Thursday, April 23, 2015

Finalizohet punëtoria me fëmijë mbi shkrimin e tregimeve


publikuar: 2015-04-22 15:02:07

Një punëtori e tillë me nxënës të shkollave fillore është organizuar edhe në veri të Mitrovicës, të cilët gjithashtu kanë shkruar tregime të shkurtra që më pastaj të gjitha tregimet e fëmijëve shqiptarë dhe serbë të botohen në një libër për Ditën e Evropës, me 9 maj.
Suzana Berisha

Në vazhdën organizimeve të shumta nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Kosovë, edhe sot vazhdoi punëtoria me nxënësit e tri shkollave fillore nga Prishtina.
Ky aktivitet i filluar dje, është përmbyllur me finalizimin e suksesshëm të punës së fëmijëve që duken të etshëm për të mësuar shkrimin e tregimeve. Ligjëruesja e fëmijëve, shkrimtarja Ilire Zajmi, ishte ajo që fëmijëve iu dha leksione se si të shkruhet një tregim i shkurtër pasi që ata sot e kishin kryer me sukses këtë detyrë.
Tregimet e finalizuara të cilave do t`ju bashkëngjitej edhe nga një vizatim në mënyrë që të ilustrohej me pikturë gjithë përmbajtja e tregimit.

Vlerë Bajrami
Vlerë Bajrami, nxënëse në shkollën fillore “Xhemajl Mustafa”, tregimin e saj e kishte titulluar “Ëndrra më preu zemrën”, ku ka paraqitur dëshirën e një vajze për tu bërë arkitekte por që dallgët e jetës ia kishin pamundësuar një gjë të tillë. Fabula vazhdon duke paraqitur forcën e vajzës për tu përballur me gjithçka që jeta i kishte servuar duke e bërë në fund vajzën triumfuese të të gjithë asaj që kishte përjetuar.
“Mua më kanë ndihmuar shumë të gjitha këshillat e shkrimtares Ilire Zajmi, pasi që deri më tani e kam pasur një derë të mbyllur të cilën kjo ma ka hapur dhe më ka inspiruar që të vazhdoj të shkruaj edhe në të ardhmen”, tregoi Vlera. Ajo gjithashtu tha se në një të ardhme ndoshta edhe do të bëhet shkrimtare.

Fabiola Shoshi
Gjithashtu edhe nxënësja Fabiola Shoshi, si rezultat i kësaj punëtorie të suksesshme kishte arritur që të shkruajë tregim simpatik. Tema që ajo kishte zgjedhur për të trajtuar në tregimin e saj ishte gjakmarrja.
“Tregimi im ka të bëjë më gjakmarrjen, një histori familjare, në të cilën bëhet fjalë për një vajzë të vogël të cilës padrejtësisht ia kishin burgosur babanë ” tregon Fabiola, duke mos zbuluar më shumë nga kreativiteti i saj në letër.

Nart Shala 
Kurse i vetmi djalë që ishte në mesin e njëmbëdhjetë vajzave, Nart Shala nga shkolla “Hasan Prishtina” tha se e gëzon shumë fakti që ka qenë pjesë e këtij organizimi pasi që ka marrë përforcime të shumta rreth të shkruarit të një tregimi.
Ai gjithashtu tha se punëtoria e organizuara nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së e ka ndihmuar atë shumë, pasi që informacionet që i kishin marrë ishin të shumta dhe të frytshme.
Një punëtori e tillë me nxënës të shkollave fillore është organizuar edhe në veri të Mitrovicës, të cilët gjithashtu kanë shkruar tregime të shkurtra që më pastaj të gjitha tregimet e fëmijëve shqiptarë dhe serbë të botohen në një libër për Ditën e Evropës, me 9 maj. / KultPlus.com 

