Monday, October 13, 2014

Shkrimtarja e studiuesja e njohur Ilire Zajmi: Gazetarinë e kam profesion, letërsia është dashuria ime

Font size: Decrease font Enlarge font
image Ilire Zajmi



Ilire Zajmi është nga shkrimtaret pioniere të fillim -viteve të demokracisë në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq! Ajo është gazetare,  shkrimtare, përkthyese e studiuese.  
Ka studiuar drejtësinë.  Magjistre e shkencave të gazetarisë e komunikimit masiv. Jeton në Prishtinë dhe  aktualisht punon në Radio Televizionin Publik të Kosovës ( RTK), gjithashtu edhe korrespondente  e Agjencisë italiane të lajmeve, ANSA .
Profesoresha e gazetarisë është autore  e  përmbledhjeve me poezi:  “Këmbanat e mëngjesit”-Prishtinë (1991), “Baladë e bardhë “ – Prishtinë (2000),  “Amnesia” në gjuhën angleze, shtëpia botuese Corpos Editora, Portugali (2011),  ‘Ëndërr e huaj”  në formatin e-book  Filozofia urbane (2013), përmbledhjen me poezi në gjuhën frënge “C’est la fin” botuar nga shtëpia botuese  l’Harmattan, Francë (2014).
Autore e romanit  “Fashitja e ëndrrave  rebele”  Prishtinë (1996),  librit publicistik bashkë me gazetarin italian Filippo Landi  “Un treno per Blace” botuar në gjuhën italiane  nga shtëpia botuese la Meridiana në Itali (1999);  “Një tren për Bllacë”, shtëpia botuese  Saga Prishtinë (2011),  librit  studimor në fushën e gazetarisë  “Pamjet televizive dhe realiteti”  shtëpia botuese Rozafa , Prishtinë (2011).  Autore e romanit “Era” botuar nga shtëpia botuese ” Bota Shqiptare” Tiranë  2014.
Ka sjellë në shqip nga gjuha italiane, së bashku me Anton Nikë Berishën, poetin italian Giuseppe Napolitano.
Shkrimtarja dhe Studiesja e njohur Ilire Zajmi është prezantuar  edhe si autore në  revista letrare  e antologji ndërkombëtare.
Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës si anglisht, frëngjisht, italisht, portugalisht, rumanisht, në gjuhët malazeze, kroate, boshnjake, etj.  
Pjesëmarrëse në festivale ndërkombëtare të poezisë. Fituese e çmimit “Ventennale” në konkursin ndërkombëtar për poezi në Milano të Italisë, 2011. Fituese e çmimit të parë për poezi  në manifestimin “Mitingu i Poezisë” edicioni i 49 në Gjakovë, maj 2013.
Anëtare e  PEN qendës së Kosovës dhe asociacionit Poetas del Mondo (Shkrimtarët e botës).
Koordinatore e festivalit ndërkombëtar “Britma e gruas” etj. 
 
Bisedoi:Raimonda MOISIU
 
-Jeni nga shkrimtaret pioniere të fillim -viteve të demokracisë në Kosovë. Kalimi  juaj i sukseshëm nga juriste në gazetare e më pas në poete e romanciere.  C’mund të na thoni si filloi karriera tuaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
 
ILIRJA: Të bëhesha shkrimtare kam ëndërruar si fëmijë. Kam botuar vjershat e para në moshë fare të njomë. Studimet në fushën e jurisprudencës  vetëm se pasuruan njohuritë e mia dhe më  ndihmuan shumë në udhëtimin që kisha nisur drejt botës së madhe të librit. Me gazetari fillova të merrem kur isha studente, mirëpo shpirtin e kisha gjithmonë te poezia.
Prandaj studimet, profesioni i gazetares dhe pasioni për të shkruar , të gjitha kanë një emër: dashurinë për letërsinë, artin, të bukurën. Është një udhëtim  i projektuar gjatë, i cili më sfidon , më jep kënaqësi, më merrë shumë energji, por edhe më përmbush shpirtërisht si asgjë tjetër.
E kam thënë gjithnjë  gazetarinë e kam profesion, letërsinë dashuri.
 
