të vishet, të sillet e të punojë si burrë për të marrë të gjitha përgjegjësitë e të zotit të shtëpisë. Gjergji krijon miqësi me burrat e fshatit, të cilët e mësojnë të thith duhan e të pi raki, të këndojë këngën “Hajredin Pasha” –këngën e preferuar të të atit , të kërcejë e të loz lojëra burrash.

Bota e burrneshës së re është të kalojë kohën me burra dhe me të ëmën

Bën jetë të qetë midis atyre kreshtave të larta të veriut të Shqipërisë. Herë herë fantazmat e trazojnë trupin e saj njomak. Parafytyron trupin e saj femëror, veshjet e bukura. Këto lëkundje të çastit, Gjergjin nuk e mposhtin . Mëdyshjet e befta nuk ia zbehin sigurinë e fituar me aq mund e punë për të qenë një burrneshë e fisme.

Kënga sikur i jep kurajo dhe e ndihmon shpirtërisht të ik nga e kaluara e saj e të çlirohet nga dyshimet. Për t’ia ngulitur vetes një fakt tashmë të rrënjosur thellë në vetëdijen e saj se ai është Gjergji, është burrë, apo siç e thotë edhe vet personazhi në skënë : “Kam lindur në moshën 20 vjeç, në dhomën e babait tim, me flokë të shkurtër dhe me rrobat të errta. Mashkull.”
Kjo është historia e burrneshës së Xibrit, që solli fenomenin e vashave të maleve, që zgjedhin për të jetuar si meshkuj, në skenën e teatrit Oda në Prishtinë, në kuadër të edicionit të pestë të festivalit Femart.

Një shfaqje që përdor gjuhë të ndryshme artistike, që dëshmon se format e shprehjes teatrore nuk njohin kufinj. Një kombinim i shkëlqyer i gjuhës teatrale me video. Video –xhirime mahnitëse që të fusin në psikologjinë e personazhit kryesor. Gjergji në skenë që rrëfen historinë e tij dhe Gjergji në video, që shpalos rutinën e tij të përditshme, dhe intimitetin brenda ambientit ku jeton. Kombinimi i lojës teatrore me video është një trill fantastik, ndërsa shfaqja pasurohet edhe me muzikë folklorike shqiptare.
Një skenë e veçantë e shfaqjes është ajo e betimit të Gjelës si burrneshë. Meqenesë shfaqja është realizuar me një aktore, regjisorja ka zgjedhur të vërë në skenë 12 qeleshe burrash që simbolizojnë pleqtë e fshatit. Me tekst të dramaturges italiane Sara Giacomelli, “Burrnesha” është një shfaqje e realizuar me mjeshtri nga regjisorja shqiptare Valbona Xibri. Rolin e burrneshës e ka luajtur aktorja ukrainase, Maryna Ivashchenko. Ivashencko në shfaqje rrëfen dhe këndon në tri gjuhë, italiane, shqipe dhe ruse./KultPlus.com  http://www.kultplus.com/?id=12&o=612

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021