Thursday, July 30, 2015

Festivali i Letërsisë në Orllan (FLO) sivjet shënon 5-vjetorin

Ambienti i bukur natyror, buzë Liqenit të Batllavës,  më 22 e 23 korrik do të jetë nikoqir i shkrimtarëve, muzikantëve, artistëve dhe adhuruesve të kulturës, të cilët  do të mblidhen në manifestimin tashmë tradicional, Festivalin e Letërsisë në Orllan (FLO), që këtë vit shënon edhe një jubile të vogël, pesëvjetorin e tij.
Pra për dy ditë radhazi ky festival i letërsisë do të jetë nikoqir i artistëve kosovarë dhe ndërkombëtarë, të cilët do t’i prezantojnë krijimet e tyre letrare në kombinim me tingujt muzikorë.
Njëri nga themeluesit dhe organizatorët e këtij festivali, Ragip Luta, thotë për  KosovaLive se organizatorët e shohin si element tepër të veçantë faktin që ky festival mbahen në një ambient me bukuri të rrallë natyrore, siç është hapësira buzë Liqenit të Batllavës në Orllan.
“Orllanin dhe Liqenin e Batllavës e kemi zgjedhur qëllimisht, për të nxjerrë kulturën jashtë qyteteve kur e dimë se shumica e festivaleve në Kosovë mbahen në qytete. Dëshira jonë është që Orllanin ta shndërrojmë në një fshat global të paktën për disa ditë dhe është pikë ideale për një festival si FLO meqë konsiderojmë se letërsia dhe arti përgjithësisht kanë nevojë për një natyrë të tillë frymëzuese, e cila edhe po i frymëzon  artistët mysafirë.
Dëshmi për këtë është e dhëna se  pothuajse çdo vit të paktën një poezi apo një këngë e re ka lindur në Orllan. Rasti i fundit ishte me kantautorin britanik Russell Swallow, i cili gjatë ditëve të festivalit vitin e kaluar shkroi një këngë i frymëzuar nga qëndrimi këtu”, tregon Luta.

Sivjet risi edhe tema e debatit: Ekzili i krijuesve dhe krijimi në ekzil
Në skenën e FLO-së që veçohet edhe për karakterin ndërkombëtar çdo edicion janë ngjitur krijues të ndryshëm, poet e muzikant që kanë prezantuar krijimet e tyre. Kur mendojmë për edicionet e kaluara na kujtohen mysafirë e personalitet të larta nga fusha e letërsisë nisur nga Bosnja, Qiproja, Japonia, Siria, Perua e Britania, ndër ta p.sh edhe poeti britanik i gjeneratës Beat, Michael Horovitz.
Mbrapa, nuk ngelet gjithashtu as skena muzikore me grupe e muzikantë të njohur vendorë, si Jericho, Genc Salihu,Visar Kuçi, Gillespie, Ilir Bajri, Shpat Deda, Offchestra,etj, apo edhe ndërkombëtarë si grupi interesant britanik Public Service Broadcasting.
Edhe për këtë edicion, të pestin me radhë, që shënon një jubile të vogël, organizatorët zotohen se janë përpjekur ta mbajnë këtë nivel të të ftuarve, ndonëse ende po presin konfirmimet e fundit.
“Shtrirja gjeografike është shumë me rëndësi për FLO-në meqë është festival ndërkombëtar qysh prej vitit të parë. Për të përmendur vetëm disa që tashmë i kemi të konfirmuar, këtë vit do të kemi një poet  edhe boksier –  Jazra Khaleed, i cili vjen nga Greqia. Nga Belgjika kemi poetin e mirënjohur Skender Sherifi që ka disa vjet që po përpiqemi ta sjellim, ndërsa nga Meksika kemi Xhevdet Bajrajn, fituesin e çmimit për poezi në Panairin e këtij viti të librit në Prishtinë.
 Nga Anglia kemi një kitarist të muzikës blues që e kishim vitin e kaluar edhe në koncertin e FLO-së në Prishtinë por këtë herë ai do të shoqërohet nga një muzikant italian me harmonikë gojë dhe saksofon. Natyrisht këtyre u bashkëngjiten edhe mysafirë nga vendi dhe rajoni për të cilët këto ditë po i presim konfirmimet finale”, rrëfen Luta.
Krahas qëllimit që është tërheqja e audiencës së re të letërsisë dhe afrimi i lexuesve me shkrimtarët, FLO sivjet ngrit edhe debatin mbi krijimet në ekzil ndikuar edhe nga rasti i fundit i shkuarjes në ekzil të festivalit PriFilmFest.
“Të them të drejtën, sivjet për këtë edicion jubilar dhe falë traditës së krijuar dhe aktiviteteve cilësore kemi pritur një mbështetje nëse jo më të madhe, atëherë të nivelit të vitit të kaluar dhe këtu – si shumë organizatorë të aktiviteteve të tjera kulturore në vend – jemi goxha të zhgënjyer. Dua ta përmend rastin e PriFilmFest-it që për shkak të vështirësive të krijuara si opsion këtë vit zgjodhi ekzilin.
FLO këtë vit si përgjigje ndaj këtyre vështirësive ka zgjedhur të trajtojë ekzilin e krijuesve dhe krijimin në ekzil si temë debati që do ta zhvillojmë në ditën e dytë, duke qenë se kemi mysafirë disa autorë të njohur që krijojnë në ekzil”, thotë Luta.
Festivalin dyditor të Orllanit organizatorët mëtojnë ta rrisin dhe ta zgjerojnë programin e tij duke shpresuar që në edicionet e ardhshme t’ia shtojnë edhe karakterin garues, numrin e punëtorive, skenën e letërsisë për fëmijë  dhe t’i zgjasin ditët në të cilat do të shtrihet festivali. Synohet që ky festival të jetë një manifestim 7 apo 10-ditorë, në kuadër të së cilit, duke marrë parasysh ambientin, mund të organizohen edhe kampingje.