Wednesday, April 22, 2015

Fëmijët, leximi dhe të shkruarit

Fëmijët, leximi dhe të shkruarit
Një tregim për nënën ka ngjallur debat mes fëmijëve. Idetë e tyre kanë qenë nga më të ndryshmet, derisa janë bashkuar në një pikë, se tregimi do të ishte më i mirë nëse në të do të rrëfehet një ngjarje interesante që lidhet me nënën. Të dymbëdhjetë fëmijët që janë mbledhur në një punëtori të organizuar në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së, në pasditen e së martës kanë diskutuar mbi leximin dhe të shkruarit. Punëtoria e cila do të vazhdojë edhe sot (e mërkurë) është drejtuar nga shkrimtarja Ilire Zajmi. Fëmijët do të shkruajnë nga një tregim të shkurtër, të cilët do të përmblidhen në një libër që do të publikohet në Ditën e Evropës.   
Është e pamundur që në aspektin teorik të mësojmë si të shkruhet një tregim apo një poezi e mirë, ka thënë shkrimtarja Ilire Zajmi. “Një nga ato rregullat e arta për t’u bërë shkrimtar është leximi sa më shumë i librave, pastaj nëse ju tërheq ky lloj i artit, e sprovoni veten në të shkruar”, është shprehur Zajmi, derisa u është drejtuar me dhjetë këshilla fëmijëve pjesëmarrës. Gjeni idenë, gjërat elementare (detajet, koha, hapësira veprimi), inspirimi, njohja e karaktereve (fiktiv dhe real), kohështrirja (periudha kur ndodh ngjarja), narratori, sistemimi i mendimeve, fillimi i të shkruarit, tërheqja e lexuesit dhe lejoni tregimin të rrjedhë vetë, janë këshillat të cilat Ilire Zajmi u ka sugjeruar lexuesve të vegël, që pretendojnë të bëhen shkrimtarë.
Erza Bajrami thotë se i pëlqejnë romanet historikë dhe aventurat, po kështu edhe ata libra që trajtojnë probleme sociale. “Unë e kam lexuar Sabri Hamitin, edhe Mary Pope Osborne dhe të dy shkrimtarët më pëlqejnë”, thotë ajo, derisa ka shprehur idenë se do të shkruante një tregim për nënën, veprimet dhe sakrificën e saj për fëmijët.
Fabola Shoshi thotë se do të lexonte tregimin për nënë vetëm nëse do të shkruhej për diçka të veçantë. Ajo ka treguar se libri i fundit që e ka lexuar ka qenë “Xha Gorio” i Balzak, derisa ka bërë të ditur se më shumë i pëlqejnë romanet. “Më shumë më pëlqejnë romanet psikologjike, që synoj në të ardhmen të jem një psikologe”, ka thënë Shoshi, duke shtuar se anon më shumë nga gjendja sociale dhe shpirtërore e personazheve dhe po ashtu edhe e shkrimtarëve. “Disa nga librat që më kanë bërë të anoj nga këta libra janë “Sekreti” e “Forca e ndërdijes””, shprehet ajo.
Më shumë se romanet, Vlera Bajramit i pëlqejnë poezitë. “Shkrimtarët, librat e të cilëve deri tani i kam lexuar, më së shumti më kanë bërë përshtypje Nazmi Rrahmani dhe po ashtu Naim Frashëri”, ka thënë ajo.
Nard Shala thotë se i pëlqejnë të gjitha gjinitë letrare, por ai e veçon dramën.
“Kur lexoj një libër, ndjehem mirë që mësoj gjëra të reja”, ka treguar Shala, derisa ka treguar se së fundmi e kam lexuar “14 vjeç dhëndër” të Çajupit dhe “Kështjellën” e Kadaresë. “Ka shumë libra që më pëlqejnë dhe që ndikojnë emocionalisht tek unë”, është shprehur Nard Shala, derisa ka treguar se krahas dramës i pëlqejnë edhe librat shkencorë.
Librat filozofikë i ka më për zemër Erza Hasani. “Më pëlqejnë librat e Paulo Coelho, filozofia e tyre, qysh ai e shpreh një mendim. Do t’i veçoja “Alkimistin” dhe “Aleph””, ka thënë Hasani.
Veronika Buqinca thotë se me leximin e veprave të gjithë kanë mundësi të shkruajnë mirë. Ajo tregon se ka filluar të lexoj qëkur ka qenë e vogël.
“Nga të gjitha veprat që më së shumti më ka pëlqyer ka qenë “Besa” e Sami Frashërit, e cila edhe pse ka fund tragjik, ka një përshkrim shumë të mirë të ngjarjeve”, është shprehur Buqinca, të cilës i pëlqen edhe shkrimtari francez Balzak.
“Një tjetër vepër që më pëlqen është edhe ajo “Xha Gorio” e Balzak, në të cilën autori shkruan për jetën e një njeriu të cilit i vdes gruaja dhe të dy vajzat e braktisin”, tregon ajo për “Xha Gorion”.
Një nga shkrimtarët që më së shumti i pëlqen Bleona Krasniqit është Ali Podrimja. “Për të cilin mund të them se në të ardhmen do të doja që t’i afrohem atij, të shkruaj si ai”, derisa e veçon “Lum lumi” si vepër e saj e preferuar e poetit Podrimja.
Ilire Zajmi është shprehur e bindur se pas përfundimit të punëtorisë dyditore, fëmijët do të dalin me nga një tregim të shkurtër të mirë.
Violeta Hyseni - Kelmendi, nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, ka thënë se tregimet që fëmijët do t’i shkruajnë për dy ditë do të publikohen në një libër me rastin e Ditës së Evropës. Ajo ka bërë të ditur se e njëjta punëtori do të mbahet edhe në Mitrovicën e Veriut me fëmijët serbë, ndërsa për të gjithë fëmijët pjesëmarrës do të ndahen certifikata.