-Ju jeni poete. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj të vëllimeve me poezi ; “Këmbanat e mëngjesit”-Prishtinë (1991), “Baladë e bardhë “ – Prishtinë (2000),  “Amnesia” në gjuhën angleze, ‘Ëndërr e huaj”  në formatin e-book  Filozofia urbane (2013), përmbledhjen me poezi në gjuhën frënge “C’est la fin” botuar nga shtëpia botuese  l’Harmattan, Francë (2014), dhe bashkëautore në antologji kombëtare e ndërkombëtare. C’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
 
ILIRJA: Librat e botuara flasin me gjuhën e tyre. Secili libër i botuar në Kosovë apo jashtë është një aventurë e re letrare, përvojë në vete. Për secilin varg e secilën fjalë, duhet shumë punë, sakrificë e kohë. Letërsia është kërkuese, ashtu si fryma e ajri që thithim. Më pëlqen të mos ndalem, të jem vazhdimisht në kërkim të motiveve të reja, të  hapësirave të reja letrare..
E bindur se librin më të mirë akoma se kam shkruar, vazhdoj të punoj me përkushtim e ambicie në rrugën që kam nisur.  Sukseset vijnë më pas, e nuk mungojnë. 
 
-Cili është elementi më i rëndësishëm dhe interesant për të shkruar një libër të suksesshëm me poezi?
 
ILIRJA: Temat që trajton, gjuha që përdor, vargëzimi , stili origjinal por mbi të gjitha talenti. Pa pasur talentin, të tjerat janë kot.  
 
-Cfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të vecantë kur ju shkruani poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?
 
ILIRJA: Më inspirojnë gjërat e thjeshta të jetës, gjërat për të cilat shpesh harrojmë se ekzistojnë.  Më inspiron vazhdimisht  jeta, dashuria por edhe  vdekja.  Kur shkruaj diçka që më ngjason  e mirë, ndjehem pezull, si të jem në ajër.
 
-Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio,  në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
 
ILIRJA: Nuk kam vend të preferuar. Mbaj gjithmonë me vete laps e letër. Vendi është irrelevant. 
 
-Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
 
ILIRJA: Muza është hyjni, është  trill i perëndive. Mister.
 
-Ju keni një aftësi të pabesueshme të stilit tuaj poetik, që dëshmon gjithnjë e më shumë se jeni ndër poetet e shquara të letërsisë shqipe. Kur ju shkruani një poezi,  cila është pjesa më e vështirë; shtjellimin e elementeve  me modelet e fjalës që e përbëjnë, muzikaliteti i vargjeve, strofës,  kadenca, ruajtja e  rimës, metaforat, figurat artistike, vargjet e lira… Ku qëndron forca e inteligjencës tuaj;është ambicje sfidë apo të dyja bashkë?
 
ILIRJA: Të shkruarit është magji. Kur hedh vargjet në letër, e analizoj a i kam thënë ashtu si i kam menduar. Shpesh shkruaj në disa variante, derisa poezia merrë formën me të gjitha finesat artistike.  Ndodh që edhe atëherë të kërkoj më tepër nga vetja.
 
-Ju shkruani poezi lirika dashurie “të pastra dhe të drejtpërdrejta në të shprehur” –dhe vërtet jeni nga poetet e rralla që me vargjet tuaja shpërthyese ilustroni dashurinë njerëzore. Si ja arrini ta bëni këë?
 
ILIRJA: Dashuria është esenca e ekzistencës njerëzore. Ajo që na fisnikëron shpirtin e plotëson  jetën.  Nëse nuk do shkruaja për dashurinë, se besoj se do të shkruaja fare.
  
-Cfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar, intelektual e social?
 
ILIRJA: Realiteti që jetojmë, koha dhe rrethanat, padrejtësitë. E mira dhe e keqja që  përjetojmë  në botën tonë.  Të mos ngresh zërin kundër këtyre  dukurive, dmth. të pajtohesh me to. 
 
-Ju përvecse poete  jeni romanciere dhe publiciste. A i shihni këto zhanëre si sfidë?
 
ILIRJA: Poezia është religjioni im. Prozën e shoh si një zhanër ku jam sprovuar më pak dhe synoj të vazhdoj. Ndërsa sa i përket publicistikës, me librin e botuar në Itali “Një tren për Bllacë” kujtoj se ia kam dalur ta sfidoj veten me sukses.    
 
-Cila është sfida për të shkruar një roman? Zhanërin e romanit e “bëtë ju të vinte të ju”, apo është preferenca tuaj?
 
ILIRJA:Proza është zhanër që pak e kam lëruar deri më tani. Është preferencë imja që t’i rrekem këtij zhanri me seriozitet.
 
Kur ju shkruajtët romanin  “Fashitja e ëndrrave  rebele”(1996) dhe këtë vit romanin “Era” (2014),    vlerësuara ndjeshëm   nga kritika e kohës, dhe këto vepra  nuk janë fantazi, por është bota e brendëshme njerëzore.Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë;burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?
 