Në Kosovë ka festivalomani, por jo edhe festival emblematik
Shkrimtarja Ilire Zajmi mendon se përgjithësisht ngjarjet që promovojnë letërsinë nuk janë të shumta në vendin tonë dhe ato që janë nuk gëzojnë shumë mbështetje financiare. Në një deklaratë për KosovaLive, shkrimtarja Zajmi thekson se ngjarjet e tilla kulturore janë tepër të nevojshme.
“Kosova vuan nga fenomeni i festivalomanisë, por fatkeqësisht nuk ka një festival emblematik me të cilin do të identifikohej. Ngjarjet kulturore janë tepër të nevojshme, por pa investuar në politika të mirëfillta kulturore, pa mbështetje financiare, vështirë të vetëdijesohet publiku për rëndësinë e tyre”, thotë Zajmi.
Sa i përket festivalit të Orllanit, Zajmi thotë se është një ngjarje e dalluar kulturore në muajt e verës në Kosovë, kur në kulturë  nuk ndodh pothuajse asgjë.
“Ky festival sjell autorë të mirëfilltë nga bota, rajoni e vendi të cilët prezantohen para lexuesve, në një ambient të bukur në liqenin e Batllavës. Si i tillë duhet përgëzuar e mbështetur pasi, së pari promovon vlerat kulturore përtej kufijve kombëtarë dhe së dyti promovon edhe bukuritë e Kosovës. FLO është ndër festivalet që ka nivel, dhe çdo vit po sjell risi” përfundon ajo.
FLO përkrahet nga Ministria e Kulturës, Ministria e Diasporës, Programi i BE-së Culture for All, Raiffeisen Bank, British Council, PTK, FORMA, 4M, Biblioteka Popullore, AgPro, Dit’ e Nat’, Restoranti Mileniumi i Ri në Orllan, Ujë Rugove, E DU Kosovën, Shkolla Zahir Pajaziti në Orllan, Shkolla e Muzikes “Amadeus”, Interneës Kosova, Rrokum TV, RTK,  Art Foto, APPK, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Podujevës.
http://gazetablic.com/festivali-i-letersise-ne-orllan-flo-sivjet-shenon-5-vjetorin/

No comments:

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021