Image
Image

http://ripost.net/zeri-info/14318/f-mij-t-leximi-dhe-t-shkruarit/

Hapet ekspozita më poezi të kaligrafuara (Video)

21Media

39
0
SHPËRNDAJE
Qendra Informative dhe kulturore e Bashkimit Evropian, ka hapur ekspozitën me poezi të kaligrafuara të autorëve vendor dhe ndërkombëtar. Disa nga poezitë e ekspozuara në këtë ekspozitë edhe u interpretuan nga artistët dhe poetët. Kjo ekspozitë është hapur në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Librit./21 Media/
Vjoleta Hyseni – Kelmendi, zyrtare për informim në EUICE

Ilir Zajmi, poete


Tuesday, March 31, 2015

PERSONAZH/ Një bisedë fundjave me krijuesen, Ilire Zajmi – një nga poetet më të mira kosovare


Nga Donat Maloku

Të jesh femër do të thotë shumë. Por shumë pak dinë ta vlerësojnë atë! E konsiderojnë si një qenie të dobët, që mund ta thyesh lehtë. Por, përkundër vlerësimeve të tilla, roli i femrës shqiptare në shoqërinë tonë vazhdon gjithnjë e më shumë të marrë peshë.
Gratë shqiptare tashmë nuk janë vetëm amvise, ato po e tregojnë vetën në të gjitha sferat e jetës nga arti e kultura  deri te politika. Mbi të gjitha ato mbesin një shtyllë mjaft e rëndësishme për familjen dhe mirëqenien e saj.
Megjithatë, të qenit  një grua poete është një gjë shumë sfiduese, në një shoqëri si kjo e jona e cila ende vazhdon të jetojë më paragjykime për njerëzit e suksesshëm, veçanërisht femrat.
Por, si është një ditë e zakonshme për një krijuese? Si e organizon atë? Sa gjen kohë për familjen, krijimtarinë dhe punën?
Portali ‘tesheshi, sjell rrëfimin e krijueses Ilire Zajmi, një prej poeteve më të mira kosovare. Një juriste e diplomuar, por që la këtë profesion për t`ju përkushtuar artit të bukur, letërsisë dhe gazetarisë. Sot, Zajmi është një emër i njohur dhe një veprimtare e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të grave.
 
Si nis dita për një poete?

