Monday, July 22, 2013

Margaritari që do të “flasë shqip” në katër gjuhë të botës


Libri “Fjala poetike - Antologjia e poezisë shqipe në Kosovë”, që është botuar së fundi në Kosovë, botim i “Balkan Free Press dhe Jalifat Publishing”, prezanton krijimtarinë poetike në poezi të brezit të vjetër dhe të ri të poetëve të gjallë në Kosovë, të cilët tashmë kanë ndërtuar identitetin e tyre artistik jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj

“Fjala poetike - Antologji e poezisë shqipe në Kosovë” është strukturuar si një margaritar poetik, duke prezantuar me vargjet e tyre, por edhe me biografi me fotografi një numër të madh poetësh.
Në këtë libër prezantohen gjithsej 45 poetë nga Kosova, por edhe poetë kosovarë nga diaspora, duke nisur nga poeti Musa Ramadani, Agim Vinca, Ramadan Mehmeti, Sabri Hamiti, Agim H. Berisha, Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Bardh Franku, Arif Kutleshi, Ismet Aliu, Abdullah Konushevci, Sali Bashota, Hajdin Abazi, Ragip Syla, Basri Çapriqi, Halil Matoshi, Radije Hoxha-Dija, Izet Abdyli, Sarë Gjergji, Aziz Mustafa, Xhevat Latifi, Sali Beqiraj, Gjelbrim Hoxha, Lulëzim Tafa, Ilire Zajmi, Fahredin Shehu, Sevdije Rexhepi, Bujar Salihu, Shefqet Bylykbashi, Kujtim M. Shala, Ballsor Hoxha, Ndue Ukaj, Jeton Kelmendi, Donika Dabishevci, Blerina Rogova-Gaxha, Ag Apolloni, Astrit Veliqi, Avni Rudaku, Linditë Ramushi, Kreshnik Berisha, Ervina Halili, Alketa Gashi-Fazliu, Alban Nuredini dhe Ndriçim Ademaj. Botuesi i kësaj antologjie, Faton Bislimi nga “Balkan Free Press”, në fjalën hyrëse të librit thekson se pikënisje e tij dhe stafit redaktorial ka qenë që fillimisht ky libër të nxirret në shtyp në gjuhën shqipe për të vazhduar tutje me përkthimin e tij edhe në gjuhë të tjera, si anglisht, suedisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Bislimi thotë se përmes shtëpisë botuese ndërkombëtare “Balkan Free Press dhe Jalifat Publishing” me seli në Hjuston të Teksasit në SHBA, do të botohet në edicion ndërkombëtar kjo antologji në gjuhët e lartpërmendura.
Sipas tij, në ketë formë dashamirët e fjalës poetike anekënd botës do të mund të njihen nga afër me vlerat e poezisë shqipe të Kosovës, duke theksuar se pas botimit ndërkombëtar kjo antologji do të jetë në shitje nëpër botë, nga “Vancouver” në Tokio, nga “Toronto” në Hjuston në Mexico City, nga “New York” në Londër, Cyrih, Berlin dhe Paris. Kjo pra është antologjia e parë e këtij lloji dhe këtyre përmasave letrare, veçanërisht nga perspektiva e botimit ndërkombëtar. “Kjo antologji e vënë para lexuesit e prezanton krijimtarinë e përzgjedhur të disa gjeneratave poetike, të cilët frymojnë dhe numërohen ndër të gjallët deri me sot, duke u përpjekur të përfshijnë varietete vargjesh, sensibilitetesh, stilesh, llojesh e nënllojesh poetike të poezisë, si dhe duke u përpjekur t’i ofrojë një mundësi me të madhe lexuesve të kuptojnë për zhvillimin e poezisë në Kosovë, sepse autorët e vargjeve janë krejtësisht nga Kosova”, thotë në fjalën e tij hyrëse kryeredaktori i kësaj antologjie, Flamur Maloku. Sipas tij, përmes kësaj antologjie të poezisë do të njihet me mirë njeriu i Kosovës, sepse lexuesi do ta kuptojë ç‘është dashuria për të, se si ai dashuron, do ta kuptojë se ç‘është urrejtja për të , se si ai urren…etj. Në ketë antologji, këshilli redaktorial ka provuar të mbledhë me të mirën, margaritarin apo ajkën e vargjeve të këtyre poetëve të shquar në Kosovë. Lexuesi në ketë antologji mund të hasë në kode të mëdha, që prehen rehatshëm me ‘urtësinë e ligjeve universale’, sikundër mund të hasë edhe përsiatje të thella, lëkundur e puhatur mes ëndërrimeve poetike, por që pasqyrojnë sërish një fytyrë të re të ligjeve të universit, të ndërtuar me një urtësi krijuese. (A. Veliqi)

