Rezart Palluqi
Sipas mendimit tim, libri “Valsi i mesnatës” i autores Ilire Zajmi, do të kënaq shijet e të gjithë atyre poezidashësve, që e lexojnë atë JO për t’u argëtuar me lojën e fjalëve, zbërthimin e simboleve apo kodeve të fshehta. Ky libër do të kënaq ata dashnorë të poezisë që në të kërkojnë ushqim shpirteror, gjuhë të kthjellët dhe që i kundërvihet me guxim çdolloj tabuje që ua kufizon jetën. Ky libër është për të gjitha moshat.
Nëse një lexuesi i bie në dorë një libër, si në këtë rast me poezi, dhe gjatë leximit nuk arrin ta kuptoje gjininë e autorit, atëherë, ai libër për mua e ka arritur qëllimin e tij madhor: mosrënien në kurthin gjinor. E them këtë, sepse në hapësirën shqiptare më ndodh shpesh ta kuptoj menjëherë gjininë e autorit, ku ndjej dhunshëm frymën mashkullore ose feministe.
Për fat të mirë, kjo nuk më ndodhi teksa po lexoja librin më tëri të poetes dhe prozatores, Ilire Zajmi, “Valsi i mesnatës”, botuar prej shtëpisë së mirënjohur botuese, “Buzuku”.
Mirëpo kjo nuk e pengon autoren t’i kundërvihet me dinjitet paragjykimeve të burrave, që gratë shpesh i njëjtësojnë me Helenën e Trojës. Këtë e ndeshim në poezinë,“Helen e panjohur”. Aty autorja thotë me fjalë të tjera, se një grua e ndershme dhe dinjitoze nuk e lejon bukurinëe saj të bëhet mollësherri e burrave të pushtetshëm.
Jam një Helenë e panjohur
Mungesën time s’e vëren askush
Asnjë burrë s’u vra për bukurinë time
E s’e mati fuqinë në dyluftim
Poetja hidhet pothuajse në të gjitha rolet, duke i dhënë poezisë së saj shumë zëra: herë qortuese/urdhëruese, herë vetmohuese, ( anti-hero), herë frymëzimdhënëse, herë shpresëhuazuese, herë filozofike dhe destruktive.
Nocionin filozofik ajo e shpreh mjaft fuqishëm në vargjet e mëposhtme:
Dëshirat janë zogj shtegtarë të trembur
Nga vende të panjohura vijnë.
Në vende të panjohurashkojnë.
Ose kur atë e ngjiz me harresën, këtë tirane të pavdekshme.
Poetja është e vetdijshme rreth dramave që ka sjellë kujtesa e dobët e njerëzimit, aq më tepër ajo shqiptare, ku krimi avullon më shpejt sesa shkuma e birrës.
Harresa është helmi i të gjallëve.
Psalm i të vdekurve.
Pamjaftueshmërinë e kohës, poetja e shpreh si më poshtë aq bukur,
Mos më sill as lule as libra
Në do të më dhurosh diçka më dhuro pak kohë
Kohën këtu autorja e vë mbi artin, çka i jep vargut të saj ngjyresa Niçeane. Nëse njeriu do të jetonte të paktën 500 vjet, ndoshta atëherë ai do të mësonte prej gabimeve të tij, qëi ka përsëritur me qindra herë. Mbase atëherë, arti do të ndikonte më fuqishëm në veprimet , sjelljen dhe vendimet e tij. Ndaj, edhe poetja, e shpall këtu “kohën e bollshme”, si shëruesen e plagëve shekullore që e lëngojnë njeriun duke e mbajtur të gozhduar në shtyllën e fatalitetit të pacak.
Dashurinë, poetja e gdhend mjeshtërisht, në poezinë “Një mëngjes”, ku ajo qorton të gjithë ata që dashurinë e kërkojnë jashtë vetes së tyre. Dashurinë, poetja thotë e kemi brenda nesh, ndaj dhe është marrëzi ta gjurmosh atë me llojlloj mjetesh, sa romantike aq edhe luksoze.
Në dashuri nuk ka hierarki, dhe këtë poetja Zajmi e shpalos në poezinë “Vjen një ditë”
Atëherë vetëm atëherë do ta kuptosh
Se ti nuk ishe kurrë mbret e unë kurtizanë.
Në një poezi tjetër ajo i qorton burrat që të mos ëndërrojnë për gruan e përkryer, ashtu siç e bën kur i qorton femrat që të mos ëndrrojnë për princin e tyre mbi kalin e bardhë.
Zajmi, jo më kot përmend heraherës vargje të poeteve të famshme, si Ana Ahmatova, Emily Dickinson, Sylvia Plath, Erica Jong.