Ilire Zajmi thotë se të jesh poete do të thotë të shohësh botën me sy të zemrës, të përjetosh çdo lindje të diellit e përkundje të hënës. Megjithëse siç ka thënë ajo letërsia s ‘ka gjini, prapë të jesh femër e poete është shumë sfiduese. “Në një shoqëri si jona, paragjykimet nuk mungojnë. Prandaj një femër poete duhet të posedojë  një karakter të fortë, të ketë forcën e talentin e mbi të gjitha guximin për të shpalosur idetë e saj në botën e letrave”, është shprehur ajo.
Si edhe të gjithë njerëzit e tjerë, edhe poetja Zajmi, ka detyrat e jetës së përditshme.  Ajo thotë secila ditë ka të veçantat dhe angazhimet e saj, edhe pse duket se ato i ngjasojnë njëra –tjetrës.
“Ditën e filloj herët, pasi duhet të shkojë në punë. Puthjet e mëngjesit të dy fëmijëve të mi, djalit Arbit e vajzës Andës, më mbushin me energji pozitive për një ditë të mbarë”, ka thënë ajo.  Më pas, asaj i duhet të  fillojë angazhimet ditore të profesionit, sic është shprehur edhe Zajmi, poetët nuk e kanë luksin të mos punojnë për rrogë, por të jetojnë me artin e tyre.
Zajmi është gazetare dhe kjo punë asaj i merr kohë dhe energji. Por ndodh që edhe gjatë ditës të shkruajë ndonjë varg, të dalë në kafene me miqtë poetë duke shkëmbyer  ide e mendime  rreth botës së letërsisë. “Pasdite, pas përfundimit të orarit të punës, marrja e fëmijëve nga shkolla. Më pas gjëra të tjera rutinë. Detyra shtëpie. Më pëlqen të lexoj e të shkruaj, kryesisht në orët e vona të natës, kur fëmijët të kenë fjetur. Atëherë merrem me gjërat e mia. Shkruaj nëse jam e inspiruar apo lexoj librat e parapëlqyer”, ka thënë ajo

Me fat që është gazetare

“Poetët nuk janë të privilegjuar të jetojnë nga arti i tyre”, rrëfen Zajmi, e cila shton se do të ishte mjaftë lehtësuese sikurse ajo të mos varej nga profesioni dhe të mund të jetonte vetëm nga letërsia.
Nga letërsia askush s’ ka arritur të bëhet i kamur, dhe ajo është shprehur të jetë më fat që është gazetare, pasi gazetaria dhe  letërsia megjithatë ndërlidhen me njëra –tjetrën. Në kuptimin pezhorativ, ka thënë ajo, gazetaria është e gjallë aktive dhe të thith shumë energji e kohë, në anën tjetër të ndihmon por edhe të pengon shpesh për t’u marrë seriozisht me krijimtari.
“Letërsia do më tepër kohë e përkushtim. Do qetësi e inspirim. Unë më duket se kam gjetur formulën e bashkëdyzimit, prandaj edhe nuk e shoh si pengesë profesionin. Sa i përket kohës, ajo gjendet gjithmonë. Është një det brenda teje, që gjen momentin për t’u trazuar. Gjithmonë mbaj laps e një “notes” të vogël shënimesh. Edhe një ide të vockël fare më pëlqen ta shkruaj, për ta zgjeruar më pas kur t`i vijë momenti”,  thotë Zajmi.

Koha për familjen

Si për çdo person tjetër, edhe për poetën Zajmi, familja ka një vend të veçantë në jetën e saj. “Sidomos fundjavat, kur nuk kam ndonjë angazhim apo ndodhem larg familjes, janë gjithmonë kohë të bukura, kur dalim, vizitojmë vende interesante, takohemi me miq e familjarë dhe kënaqemi me ato që ofron jeta’, është shprehur ajo.
Ndërsa ka thënë se familja ka qenë një nga përkrahësit më të mëdhenj të saj në botën e letërsisë, duke ia dedikuar asaj edhe suksesin dhe librat që ajo ka botuar, e cila e ka ndjekur atë në çdo aktivitet duke i dhënë forcë, energji dhe jetë për të vazhduar rrugën e saj që kërkon shumë sakrifica.