Postuar nga Lajmonline: 10:33; 05/6/2013

 http://lajmonline.com/sq/Kulture/Margaritari-qe-do-te-flase-shqip-ne-kater-gjuhe-te-botes-25563

Poeti nuk ka nevojë për përmendore


08:29 / E premte, 19 Korrik 2013


Nga: Alfred Beka

Një vit më parë, poeti Ali Podrimja u nis drejt Francës për ta përfaqësuar poezinë shqipe në festivalin ‘Zërat e Mesdheut’ në qytetin e vogël Lodeve, në jug të këtij vendi.

Kjo vizitë doli të jetë e fundit e tij, pasi që nuk u kthye më i gjallë nga atje. Podrimja shkoi atje për ta përfaqësuar Shqipërinë, ndërsa Kosovën po e përfaqësonte poetja Ilire Zajmi-Rugova.

Të dy shkuan së bashku atje, por nuk u kthyen ashtu. Një vit më pas, poetja Zajmi-Rugova kujtimet e saj tronditëse i sjell për gazetën Tribuna.

Ajo thotë se nuk e ka aspak të lehtë të kthehet mbrapa dhe të kujtojë ato momente të cilat i ka përjetuar në Festivalin e Letërsisë ‘Zërat e Mesdheut’ në Lodeve (më gjerësisht sot në gazetën Tribuna).


