Thursday, February 23, 2017

Era


Dhoma e punës dukej si të ishte hedhur aty një bombë atomike. Libra, fletore, lapsa, gazeta të shpërndara në dysheme. I mblodhi me kujdes dhe i vuri në vendet e tyre. U ul në kolltukun e saj të dashur, e mori librin në duar. Lexoi për një kohë, pa kuptuar gjë. Kurrsesi s‘arrinte të përqëndronte vëmendjen te faqet e librit. “Ky është studim koti, si mund të lexoj kur s’arrij të mbledh mendimet. Jam duke mashtruar veten. Përse shtirem se gjoja po studioj?!” – me këto dyshime në kokë hodhi librin në dysheme dhe shikimi iu ndal te një foto e madhe e një artisti në mur. I njëjti shikim tërheqës dhe i njëjti ten fytyre me Butrintin. Era u afrua te fotoja dhe ia nguli sytë. I dukej i pamundur përngjasimi kaq i madh fizik mes artistit e djaloshit që pa në kafene.

Por s’e kuptonte këtë vrundullisje për një djalosh të panjohur. Ndoshta ishte kureshtja që e shtynte drejt të panjohurit, tiparet e tij shprehëse, sytë e gjallë, buzët e trasha. Duke vështruar një copë herë foton e artistit, kujtoi se nuk ishte hera e parë, që dikush i kishte bërë përshtypje të veçantë. Gjithmonë Era kërkonte të bukurën, të veçantën, shpirtëroren. E pasi shuante kureshtjen me të njohur persona që i kishin lënë përshtypje, i injoronte  sepse nuk i interesonin më.

U ul instiktivisht para pasqyrës së punuar me rreth bakri. Një pasqyrë artizanale të cilën Era e adhuronte. Sytë e kaltër e të mëdhenj i falnin një bukuri të rrallë fytyrës së saj vezake. Flokët e gjatë me rica, ia mbulonin ballin e lartë. Dy vija të holla gati të padukshme ia ndanin vetullat e zeza. Një hundë e vogël kleopatre i jepte hijeshi të veçantë. Buzët të mbushura e të vijëzuara. Një ten i bardhë dëborë, me një trup mesatar, figurë elegante të bukur e të hedhur. I pëlqente të vishte pantallona e të mbante syze dielli.

Filloi të mendojë për feminilitetin e saj. E vetëdijshme për hiret e saj femërore, Era Shpati i kishte refuzuar shumë meshkuj gjer më tani. Një vajzë inteligjente dhe e shkathët, asaj i pëlqente të lozte me zemrat e tyre, por duke pasur shumë kujdes të mos digjej vetë. I shikonte si një tufë meshkujsh të pavlerë duke i injoruar gjithnjë ata që i vardiseshin. Sonte po habitej me vetveten! Po torturonte mendjen për një të panjohur, e vetëdijshme se mund të zgjidhte cilin të donte?!
 
Fragment i shkëputur nga "Era"  

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021