Friday, October 18, 2013

Dokument mbi paragjykimet ndaj romëve

 
Edona Osmanaj Publikuar: 24.09.2013 - 08:56
I ndarë në tri etapa të evoluimit të komunitetit rom, libri “Romet, dje, sot, nesër” na jep një pasqyrë të fakteve historike mbi këtë komunitet. Autori i librave Kujtim Paçaku, emër tashmë i njohur në skenën letrare të Kosovës, duke folur për librat thotë se këta libra nuk janë bërë për romët por për joromët.
“Qëllimi i këtij libri është që të japim sa me tepër informata së pari romëve pastaj edhe joromëve në Kosovë dhe me gjerë, që edhe ata ta njohin këtë komunitet edhe më mirë, sepse paragjykimet mbrenda këtij komuniteti jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj, janë edhe më të mëdha, përfshirë ato që ky komunitet s’ka gjuhë, s’ka kulturë, s’ka tradita, prandaj libri omët, dje, sot, nesër” do të jetë si një dokument” , ka thënë Paçaku për gazetën.
Libri është një kronologji dokumentare ku në tri etapa përshkruhet debimi i romëve nga pjesa veriore e Indisë, arritja e romëve në Ballkan dhe pjesa tjetër prezentimi i fragmenteve historiografike, të marra ato nga autorë të ndryshëm: “Në këtë libër përshkruhet braktisja e Kanaugjit vendit të lindjes së romëve të pjesës veriore të Indisë deri te arritja në Ballkan në shekullin e 13-të si dhe planifikimet e romëve, pra i gjithë libri përshkohet me histori” shpjegon Paçaku.
Ideja për të shruar një libër të tillë, Pacakut i kishte ardhur pikërishtë për arsye se shumë njerëz, siç thotë ai, jo vetëm në Kosovë por edhe në vende të tjera, kanë fare pk njohuri për komunitatin romë. “Ky libër i është dedikuar më tepër joromëve për t’i larguar paragjykimet që ata kanë për romët dhe ndaj këtij komuniteti në përgjithësi. Këtu kemi vendosë edhe dokumentin e parë kur romët kanë mbërri në Ballkan, ku i hasim edhe 13 fjalitë e para të cilat i kemi gjetur ashtu si i kanë folur romët, pra e kemi edhe dokumentin e parë për gjuhën tonë dhe kjo dëshmon se ne kemi një gjuhë, një traditë dhe kështu arritëm deri të muzika rome, adetet e festat rome”.
Sofra rome
Libri i dytë i cili është me poezi, ku disa nga poetët kosovarë dhe nga rajoni mblidhen rreth “Sofrës rome” për të shkruar poezi për romët. “Është hera e parë në Kosovë që një mori shkrimtarësh joromë mblidhen në sofrën rome për të shkruar për ne. Meqenëse kam bërë shumë performanca me aktorin e njohur Enver Petrovci, duke recituar ai në gjuhën rome unë në gjuhën shqipe, më lindi ideja që të tjerët të bëjnë diçka për ne romët. Dhe i propozova profesorit një ditë, të mbidhemi rreth sofres, të tubojmë me një vend edhe poetë të tjerë, shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera. Dhe kështu brenda një dite e kam kontaktuar Halil Matoshin, Fahredin Shehun, Ilire Zajmi- Rugova, Albatros Rexhaj, Gordana Jovanoviç poete nga Serbia, Skender Muzbek poet turk dhe tre poetë romë, pra të gjithë jemi mbledhur rreth sofrës dhe kemi filluar të këndojmë, dhe kështu i gjithë libri është me poezi nga të tjerët për romët, pra nga poetët që i përmenda më lart”, shpjegon Paçaku.
Pacaku i cili së fundmi ishte në Francë në festivalin e 36-të ndërkombëtar të filmit mbi romët, i mbajtur në pjesën bregdetare të Parisit, ka thënë se ky festival ju jep hapësirë që romët të promovojnë vlerat e tyre kulturore e artistike. Gjatë këtij Festivali janë prezantuar pesëdhjetë filma në dhjetë qytete të Parisit. Paçaku ishte i vetmi pjesëmarrës nga Kosova, krahas dy ligjëratave që kishte mbajtur mbi traditën e romëve, për publikun parizien, kishte recituar në gjuhën frënge pjesë nga poezitë e tij. Kujtim Paçaku është aktor dhe poet. Ka botuar disa vepra poetike. Poezia e tij është përfishirë në disa antologji të poezisë shqipe.
Librat e botuar të cilët u promovuan javën e dytë të shtatorit 2013, në Prizren, janë projekt i organizatës jo qeveritare rome “Iniciativa6”, ndërsa realizuese është organizata “Romani Bah”, nga Prizreni.