http://www.gazetatribuna.com/?FaqeID=5&LajmID=16040

Friday, July 19, 2013

Në vend të përkujtimit për Ali Podrimjen - Pavdekësia e poetit

Po bëhen një vit kur  poeti i Kosovës, poeti i hartës së grisur të atdheut në qytetin Lodeve të Francës, la botën e vdekatarëve të rëndomtë, për të kaluar në përjetësi.  
E quajtën poet të Panteonit letrar shqiptar, të tjerë “Ali Shën Pagëzori”, zëdhënës shpirtëror të Kosovës, poet të rangut evropian, zëri i poezisë shqipe jashtë vendit, krijues vargjesh elitare, shëmbëlltyrë poetike e etnisë, zë lirie nën qiell robërie...
Poezia e tij e përkthyer në shumë gjuhë të botës , kishte kryefjalë Atdheun e tij, Kosovën të cilën ai e njihte  më  mirë se kushdo tjetër.
I çmuar për vlerat artistike të kultivimit të poezisë bashkëkohore nga kritikë, shkrimtarë, studiues, gjithandej në vend, Evropë e botë.  Për të është shkruar e do të shkruhet në vazhdimësi.
Nuk do të shkruajnë vetëm njohësit e  veprës së tij elitare,   por do të shkruajnë edhe të njohurit e të panjohurit, shkrimtarë, kolegë, miq, edhe ata që janë rritur me poezitë e Lum Lumit.  
Një vit pas vdekjes së tij kujtoj bardin e poezisë, duke ndërmendur  udhëtimin e fundit të tij.  
Një udhëtim shumë i dëshiruar, i përfolur  me dhjeta  qindra herë në bisedat tona miqësore në bufenë e Radio Kosovës, ku shiheshim thuaje çdo ditë.
Aliu kishte qenë në Festivalin e poezisë në qytetin e Lodeve të Francës edhe dy herë të tjera. Nuk arrita kurrë t’a kuptoj përse nuk i pritej të shkonim atje.
Sikur diçka misterioze e joshte drejt Francës. Diçka e pathënë, e padeshifruar që vetëm poeti i madh mund t’a  ketë parandjerë. Njeriun e poetin që frymoi dhe u shua për Lumin.
Tërë kohën ndihej i trazuar shpirtërisht.Kujtimet e trishta për humbjen e të birit, i ishin ngjallur në këtë udhëtim të mbramë. Lumi do të diplomohej tani në Sorbon, i thoshte mendja. Po të kishte mundësi do të ndërronte edhe biletën e aeroplanit për të shkuar te Lumi. Ai në vazhdimësi sikur po gjurmonte mënyrat sesi mund të bashkohej me të birin.
Lumi ishte kryefjala e tij gjatë tërë udhëtimit për në Lodeve.  Ndihej krenar se do të përfaqësonte Shqipërinë. Krenar se do
të lexonte vargje për Kosovën, në mesin e 50 poetëve nga 24 vende të Evropës. I gëzuar se së shpejti do t’i botohej  një libër i ri në gjuhën frenge. Do të nënshkruante kontratën për librin   me botuesen e tij, më 18 korrik.  
Ali Podrimja u paraqit vetëm një herë me poezitë  e tij para artdashësve francezë te sheshi “Ura romake” në Lodeve.  
Ai nuk u takua më kurrë me adhuruesit e poezisë së tij. As me botuesen franceze. As me përkthyesin e tij Aleksandër Zoto.
As me mua, bashkëudhëtaren e tij nga Kosova.
Pas leximit të poezive të tij, Mixha u zhduk në mënyrë misterioze. Ç’ti ketë ndodhur atij? Të ketë humbur rrugën, t’a ketë rrëmbyer dikush? Të jetë vrarë?
Asnjërës nga këto pyetje nuk mund t’i jepej një përgjigje logjike. Misteri mbuloi zhdukjen e tij, e lajmi mori  dhenë. Se besoja kurrë se ai mund të mos kthehej i gjallë. As djali i tij Petriti, as nipi Genti, as dhjeta njerëz që më shkruanin e thërrisnin për të pyetur për fatin e tij. Fotografia e tij e vendosur në çdo kënd të qytetit, me jepte shpresën se dikush do ta gjente, herët a vonë. 
E shtuna e 21 korrikut, solli  lajmin më të pabesueshëm që kisha dëgjuar ndonjëherë. Ali Podrimja u gjet i vdekur , katër kilometra larg qytetit, pranë lumit të Lodeves.
Tingëllon si makth lajmi për vdekjen e njeriut, poetit. Vdekja e Mixhës me të cilin erdhëm bashkë gjashtë ditë më parë nga Prishtina për të përfaqësuar poezinë shqipe.
Poeti i madh shqiptar Ali Podrimja u gjet i vdekur në dhe të huaj, i vetëm, në një pyll të izoluar, me një tufë lule  në duar. 
Në vend të paraqitjes së tij me poezi, Festivali organizoi homazh për vdekjen e tij të mistershme.
Por as ky njoftim kobzi, nuk më bëri të  besoj vdekjen e tij, mua që më ra hise të bëja udhën e fundit me të. 
Ali Podrimja vdiq ashtu si jetoi. Poetët , ashtu si perënditë, nuk vdesin kurrë.