ILIRJA: Romanet që ju përmendi shtellojnë ngjarje reale, romane për “kohën e thyer” siç u vlerësua në një shkrim të botuar. Janë ngjarje e personazhe nga jeta reale. Një histori dashurie, e vendosur në një periudhë historike, në Kosovën e viteve 90’.
Historia e dashurisë mes Erës e Butrintit, personazheve kryesore është vendosur në sfondin historik të kohës që i përket. Nëpërmjet tyre dhe fatit të personazheve të tjerë, jipet një tablo e qartë e jetës politike dhe sociale në Kosovën e asaj periudhe: instalimin gjithnjë e më shumë të terrorit serb, papunësinë, pasigurinë për të ardhmen, shpërnguljet masive drejt perëndimit, dilemat e shumta mbi të ardhmen, arrestimet dhe pushimet masive nga puna, etj. Pra, çdo element i asaj periudhe,  është dhënë me vërtetësi në faqet e romanit.
Natyrisht se historia e dashurisë dhe emrat e personazheve janë të trilluara, por ngjarjet janë frymëzuar nga realiteti të cilin vetë e kam jetuar në ato vite të vështira për të gjithë.
Në librat e mi, realiteti dominon.
 
-Ju shkruani mrekullisht  e mjeshtërisht në lidhje me personazhet komplekse dhe dilemat morale të cilat përballen me të metat dhe të mirat e tyre në shkallë të ndryshme. A ka ndonjë moment paralel gjatë eksperiencës tuaj, që si rrjedhojë ka sjellë edhe këndvështrimin paralel mbi përvojën jetësore?
 
ILIRJA: Po sigurisht. Libri publicistik “Një tren për Bllacë” i botuar në Itali në vitin 2009, ndërsa në Kosovë në vitin 2011, është  libër ku rrëfej përvojën time si gazetare gjatë luftës në Kosovë. Aty e kam përshkruar Iliren si personazh, që rrëfen përvojën e saj jetësore bashkë me shumë karaktere të tjera që e përjetuan luftën në Kosovë. Të njëjtën gjë bën edhe bashkëautori i librit Filippo Landi.
 
-A keni menduar ndonjëherë për t’i shkruar skenar filmi? A do të jeni në gjendje ta  bëni atë?Dhe po qe se provoni ta bëni atë, c’mund të na tregoni për  aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Pra shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?
 
ILIRJA: Shumë  vepra të sukseshme janë xhiruar edhe si filma. Ka edhe shkrimtarë që bëjnë skenare filmash. Jam autore e disa dokumentarëve televizivë. Të jesh shkrimtare e të bësh skenarë filmash, duke  njohur edhe teknikat e punës është një mrekulli. 
 
 
-Znj.Ilire, jeni edhe përkthyese, dhe së bashku me përkthyesin Anton Nikë Berisha, keni përkthyer poetë më famë botërore, si poetin italiani, Giuseppe Napolitano, nga italishtja në shqip . Cfarë ju ka shtyrë t’i përktheni poezitë e tij? Cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në përkthimin e tyre?
 
ILIRJA: Përkthimi është art, rikrijim. Të përkthesh poezitë e Napolitanos ishte e vështirë por njëkohësisht edhe kënaqësi , të sjellësh një mik të madh të shqiptarëve në gjuhën shqipe. “Përshpëritje e hënës” është një poemë shumë e veçantë, e shkruar me pasion dhe vargëzim specific.
 
    -Teoritë e përkthimit janë trajtuar më të konsiderueshme për kohën tonë. Në arkivin tuaj krijues poetik kini disa vëllime me poezi të përkthyera në disa gjuhë të huaja. A e ka nxitur përkthimi i tyre ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin e të shkruarit?
 
ILIRJA: Më pëlqen të përkthej autorë sidomos nga letërsia italiane. Njohja e gjuhëve të huaja dhe përkthimi të hapin dritare të reja komunikimi me botën e letërsisë së atyre gjuhëve. Lexoj e përkthej në disa gjuhë dhe kjo më inspiron dhe më jep mundësi të pakufishme të përcjell kah shkojnë tendencat në letërsinë moderne, e të bëhem pjesë e pashmangshme e tyre.  
 
-Ju keni gjithashtu edhe  karrierë të admirueshme- në gazetarinë e komunikimit masiv. Aktualisht punoni në Radio Televizionin publik të Kosovës ( RTK). Si mendoni a është domosdoshmëri  ngritja e një bordi letrar apo miratimi nga kritika e kohës për botimin e një libri?
 
