Agim Gjakova
vështrim për librin "Një tren për Bllacë"
Pamjet dhe
mendimi
Sfidat e
bëjnë jetën të vështirë, kapërcimi i tyre e bën jetën me plotë kuptim - Anonime E fillova me këtë thënie këtë vështrim, sepse duket se duhet të bindet vetvetja se gjithçka është në vijë të mbijetesës. Ngjarjet tronditën çdo njeri me zemër që nuk kishte mundur të imagjinonte se mund të shiheshin pamje të tilla. Jo duke qëmtuar, por duke u dhënë shumëkohësi, Ilirja shtrohet me tërë qenien e saj në vorbullën e kataklizmës. Në radhë të parë, ka pamje, të cilat jo vetëm tërheqin vëmendjen, jo vetëm të shtangin, jo vetëm të prëvëlojnë, por trondisin gjithë qenien, e cila kalon nëpër to dhe këto përvijohen në mendim. Mendimi është, jo i dukshëm, por i tërthoruar nëpër përshkrime, se këta njerëz po përjetojnë atë që nuk është imagjinuar nga njeriu.
Dhe kjo ia cyt
padashur në mënyrë intuitive mendimet që vrullojnë si luzmë bletësh. Cilat janë
mendimet që përshkojnë në libër, në shkrimet tërë dinjitet, pa patos
urrejtjeje, pa zmadhime vuajtjesh personale. Intuita bën pyetjet: Përse po
ndodh gjithë kjo? A janë të gjinisë njerëzore veprimet e tilla, ku paska
mbërritur e ku dashka të shkueka njerëzimi? A është racizëm sui generis, apo
çmenduri…? A është kjo botë kaq komplekse sa unë s'po mundem t'i bie në fije?
Qysh kur ka filluar jeta në tokë, a mos paska edhe një fund? E të tjera.
Përgjigja është në libër, me një grumbull hollësish që e karakterizojnë
planetin tonë. Lexojmë e përfytyrojmë (ne që nuk kemi qenë në këtë ferr), por
kuptojmë se të gjithë ata njerëz nuk e shohin fundin e botës, por mbijetesën.
Është e natyrshme
që Ilirja as që ka menduar se duhet të krijojë, apo sajojë, mendime për
gjendjen, për zhvillimet. Ajo sheh frikën te vetja dhe te të tjerët, sheh
guximin për të mbijetuar, sheh shpresën dhe xixëllimën e perspektivës, të
fitores. Se frika është mundësi e guximit, jo provë e frikacakllëkut.
Duket sikur
Ilirja raporton. Në pamje të parë krijohet kjo përshtypje, por sapo futesh në
paragrafët e mëtejshëm atëherë gjallon ndjenja, spikat mendimi, përshkruhet
gjendja dhe perifrazohet gjithë ç'ishte më parë dhe çfarë po ndodh në mënyrë
intuitive. Këndvështrimi është i qytetarit të lirë, i brumosur me vetëdijen për
zhvillim, për rregull, për paqe, për mirësi. Nuk përshkroi me atë stil si të
ishte duke raportuar për shkatërrimet e cunamit me metoda informative, në të
cilat hyjnë vetëm ndjenjat e dhimbjes, por në Bllacë ishte gjithë ferri i kësaj
bote, ferri i krijuar prej njeriut, për të cilin bëhet pyetje: "A mund të
quhet njeri?!" Dhe ajo përveton kuptimin se njeriu i lirë nuk ka frikë t'i
shkojë deri në fund mendimit të tij.
Ndjenja dhe
parashtrimet Lotët dhe qeshjet e përbëjnë muzikën e jetës - Anonime
Nga tërë
materiali nxirret mendimi se gjithkush në botë në një kohë, apo tjetër, ka
mësuar diçka të vlefshme. E sheh popullin e saj dhe sheh edhe lotët edhe
qeshjet, sepse duhet të përshkohet ky ferr, sepse “nëse je duke ecur në këtë
ferr, duhet të vazhdosh të ecësh”. Nuk është dita e fundit. Nuk është as nata e
fundit. Dhe ne nuk ia shohim buzëqeshjen, por lotët. Buzëqeshja është në forcën
e saj për të mposhtur gjithëçka të ligë, gjithë rrezikun, për të ngritur qënien
njerëzore në piedestalin që i takon.
Përveç
përpjekjeve fizike ajo ka besimin që luan rolin themelor, një besim që
mbështetet tek integriteti i saj i brumosur në rrethana familjare e shoqërore.
Ajo vë familjen, të dashurin, shoqet përmbi veten dhe si shkëndijë dëshiron që
ata të jenë të lumtur në të ardhmen. Përfytyrojmë një vajzë me faqe trëndafili
nga vrulli e zjarrmia e brendshme e vetëdijshme se këto probleme janë për një
kohë të shkurtë. Faktori më i madh që mund t'i japë fund kësaj bote të Bllacës
është përpjekja për mbijetesë. Ajo parashtron supozime, alternativa,
mospëlqime, sheh mungesën e vullnetit, kupton edhe tejkalimin e tij,
mbarështron përparësitë që gjenden në atë grumbull njerëzish për të përfituar
nga koha dhe shpresa. Ka pak, ose as fare ushqim, por ka shpresë dhe dinjitet.