Rjetet sociale – Jeta private në ankand publik



Rrjetet sociale në internet kanë shënuar një zhvillim marramendës viteve të fundit. Prej paraqitjes së tyre në vitin 1995 ato janë shumëfishuar  duke u shndërruar në hapësirat më të vizituara të internetit.
Në thelb, rritja e këtij fenomeni  ka më tepër rëndësi  cilësie e jo sasie.
Ato janë tregues i një bote materialiste në të cilën jemi duke jetuar, dhe ambivalencës së kohës që po kalojmë. Përkundër rolit të shtirur të neutralitetit, rrjetet sociale janë një arenë betejash.  
Përmbajtja që postohet në rrjetet sociale  është bioritmi  me të cilën ne jetojmë: gjuha e komunikimit,  mendimet e vlerësimet tona, shijet, çështjet që na preokupojnë.  
Emëruesi i përbashkët i të  gjitha këtyre është  padyshim vetë jeta jonë.
Kjo po ndodh me dy rrjetet më të popullarizuara sociale në botë, Facebook  e Twitter. 
Në rrjetin social Facebook, vërehet se aktiviteti parësor i pjesës dërrmuese të përdoruesve  është në krijimin e një tregimi multimedial  të jetës së tyre.
Jeta private bëhet jetë publike, dhe të gjitha përmbajtjet e plasuara shndërrohen në konkurrencë joformale për gjërat vitale. Numërohet numri i “pëlqimeve “ të marra nga miqtë virtual, numërohen komentet e postuara.
Në rrjete sociale me miliona njerëz shpenzojnë kohën e tyre duke publikuar të dhëna të detajuara të ngjarjeve nga jeta e tyre. Kontaket e krijuara me miqtë virtual  paraqiten si trofe të një jete intensive të fituar nga interaktiviteti, të cilat maten jo bazuar në shkallën e cilësisë së raporteve të krijuara, por në  sasinë e lidhjeve që grumbullohen.
Dhe këtu duhet kuptuar, se në realitet duke u lidhur me të tjerët, ne vazhdojmë të flasim për vetveten. Sa më afër aq më larg jemi. Është një  formë shoqërimi që na mbyll në një paradoks, pasi gjithë komunikimi sillet rreth një rrjeti virtual i cili individualizon.
Fenomeni i globalizimit kështu po tret edhe jetën tonë private, përmes rrjeteve sociale.
Ato po shfrytëzojnë jetën private të përdoruesve në internet.
Rrjeti tjetër social Twitter, u lejon 50 milionë përdoruesve  të komunikojnë përmes  postimeve të shkurtëra.  Twitter menaxhohet nga një ndërrmarrje private e cila nga momenti i themelimit ka  përfituar 55 milion dollarë nga fondet e investimeve. Deri kohë më parë Twitter ka funksionuar në gjuhën angleze dhe japoneze. Ndërsa, së fundi ka parajmëruar funksionimin në versione të gjuhëve të tjera. Kjo do të jetë fare e thjeshtë si procedurë, pasi vetë përdoruesit  do të punojnë në përkthimin e  versioneve të reja në mënyrë vullnetare, pra do të angazhohen falas.
Sipas këtyre të dhënave, Twitter nuk ka teknologji e as infrastrukturë, pasuria e saj e vërtetë janë përdoruesit si kapital njërezor.
Pra, kështu angazhimi  vullnetar  i përdoruesve është vetë jeta e tyre sociale. Nuk ka nevojë të kërkohen përdoruesit, ata janë në të gjitha anët e botës, dhe vënë në dispozicion tërë kohën e tyre. Kjo pjesërisht ndodh ngase një pjesë e madhe e përdoruesve të rrjeteve sociale, janë të papunë, dhe komunikimin  në rrjete  e përjetojnë si punë me orar të plotë.
Shumica e rrjeteve sociale janë të thjeshta, aplikacionet shumë të lehta për përdorim, qasja të pakufishme në grupe të ndryshme shoqërore të të gjitha fushave, për të gjitha interesimet.   
Kjo të bën të kuptosh se kategoria e të qënit  përdorues të cilët navigojnë në internet e popullarizojnë rrjetet sociale, janë në realitet prodhuesit apo krijuesit e rrjeteve,  pra nuk janë shfrytëzues të një shërbimi. Prandaj rrjetet sociale janë një lloj bashkëprodhimi me përdoruesit, pasi pikërisht përdoruesit janë pjesë aktive,ndërsa  krijuesit e tyre janë pjesa pasive. Besoj se pronarët e  rrjetit social Twitter kur lansuan rrjetin e tyre online, gjashtë vjet më parë  kishin paraparë  këtë gjë. Rrjeti u krijua që klientët e tyre të komunikojnë mes veti, përmes të ashtuquajturve  “tweets”, komunikime në formë teksti të kufizuara deri në 140 fjalë.  Ajo që është më interesante të potencohet është se krijuesit e rrjetit s ‘kanë fare gisht këtu, ishte inteligjenca kolektive e përdoruesve ajo  solli  inovacion.  