Hapat e parë drejt letërsisë

Poetesha Ilire Zajmi, edhe pse e shkolluar për jurisprudence, nuk e ka ushtruar këtë profesion. Botës së letërsisë i ka hyrë shumë herët, duke filluar të shkruajë në një moshë mjaftë të vogël. Gjë që ka bërë që edhe përkundër shkollimit ajo të mos i ndahet letërsisë.
“Nuk doja të studioja letërsinë edhe për një arsye tjetër. Planprogrameve dhe përfshirjes së literaturës për lexim. Edhe sot e kësaj dite, gratë autorë nuk mësohen në katedra të letërsisë. Ose numërohen në gishta. Kjo më pa penguar, dhe kujtoj se flet shumë për ‘kanon letrar’ ku ka mungesë flagrante të autoreve, dhe për një shoqëri  thellësisht maskiliste, ku burri dominon botën”, ka potencuar poetja, duke shtuar se më pas ka studiuar gazetarinë duke i plotësuar deri diku nevojat e saja krijuese.
Librin e parë me poezi e ka botuar shumë herët, për të vazhduar më pas me romane, libra publicistikë e studimor. Është botuar në disa gjuhë si: italiane, frënge, angleze, rumune, kroate, boshnjake etj. Librat e saj janë botuar edhe si libra elektronikë dhe mund të gjenden në platformat e reja teknologjike.
“Kjo e afron më tepër librin me lexuesin në çdo cep të botës. Natyrisht, asgjë nuk ka qenë e lehtë. Mirëpo arti është një botë magjike, që të robëron.  Një gjë duhet ditur, bota e artit është e vështirë, s ‘është e shtruar me lule. Mirëpo kush niset të trazojë këtë rrugë, duhet të jetë i talentuar, i guximshëm dhe të ketë shumë vetëbesim”, ka thënë ajo.
 
Pak biografi
Ilire Zajmi  ka lindur në Prizren, është gazetare, shkrimtare dhe studiuese.
Deri më tani : përmbledhjet me poezi “Këmbanat e mëngjesit”-Prishtinë (1991), “Baladë e bardhë “ – Prishtinë (2000), “Amnesia” në gjuhën angleze, Corpos Editora, Portugali (2011), romanin “Fashitja e ëndrrave rebele” Prishtinë (1996), librin publicistik “Un treno per Blace” botuar në Itali (Bari, 1999), “Një tren për Bllacë” Prishtinë (2011), librin studimor “Pamjet televizive dhe realiteti” Prishtinë (2011). E prezantuar në antologjitë: “Take të larta”, Prishtinë 2002 “Gjuha e dashurisë poetike” Tiranë, 2006, “Nënës” Tiranë, 2007, Leksikon i shkrimtareve shqiptare, 2010 “Altri mondi”, Bukuresht, 2008, Carcinogenic Poetry , Londër (2011), San Antonio Anthology , Teksas (2012), 50 Magical Voices Universal
Muse, Nju Jork (2012). E përkthyer në disa gjuhë të botës si anglisht, frengjisht, italisht, spanjisht, portugalisht, rumanisht, në gjuhët malazeze, kroate, boshnjake etj.
Pjesëmarrëse në disa festivale ndërkombëtare të poezisë. Në vitin 2011, fitoi çmimin Ventennale për poezi, në një konkurs ndërkombëtar në Milano të Italisë.

http://tesheshi.com/personazh-nje-bisede-fundjave-me-krijuesen-ilire-zajmi-nje-nga-poetet-me-te-mira-kosovare/

