Dhoma e punës dukej si të
ishte hedhur aty një bombë atomike. Libra, fletore, lapsa, gazeta të shpërndara
në dysheme. I mblodhi me kujdes dhe i vuri në vendet e tyre. U ul në kolltukun
e saj të dashur, e mori librin në duar. Lexoi për një kohë, pa kuptuar gjë.
Kurrsesi s‘arrinte të përqëndronte vëmendjen te faqet e librit. “Ky është
studim koti, si mund të lexoj kur s’arrij të mbledh mendimet. Jam duke
mashtruar veten. Përse shtirem se gjoja po studioj?!” – me këto dyshime në kokë
hodhi librin në dysheme dhe shikimi iu ndal te një foto e madhe e një artisti
në mur. I njëjti shikim tërheqës dhe i njëjti ten fytyre me Butrintin. Era u
afrua te fotoja dhe ia nguli sytë. I dukej i pamundur përngjasimi kaq i madh
fizik mes artistit e djaloshit që pa në kafene.
Por s’e kuptonte këtë
vrundullisje për një djalosh të panjohur. Ndoshta ishte kureshtja që e shtynte
drejt të panjohurit, tiparet e tij shprehëse, sytë e gjallë, buzët e trasha.
Duke vështruar një copë herë foton e artistit, kujtoi se nuk ishte hera e parë,
që dikush i kishte bërë përshtypje të veçantë. Gjithmonë Era kërkonte të
bukurën, të veçantën, shpirtëroren. E pasi shuante kureshtjen me të njohur
persona që i kishin lënë përshtypje, i injoronte sepse nuk i interesonin më.
U ul instiktivisht para
pasqyrës së punuar me rreth bakri. Një pasqyrë artizanale të cilën Era e
adhuronte. Sytë e kaltër e të mëdhenj i falnin një bukuri të rrallë fytyrës së
saj vezake. Flokët e gjatë me rica, ia mbulonin ballin e lartë. Dy vija të
holla gati të padukshme ia ndanin vetullat e zeza. Një hundë e vogël kleopatre
i jepte hijeshi të veçantë. Buzët të mbushura e të vijëzuara. Një ten i bardhë
dëborë, me një trup mesatar, figurë elegante të bukur e të hedhur. I pëlqente
të vishte pantallona e të mbante syze dielli.
Filloi të mendojë për
feminilitetin e saj. E vetëdijshme për hiret e saj femërore, Era Shpati i
kishte refuzuar shumë meshkuj gjer më tani. Një vajzë inteligjente dhe e
shkathët, asaj i pëlqente të lozte me zemrat e tyre, por duke pasur shumë
kujdes të mos digjej vetë. I shikonte si një tufë meshkujsh të pavlerë duke i
injoruar gjithnjë ata që i vardiseshin. Sonte po habitej me vetveten! Po torturonte
mendjen për një të panjohur, e vetëdijshme se mund të zgjidhte cilin të donte?!
Fragment i shkëputur nga "Era"