ILIRJA: Fakti se më shumë ka shkrimtarë se lexues, tregon se libri duhet të kalojë nëpër  disa filtra para se të botohet. Mirëpo edhe bordet letrare dhe kritika e kohës janë mekanizma të diskutueshëm, pasi dominohen nga grupe klanore, të interesit etj.
S ‘kam dyshim se gjithçfarë librash pa asnjë vlerë botohen çdo ditë, por jam e bindur se ata me vlerë  gjejnë rrugën e tyre të suksesit.      
 
-Në cdo lloj karriere –nënkuptoj karrierën tuaj në letrat shqipe dhe në botën e artit, keni pasur zhgënjime? Cilat kanë qenë uljet dhe ngritjet gjatë ushtrimit të saj?
-
ILIRJA: Jam e vetëdijshme se rruga që kam zgjedhur është e gjatë, e mundishme, me plot të papritura. Nuk është rrugë e shtruar me lule. Më e rëndësishmja është të zgjedhësh rrugën në të cilën rrallë shkohet. Ato që e përcjellin këtë rrugë kanë fare pak rëndësi.
 
-Jeni vlerësuar pozitivisht dhe admirueshëm nga kritika e kohës në Europë, Ballkan por edhe më tej në SHBA-s?  Cili është miratimi  kritik për ju në Shqipëri?
 
ILIRJA: Jam prezantuar në disa antologji në Europë, SHBA e gjetiu në botë.  Përgjithësisht veprat e mia janë pritur mirë, dhe janë vlerësuar me nota pozitive. E vlerësuar si poete moderne e guximshme e herë herë rebele.  
 
Pse shkruani? A keni disiplinë në të shkruar? E përfytyroni veten pa shkruar ndonjëherë?
 
ILIRJA:  Shkruaj sepse ekzistoj. Nuk mund ta projektoj  ekzistencën time ndryshe, veçse si dikush që ka pasion shkrimin.Kur filloj të shkruaj, di të jem e përkushtuar. Por di të jem edhe shumë rebele dhe e padisiplinuar.  Kur nuk shkruaj ndihem bosh. Më bëhet vetja e huaj dhe e largët.   
 
-Si shkrimtare, poete, esseiste, publiciste dhe juriste-  cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë` në Kosovë?
 
ILIRJA: Kombi dhe vendi im po përjeton një kohë të vështirë 15 vite pas përfundimit të luftës. Varfëria, korrupsioni, mungesa e lirisë së shtypit , moszhvillimi ekonomik , degradimi shoqëror ka pllakosur Kosovën, vendin më të izoluar në Europë, të katandisur në  mjerim politik e ekonomik.  Ky vend duhet të ndryshojë kursin e politikës, të  zgjedhë njerëz të moralshëm e të dinjitetshëm për ta udhëhqur. Të ringjallet kulturalisht. Të dal nga hiri ku është zhytur nga keqqeverisja e një klase politike që ka zaptuar shtetin. T’i kthehet respektimit të vlerave identitare , trashëgimisë e kulturës kombëtare. Të mbrojë interesat e vendit e të popullit të saj.
Kosova duhet të gjejë forcë e të shpërthejë këtë gjendje tmerri, sa nuk është bërë tepër vonë.
 
 -Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?
 
ILIRJA: Të shkruaj  një libër që do të lakmonte secili lexues t’a ketë në bibliotekën e tij. Të përkthehem në disa gjuhë në të cilat akoma s ‘jam përkthyer.
 
-Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë ashtu edhe si shoqëri njerëzore?
 
ILIRJA: Të ndryshojmë veten, të bëhemi më human ndaj tjetrit. Të falim më shumë dashuri. Si shoqëri  njerëzore të këndellemi nga letargjia që na kapluar   tash e sa kohë. Të mos bëhemi pjesë e së keqes, injorancës e pre e mashtrimeve.
 
-A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot? Ç’ mund t’u thoni kritikëve të sotëm?
 
ILIRJA: Jo. Kritika e mirëfilltë pak kultivohet. Kritikët duhet të jenë të besueshëm, profesionist në atë që thonë, të mos shkruajnë me porosi. Kritika thjesht duhet të kryejë punën e saj , pa u ndikuar. 
 
-Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme letrare dhe botuese?
 
ILIRJA: Familja ime dhe miqtë e mi  më mbështesin e më japin forcë për gjithçka.  
 
-Mesazhi për shkrimtarët e poetët e rinj….
 
ILIRJA: Shkrimtarët e rinj të guxojnë, të thyejnë stereoptipet, të sfidojnë kreativitetin për të dalur para lexuesve. Të besojnë në artin e shenjtë të fjalës dhe të punojnë shumë për të ndërtuar emrin. 
 
Faleminderit!
Intervistoi: Raimonda MOISIU
 

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021