Friday, March 27, 2015

U dëgjua "Britma e gruas" për letërsinë dhe vlerat e munguara


Në Qendrën Kulturore Informative Evropiane në Prishtinë, të enjten u mbajt aktiviteti letrar “Britma e gruas”, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të artit dhe poezisë Women Poets International, me poezi dhe diskutim për letërsinë në Kosovë.
Me koordinatore shkrimtaren Ilire Zajmi, takimi nisi me leximin e një pasuesi nga libri i fundit i Ismail Kadaresë, “Mëngjeset në kafe Rostandt”, me ç’rast nxiti diskutimin lidhur me çështjen, “A ka letërsia jonë zonja të vogla?”, ashtu siç iu ishte referuar shkrimtari shqiptar.
Poeti Ndue Ukaj tha se përmes këtij cilësimi, Kadare i ka bërë një afirmim të madh letërsisë, përkundër asaj që profesoresha Çibrije Demiri tha se iu është dhënë shumë pak hapësirë grave në letërsi, prandaj dhe epiteti “gra të vogla” mund të nënkuptojë “pak”, në aspektin sasior.
“Letërsia shqipe është dashur të jetë programore për shkak të kontekstit. Për fat të keq, ne autoret e para i kemi vetëm në shekullin e 20-të, ndërsa letërsitë tjera, si ajo suedeze, fillon me një autore femër. Diskursi i vrazhdë politik, patriotik, programor për ta mobilizuar lëvizjen për çlirim, kanë qenë ato që e kanë favorizuar diskursin letrar maskulist”, ka thënë Ukaj.
Demiri në anën tjetër, komentoi mungesën e figurave kulturore dhe pranisë së librit në media dhe në kritikë intelektuale.
“Politika e ka bërë të veten, dominon në çdo media, pak sheh fytyra reale të kulturës dhe artit, sheh fytyra të estradave më shumë. Librit nuk i bëhet propagandë e duhur, nuk merret kritika me të”, tha Demiri.
Valentina Saraçini theksoi se mungesa e këtyre “zonjave të vogla” në media është pjesë e rëndësishme e problemit, me ç’rast poetja Zajmi tha se në fakt, sipas saj, mediat i kanë dhënë gjithnjë hapësirën e nevojshme grave në letërsi.
Diskutimi u zhvendos në rrafsh të kritikës feministe, kur sociologia dhe poetja Sibel Halimi shfaqi preferencën e saj për autore si Virginia Woolf, Simone De Beauvoir e Sylvia Plath dhe pakënaqësi me autorët e mëdhenj, përfshirë këtu Kadarenë.
“Edhe të qenurit e vogël, edhe të qenurit zonjë, të dyjat janë gabime të një shkrimtari të njohur që është botë maskuliniste. Kur bëhet kritika feministë mbi letërsinë shqipe që madje edhe shkrimtarët burra e kanë një faj të vetin, që gjatë gjithë kohës e kanë shenjtëruar guran duke e shndërruar në një mit të bukurës, të butësisë, një mit i cili gjatë gjithë kohës neve na ka paracaktuar të jemi të qeta, të buta, e në fakt na kanë privuar nga e drejta që të jemi të krisura, ta kemi shpirtin artistik”, tha Halimi, duke nxitur duartrokitje.
”Është luftë midis të qenit subjekt dhe të qenit nënë, vajzë, grua”, shtoi ajo.
Në anën tjetër, gazetari Shaqir Foniqi propozoi të lihen pas aspektet demografike në art dhe poezi.
“Arti nuk ka gjini dhe moshë. Unë nganjëherë e lexoj vjershën dhe më vonë e shoh kush e ka shkruar. Nuk guxojmë ne të vimë në këtë tezë dhe ta ndajmë artin në gjini dhe moshë”, tha Foniqi.
Shkrimtarja Naime Beqiri ngriti çështjen e seleksionimit negativ sa i përket ekspozimit të autorëve të shumtë nëpër media.
“Unë jam anëtare e bordit të Radiotelevizionit tonë dhe pikërisht në shtëpinë tonë televizive bëhet seleksionim negativ i librave të mira. Në mediat tona shohim autorë dhe autore që botojnë me kilogramë libra. Seleksionimi negativ që i letërsisë së femrave në mediat tona, është në shkallën më të ulët”, tha ndër tjerash Beqiri.
Në takim që për tematikë kishte “Gratë e dritës”, të pranishëm ishin edhe poetët Imer Topanica dhe Fahredin Shehu. Ky i fundit shprehu keqardhjen për mosnjohjen mediatike të nderimit të tij në një festival në Filipine, si dhe për veprat me vlera artistike të cilat kalojnë pa u njohur dhe vlerësuar.
“Kjo përkrahja që neve na mungon, është pikërisht ky ballafaqimi jonë me të vjetrën me të ndryshmen. A u pëlqyem ne apo nuk u pëlqyem si gjini, racë gjak si grup i gjakut, unë e kam plasuar një libër, ti e pranove s’e pranove, unë po ekzistoj. Nëse diçka është vlerë, unë dua ta plasoj atë vlerë”, ka thënë Shehu.
Kjo ishte hera e katërt që në Prishtinë mbahet “Britma e gruas”. Pas përfundimit të diskutimit, folësit e mëhershëm, si dhe poetët Imer Topanica, Anisa Ismajli, Have Lipa Osmanaj dhe Albina Idrizi, lexuan poezitë e tyre për të pranishmit.
Festivali me emrin origjinal “Grito de Mujer” është themeluar nga poetja Jael Uribe e Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Poete (MPI), me seli në Republikën Dominikane dhe ka për qëllim luftimin e dhunës ndaj gruas përmes poezisë e artit.http://gazetablic.com/u-degjua-britma-e-gruas-per-letersine-dhe-vlerat-e-munguara/

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021