Sepse “rrethanat nuk e bëjnë personin, ato e zbulojnë këtë person”. Përkrah gjithë ndjenjave që përplasen papushim se mund të humbë familjen, të dashurin, të afërmit, shoqet, ajo e bind veten për një lojë strategjike me armikun. Duhet të luajë me oponentë shumë të fuqishëm, por edhe të dalë fitimtare. Dhe në këtë lojë nuk ka frustrime. Sepse, nëse e humbet pasurinë, nuk ke humbur asgjë, nëse ke humbur shëndetin, ke humbur diçka, por nëse ke humbur karakterin, ke humbur gjithçka. Dhe ne ndjejmë se në tërë ato rrethana prej feri ka mbetur muzika e jetës, sepse ajo është brenda njeriut dhe ne e dëgjojmë atë muzikë.
Natyra e njeriut ngërthen inisiativën. Inisiativa për të mposhtur edhe djallin. Ilirja na thotë se mungonte kanibalizmi klasik, por edhe kanibalizmi modern nuk njeh gjininë njerëzore. Këtë e parashtron Ilirja në tërësinë e librit. Por i vë pëballë mirësinë dhe u thotë njerëzve si jetohet dhe si veprohet dhe nuk lë që të kthehen në kohët e lashta të ekzistencës së tij. Ndjehet qortimi për politikën ndërkombëtare që lejoi një masakër të tillë në Kosovë, ashtu si në Bosnjë.
Bashkësia - humanizmi
Mik është
dikush i cili e di këngën e zemrës sate dhe ta këndon atëherë kur ti i ke
harruar fjalët - anonime Megjithëse gazetare e shkrimtare Ilirja nuk e pati për qëllim t'i bëjë preokupim këto shkrime. Në botën e komunikimeve nuk gjen shpesh bashkëpunim kolektiv dhe të ndërsjellë. Është rast i veçantë në publicistikën tonë ky libër dhe këto qëndrime të dy autorëve të tij. Filipo, një gazetar i karrierës, dhe Ilirja një person që shumëzon disa anë të çështjes: bashkëvuajtjen me popullin e vet, dëshirën për të kumtuar dhe paraqitur krejt çka po ndodh, qëllimin që t'ia bëjë të njohur opinionit politikën e gjenocidit të një regjimi.
Gjeturia e mbarështrimit të letrave drejtuar Ilires është një artifis që erdhi vetvetiu, u imponua nga gjendja, por krijon mundësinë e paraqitjes së disa aspekteve: dinjitetin njerëzor, ndërgjegjen e të qenit një publicist i drejtë dhe i ndërgjegjshëm, vetëdijen se edhe unë ndjej pak a shumë me këtë popull, me kolegen time, Iliren.
Njerëzit humanistë e ndjejnë se kanë një nevojë të domosdoshme që të lidhen, qoftë edhe në nivel global, njëri me tjetrin, pasi zhvillimet që ndodhën në Kosovë e në Bosnje, mund të ndodhin kudo, sidomos për Filipon, i cili është gazetar i akredituar në Lindjen e Mesme, kur përditë shohim dhunim, vrasje, përdhunime e të tjera forma të së ligës e armiqësisë njerëzore.
Qytetërimi, të
cilin e ka përvetësuar dhe e ka bërë të tijin reporteri Filipo, nuk e vë më në
paravanin e një reporteri të mirëfilltë të paanshëm. Ai harron se është i
tillë, ai bëhet një bashkëvuajtës i Ilires, një pinjoll i humanizmit botëror me
vendndodhje shpirtërore Kosovën. Nuk e ka më parasysh median për të cilën
punon, por ai përpiqet të përfytyrojë dhe të ndjejë atë që ndjejnë shqiptarët e
Bllacës dhe të gjithë të tjerët, të nënshtruar ndaj masakrimeve serbe.
Nëse e zgjodhi
gazetarinë si karrierë, qëndrimi i tij në këtë rast e kundërshton këtë
tendencë, pasi nuk kërkohen, ose më mirë ta themi, ai nuk do më të përcjellë të
dhëna informative, por të futet në gjirin e tërë vorbullës, një vorbull që po
vazhdon në Ballkan. Shpesh gazetaria është demoralizuese, pikërisht në raportet e kërkesave të trustit që drejton dhe kërkesave të publiku. Filipo nuk e përfill këtë. Kalon përtej dhe bëhet "qarës i halleve" të shqiptarëve.
Përfundimi
Lexojmë një libër ku kuptojmë se si funksionon mendja dhe ndjenjat. Nuk është një paraqitje procesuale, por një tregim rrënqethës, por edhe inkurajues. I gjithë objekti është kalimi psikologjik i zhvillimeve që fiksohen në vetëdije. Nuk ka kthim mbrapa. Ndërgjegja e ka pranuar se është e atij populli dhe ashtu do të mbetet. Dhe për këtë nuk ka nevojë të përshkruhet bindja.
Ilirja as që e ka
pasur ndërmend të bëhet popullore, të fitojë famë apo diç tjetër. Po ashtu edhe
kolegu i saj. Madje as që kanë menduar se këto shkrimet e tyre mund të
përmblidhen një ditë në një libër, i cili të arrijë vlerën e vërtetë të një
publicistike, ta themi të përkorë, dhe të mirëpritur nga të gjithë lexuesit.
Sepse, nëse ka
ndonjë gjë mbi tokë që e do dhe e adhuron njerëzimi më shumë se diçka tjetër,
atëherë ky është trimi, njeriu që guxon ta shohë djallin në sy dhe t'i thotë se
ti je djall. Në vend që të lëndohet duke kujtuar e shkruar, Ilirja bëhen pak a
shumë rebele dhe sfidon. Sfidon gjithçka të shkuar, të tashme dhe të ardhshme
që nuk është e nuk mund të jetë njerëzore. Dhe për fund po citoj një thënie të
Leland Val Vandewall: "Le të mos e kthejmë kohën mbrapa me zemrim, as në
të ardhme me frikë, por rrethepërqark me vëmendje."
No comments:
Post a Comment