Monday, September 24, 2018

Shtëpia e fëmijërisë



Ligështohem te gërmadhat e një rrënoje   
mbuluar me bar të egër shkurre e hithra
zëri i ëmbël i gjyshes kumbon në kopshtin erëmirë   
gjyshi hijeshi e rrallë prej burri të fismë plisbardh  
dremit në karrigen e tij të preferuar
në atë që dikur quhej shtëpi

Merimangat kanë qëndisur rrjeta të panumërta
mbi hijen e kujtimeve të vagullta të të gjallëve për të vdekurit
që u fikën  në të mbramen strehë  
 në vendin që dikur e njihja si shtëpi
s ‘ndihet dashnia e nanës as era e babës
aroma e bukës së pjekur në furrë
zërat e gëzuar të fëmijëve trazovaq 

Gjurmët e vegjëlisë ngjasojnë të lashta sa origjina e yjeve
zëri i gjyshes si të ishte mbytur në varrezat e faraonëve
plisi i gjyshit mustaqebardhë objekt muzeal
nëna e babai në albume fotografish të ri e të lumtur
aktor si në telenovelat braziliane
fëmijët duke krijuar tregimet e tyre për jetën
e shtëpia e fëmijërisë si ishulli Kurrkund i Piter Panit
përherë e njejta përherë e gjallë në kujtesë   
e në legjendat urbane që i besojnë  akoma fëmijët e mi. 














https://dritarjaonline.net/ilire-zajmi-shtepia-e-femijerise/

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021