Zajmi është e vetëdijshme se arti, duke përfshirë edhe atë letrar shqiptar,vazhdon të dominohet prej burrave. Ajo do që ta thyejkëtë tabu, jo duke i urryer burrat dhe shndërruar ata në gogol, por duke i bërë thirrje vetvetes dhe femrës që të jetë vetvetja dhe reflektojë pjekuri të thellë, intelektualizëm, pa i shpëtuar butësia magjike femërore/mëmësore.
Ja disa vargje ku ajo e shpreh ketë mjaft kthjellet.
Të të them se dashuria do të trokasë në portën tënde
Të të bëjë të ndihesh grua besomi peshës së fjalës
Fatin tënd vetëm ti e shkruan!
Zajmi e zgjeron gjeografinë e saj tematike, duke cekur temat mjaft delikate, si ato fetare. Ajo nuk shtiret por demonstron panevojshmërinë e dhjetëra profetëve dhe sistemeve të ndërlikuara fetare.
Zoti është njëri nga ne
I maskuar me parukë syze dielli
Shëtit në të njëjtat rrugë e bulevarde
Vesh minifund e blu xhins të grisur
Zoti (a) i flet të gjitha gjuhët e botës
Pa përkthyes pa telefon të mençur e wifi
Por ajo nuk rrëshqet në blasfemi, sepse Zotin ajo e kërkon, kuptohet, sipas mënyrës së saj.
Zoti më do
Frymoj në një fije bari të përmbytur nga një rrëke shiu
Përkëdhel flokët mëndafsh të artë të diellit
Puth buzëmjaltë kaltërsinë e virgjër të qiellit
Ledhatoj epshkallur gjinjtë lakmitar të hënës
Dashuri me thjerrëza nuk dua
Verbëria ime kërkon sy.
Më tutje ajo zbret një shkallë më poshtë Zotit , duke kaluar tek idhujt dhe treguar sesa të dëmshëm ata janë për shoqëritë.
Idhujt
Me emrat tuaj njerëzia mëkatet lan
Velin e dekadencës mbulon
Zajmi nuk ka kohë të merret me “artin për art”, ose artin egoist, siç e quaj unë, që thotë: njerëzimi le të shkojë në djall, rëndësi ka qëunëtë mbyllem në manastirin tim, dhe kënaq egon time letrare. Ndaj, në këtë aspekt, ajo vazhdon traditën poetike të rilindasve tanë.Zajmi e ndjen thellë në palcë kalbëzimin total moral të shoqërisë shqiptare e më gjerë. Këtë shqetësimin ajo e shpreh nëçdo varg apo gërmë.Kolera e kafepirjes shqiptare. Thashethemet dhe dembelia qëna kllapos brenda hapësirës shqiptare. Përdhosja e idealeve të lirisë, si në rastin e para dhe mbasçlirimit të Kosovës.
Vargu i saj është dinamik, ulëritës. Poetja nuk i ngjesh vargjete poezive të saj me kode të fshehura,fenomene mistike apo simbolike. Mesazhi aty,loz rol parësor. Ajo zgjedh për përmbajtjen dhe jo amballazhin. Ajo nuk rimon. Vargu i saj është i lirë. Forma përcaktohet prej tematikës ose poezisë dhe gjendjes emocionale. Stili i saj luhatet midis modernes dhe arkaikes. Arkaikja shfaqet në poezinë ku autorja i lutet të birit të mos e harrojë tokën e etërve të saj, stërgjyshërve të tij.
Jam i sigurt se edhe lexuesi nuk do të dëshironte që unë ta zbërthej të gjithë librin në këtë recensë. Sidoqoftë sipas mendimit tim, libri “Valsi i mesnatës” i autores Ilire Zajmi, do të kenaqë shijet e të gjithë atyre poezidashesve, që e lexojnë atë JO për t’u argëtuar me lojën e fjalëve, zbërthimin e simboleve apo kodeve të fshehta. Ky libër është për të gjitha moshat.
Poezitë e saj, sa vetëmohuese aq edhe moralizuese, bëhen edhe më të besueshme, ngaqë Iliren e kam takuar dy herë personalisht. Krijova përshtypjen e një gruaje dinjitoze,që ashtu si poetet e vërteta, dinë të bëjnë edhe shërbëtoren sakrifikuese hyjnore në art, edhe të mençurën e intelektualen në jetën e përditshme. Ndaj, edhe poezia e saj fluturon pothuajse po aq lart sa qenësia e saj fizike në jetë, dhe kjo s’është e lehtë ta arrish në hapësirën shqiptare, ku femra ende s’e ka gjetur vetveten dhe demonstruar artisten e pjekur.
Po i mbyll përshtypjet e mia me dy vargjet e mëposhtme të mrekullueshme, ku poetja shpreh jo vetëm dëshpërimin e saj universal poetik, por edhe mjerimin që e ka pushtuar poezinë shqiptare.
Shkruaj poezi në dritën e hënës
I gris nën rrezet e diellit
Amsterdam, 9 gusht, 2016
http://www.kultplus.com/?id=12&o=493