Thursday, October 10, 2013

Letërisa e huaj në Kosovë, ende me përkthim të përkthimeve

 
 http://www.zeri.info/artikulli/16362/leterisa-e-huaj-ne-kosove-ende-me-perkthim-te-perkthimeve
Dafina Kabashi Publikuar: 02.10.2013 - 09:01
Përkthimi është ndërmjetës i dy kulturave në përgjithësi, dhe dy gjuhëve në veçanti. Ndonëse përkthimi cilësohet rikrijim, ai duhet t’i qendrojë besnik origjinalitetit të veprës së shkruar.
Cilësia e përkthimit të letërsisë së huaj, në vend që të zhvillohet, ajo ka ngecur. Gëzim Aliu, shkrimtar dhe studiues, është i mendimit se kushdo që e di një gjuhë të huaj, e provon veten si përkthyes.
“Po harrojnë që përkthimi, sidomos i letërsisë, është në njëfarë mënyrë rikrijim, kurse përkthyesi duhet të jetë, përveç erudit, edhe me shpirt artisti”, ka thënë Aliu për “Zërin”. Duke iu referuar David Bellos, njërit nga përkthyesit e Kadaresë në gjuhën angleze, Aliu është shprehur se lexuesve shpesh u shkojnë në duar përkthime që paraqesin një “qull të hollë e të pangrënshëm”.
“Vetë përkthimi si proces e cenon kryekreje origjinalin, sepse është pothuajse “rishkrim” nga një gjuhë në tjetrën. Përkthyesit e mirë ia dalin që ta bëjnë këtë “rishkrim” bukur, kurse ka raste kur përkthyes "të ngutur" nga botuesit, kapërcejnë pasazhe të tëra nga origjinali” ka thënë Aliu. Përkthimi i një vepre varet nga niveli i përkthyesit, erudicioni i tij, kultura e shkrimit, leximet që ka bërë, njohja e gjuhës së autorit që përkthen, njohja e gjuhës shqipe, që janë vetëm disa nga gjërat që duhet t’i ketë një përkthyes.
“Kryeveprat duhet të përkthehen ngadalë e jo për një kohë të shkurtër, për ta plotësuar normën dhe afatet e vëna nga botuesit. Vetëm krahasoni përkthimet e përkthyesve të mëhershëm me këta të sotit dhe shihni cilësine e të vjetërve!”, ka thënë Gëzim Aliu.
Cilësia e përkthimeve më e mirë në të 70-tat se sot
Autori Adil Olluri ka thënë se përkthimet letrare në Kosovë nuk janë në nivel të kënaqshëm, sipasi tij, në dhjetëvjetshin e fundit kjo veprimtari është zhvilluar më pak, ndryshe nga Shqipëria ku është fluks i madh i përkthimeve të letërsisë botërore.
“Në vitet e 70’ta e 80’ta në Prishtinë kishte një zhvillim të madh të aktivitetit, gjë që nuk e kishte Tirana në atë kohë”, është shprehur shkrimtari Olluri.
“Zakonisht përkthimet, sado të mira që të jenë, e cenojnë sadopak origjinalitetin e një vepre, sepse sado që të jetë përkthyer në mënyrë cilësore, vepra nuk mund të tingëllojë njëjtë, sikurse në gjuhën amtare në të cilën është shkruar”, ka thënë më tej Olluri, deri sa ka folur për afërsinë e përkthimit me origjinalin.
Shkrimtarja Ilire Zajmi shprehet se mungesa e zhvillimit të fushës së përkthimit nuk vjen nga mungesa e përkthyesve, por më tepër për shkaqe materiale. Derisa ka thënë se niveli i përkthimit mbetet i kënaqshëm.
“E para, nuk paguhen si duhet përkthyesit për punën e tyre dhe e dyta nuk ka shumë botime të veprave të përkthyera, përjashto këtu disa botues seriozë në Kosovë të cilët sjellin libra të autorëve botërorë në shqip”, thotë Zajmi. Ajo nuk përjashton mundësitë se ende bëhen përkthime nga një gjuhë e dytë dhe jo nga origjinali. “Kjo praktikë është tërësisht në dëm të veprës, pasi humbet në përmbajtje dhe shpërfytyrohet origjinali”, ka treguar Zajmi, duke shtuar se megjithatë nuk mund ruhet besmikëria maksimale ndaj origjinalit, siç thotë ajo përkthyesit e mirë duhet të dinë të ruajnë origjinalitetin e aurotin aq sa është e mundshme.
“Niveli i përkthimit të kryeveprave botërore varet nga dora e kujt është përkthyer”, ka thënë Ilire Zajmi për gazetën.
Kritiku Flamur Maloku thotë se cilësia e përkthimit nuk është aspak e mirë. Sipas tij, shumë që përkthejnë japin vetëm informacione bazë, duke qenë kështu, Maloku thotë se para lexuesve ofrojnë paqartësi dhe mjegullësi.
“Mungon njohja e gjuhës nga ana e përkthyesit, qoftë gjuha shqipe, qoftë gjuha nga e cila bën përkthimin”, ka thënë Maloku. “Më mirë të mos përkthehet një vepër, sesa të manipulohet dhe të krijohet iluzion mbi një vepër. Kemi mungesë të përkthimeve. Nuk jemi të zot në këtë fushë”, ka thënë më tej poeti Flamur Maloku.
Më mirë të mos përkthehen veprat sesa të përkthehen keq
Një nga motot që i arsyetojnë përkthimet e dobëta, e që shpesh bie në vesh është “Më mirë një përkthim i dobët, se sa të mungojë një autor i madh i letërsisë”. Por siç thonë edhe studiues e shkrimtarë, po më shumë i bën dëm letërsisë, se sa që i bën nder.
“Po e përfoli një shprehje “Më e keqe është gjysmë-dija se padituria”. Më mirë të mos përkthehen veprat sesa të përkthehen keq”, ka thënë Gëzim Aliu.
Duke iu referuar përkthimeve të dobëta, me të cilat pretendohet se pasurohet letërsia, Olluri shprehet:“Përkthimet e dobëta vetëm sa e dëmtojnë letërsinë dhe mund ta largojnë lexuesin nga ajo vepër që është përkthyer”.
Lidhur me këtë çështe Ilire Zajmi thotë se kjo ka të bëjë me kriteret që i vendosin shtëpitë botuese.
“Disa nga to në vrap për të kapur tregun nuk hezitojnë të botojnë vepra me cilësi të dyshimtë të përkthimit. Por lexuesi i mirë di të bëjë dallimin gjithsesi”, ka thënë Zajmi.

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021