Por, në esencë çka ndodh  me jetët e përdoruesve të rrjeteve sociale­­?
Konceptit i kuptimit të miqësisë ndërthuret në logjikën e funksionimit të rrjetit, miqësia vihet në kalkulator dhe propozohet pa fërkime. Paradoksalisht kjo miqësi nuk ka vlerë por vlerëson ata që e posedojnë, dhe e demonstron si kapital simbolik.  
Ky kapital vazhdimisht  gjendet pëballë  problemit të njejtë:  përbën një formë të re të ndikimit. Sepse “shoqëritë online” në botën bashkëkohore  janë shndërruar  në një instrument  për shtrirjen e ndikimit  dhe konfliktet sociale. 
Shumë zhvillime të ngjarjeve në botë u kualifikuan si   “revolucion Twittter”,pasi luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin e protestave, përhapjen e lajmeve me shpejtësi rrufeje, ndërkombëtarizimin e dhunës që ushtrohej në ato vende. Duke shfrytëzuar lirinë e plasimit të informacioneve në twitter, përdoruesit e këtyre vendeve, arritën të informojnë njerëzit në mbarë botën në kohë reale për ngjarjet që kishin përshkuar, duke iu shmangur cenzurës së hekurt qeveritare.   Ngjarjet në Iran e Siri janë dy nga rastet e fundit  të “revolucionit Twitter”.
Tani, vijmë edhe te një fakt tjetër për rrjetet sociale. Përveç për ndikime e përfitime individuale, del që këto rrjete përdoren shumë  edhe për qëllime politike.  Rrjetet sociale janë ideale për këto veprimtari, pasi janë “territor i mbipopulluar”  për  të thithur informacionet që postohen.
Fenomeni i “fansave” apo adhuruesve është ideal për përhapjen e ndikimeve, qoftë edhe atyre politike. Përvojat e fansave, shërbejnë për të hapur diskutime. E një “fans”  nuk është thjesht një adhurues  entuziast  i dikujt apo diçkajes, ai apo ajo rrit dhe zgjeron në mënyrë sociale botën  e fenomeneve që e rrethojnë.  Një fans i ndonjë aktori, për shembull, nuk rri vetëm duke shikuar filmat e tij në kinema apo televizion, por ai shpërndan informacione për të në internet, u kërkon miqëve të tij t’a pëlqejnë, duke shumëfishuar popullaritetin për idhullin e tij. Një botë e tërë e fansave që postojnë, shpërndajnë lajme, fotografi, video për idhujt e tyre në internet. 
Pasoja më e rëndësishme e dukurisë së globalizimit,  është krijimi  i një bote të cilën e ndajmë me të gjithë. Një botë që ka futur miliona njerëz në kurthin e saj të brendshëm. Gjithçka luhet brenda saj. Një botë që për shumëkend ka krijuar botëra të reja. Një hapësirë që gjithkujt i jep mundësi të marrë pjesë. Me profile reale, faqe  e grupime të ndryshme të vërteta apo të trilluara. Me postime të pacensuruara. E çka është më e rëndësishmja, që tregojnë për pavarësinë  e individit për t’u sjellur, kontribuar, e shpërndarë informacione të pakontrolluara apo diktuara nga të tjerët.  
Por sigurisht, kjo i pengon dikujt. Shumë qeveri kanë ndaluar e censuruar rrjetet sociale, duke u munduar të kontrollojnë ndikimin dhe përhapjen e informacioneve në botë.
Këto masa nuk kanë sjellur rezultate, përkundrazi janë  treguar kontraproduktive. Qeveri të verbëra nuk janë të vetëdijshme se rrjetet sociale janë log betejash që i shërbejnë emancipimit të individit, i kontribuojnë dinamizimit të ngjarjeve aktuale, rritjes së lirisë së diskutimeve të shtruara,  por edhe i shërbejnë një radikalizmi të ri demokratik. Kështu, përdoruesit e rrjeteve sociale, shndërrohen në një lloj të opozitës joformale për qeveritë e tyre. Logjika e rezistencës përmes rrjeteve sociale dëshmon për zhvillimin e “ një inteligjence kolektive”  e cila mishërohet e brymoset nga aktivitetet e veprimet tona si kapital relevant në  internet.
Ky kapital e kjo inteligjencë kolektive  e grumbulluar rreth rrjeteve sociale nuk ka transformuar vetëm jetën e njerëzve, por edhe gjithë botën brenda e jashtë saj.  

@ ilirezajmi botuar tek "Koha ditore" shtojca e kulturës


Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021