Wednesday, November 30, 2011

Etika dhe raportimi medial


Media e lirë përbën një prej arritjeve më të rëndësishme për demokracinë e një shteti.
Lirinë e medias në Kosovë dhe problemet me të cilat ballaqohet ajo e kanë vënë në pah në vazhdimësi Raporti i Progresit të Komisionit Evropian dhe të dhënat e organizatës Transparency International.
Problematika të tjera që e shoqërojnë peisazhin mediatik në vendin tonë, përveq lirisë së medias, janë pa dyshim marrëdhëniet e ndërvarura midis medias, politikës dhe biznesit. Thënë figurativisht ky “trekëndësh i Bermudeve” ngrit shumë pikëpyetje mbi profesionin e gazetarit, pavarësinë e medias dhe çështjet etike.

Mediat duhet të jenë të lira nga çdo ndërhyrje politike dhe ekonomike gjatë punës së tyre për të informuar publikun. Ndërsa gazetarët  në përgjithësi duhet të çlirohen nga frika, lakmia, servilizmi dhe vetëcenzura. Gazetarët në Kosovë duhet tu mbesin besnikë përgjegjësive profesionale, duke respektuar parimet e saktësisë, korrektësisë dhe objektivitetit.

Disa nga parimet e lartpërmendura nuk respektohen, ndërsa  dilemave tradicionale iu shtohen edhe të arriturat teknologjike të cilat përdoren sot për të shkelur parimet bazë të etikës së medias, siç është mbrojtja e privatësisë.  

Në kohën e Iphone- it , Facebook –ut e formave të reja të komunikimit, edhe etika po bëhet pre e përhapjes marramendëse të internetit duke ngritur dilema të reja rreth standardeve të raportimit. 

Por të fillojmë me formatet tradicionale të raportimit.

Gazetat ashtu si në pjesën dërrmuese të vendeve, po përballen me luftën për mbijetesë. Dihet botërisht niveli i lexueshmërisë së gazetave. Për të joshur lexuesit, shumë nga botuesit e redaktorët po zgjedhin forma nga më të ndryshmet për të fituar ndonjë lexues më tepër, në tregun e vogël medial të vendit. Shpeshherë format e joshjes së lexuesve bëhen pa çarë kokën nëse respektohen kodet etike e morale. Një titull me shkronja të mëdha për situatën në veri të vendit, jo rrallë pasohet me ndonjë bukuroshe gjysmë të lakuriquar në ballinat e të përditshmeve tona. Apo edhe dukuria e botimit të  komenteve, opinioneve  e shkrimeve të huazuara nga gazetat e ndryshme të Shqipërisë e të rajonit, pa u cituar burimi prej nga janë marrë ato shkrime. Gjuha e shkrimeve, raportet shpeshherë njëburimore, të anshme, të mbushura me deklarata akuzuese,  pa ballafaquar edhe palën tjetër, gjithashtu aty – këtu janë të pranishme në faqet e gazetave. Kohëve të fundit vërehet edhe një tendencë në rritje për përdorimin e titujve sensacional, si dhe marrjen gjithnjë e më tepër me lajmet nga jeta private e politikajve, yjeve etj.    

Sa i përket medias elektronike, fuqia e pamjeve dhe ndikimi i tyre në shoqëri, e bën edhe më të ndjeshëm respektimin e parimeve etike.

Në ekranet tona televizive si nacionale dhe atyre lokale përditë shohim pamje të dhunës, të gjakut, pushkë e kallashnikovë, pistoleta, granada fishekë e plumba, jorrallë gjithfarë portete individësh të etiketuar ende pa u shpallur verdikti i gjykatës, apo zbulimi i emrave të të miturve, të dyshuar për ndonjë vepër penale, deri te rastet eklatante të shkeljes së dinjitetit njerëzor, fytyra të venitura të fëmijëvë që kërkojnë lëmoshë, familje të stërlodhura nga barra e skamjes, fëmijë të sëmurë që ekspozohen para kamerave televizive, pa menduar a është etike  apo jo të shkatërrohet e ardhmja e tyre pas përdorimit  të sintagmës “të paaftë, të sëmurë psiqik, me të meta mendore.. ” etj.

Pamje të këtilla shpesh përcillen me tekste të detajuara për madhësinë e armëve, mënyrën e kryerjes së krimeve si derdhje trush e copëtime gjymtyrësh, ekzekutime me sopatë, që nuk i shkojnë fare thelbit të lajmit, por vetëm se mund t’i shërbejnë  një qëllimi: servimit të një modeli të imitimit nga ata që kanë prirje për  të shkaktuar dhunë në jetën reale.   

Një shembull ilustrativ është emetimi i pamjeve nga kapja dhe maltretimi i diktatorit Moamer Gadafi nga ana e revolucionarëve libian. Skenat e përgjakshme janë përsëritur për disa ditë me radhë në edicionet e lajmeve televizive. Emetimi i pamjeve makabre si këto padyshim se është shumë i dëmshëm për fëmijët, të miturit por edhe të gjithë shikuesit  pa dallim moshe. Ato paraqesin pamje shokuese, të frikshme dhe lemeritëse, jashtë çdo norme etike.

Këto pamje përveç se në televizionet tona, janë emetuar edhe në shumë televizione të botës, pasi kanë shërbyer në interes të informimit të opinionit. Por nuk emetohet çdo pamje që vie nga shërbimi i këmbimit të pamjeve televizive. Etika sugjeron që pamje të përgjakshme, pamje të dhunës, maltretimeve fizike etj.  edhe nëse janë xhirime autentike të ndonjë ngjarje tragjike, nuk duhet të jipen  groplanet, detajet dhe fokusimet nga afër.  Përjashtime bëhen në edicionet e vonshme të lajmeve, mirëpo me paralajmërimin akustik dhe vizuel paraprak.

Situata është edhe më shqetësuese te etika e gazetarisë online.  
Kjo formë e re e medias, e njohur edhe si shtyllë e katërt mediale, pas gazetave, radiove, dhe televizioneve, është zhvilluar mjaft kohëve të fundit në Kosovë. 

Parimet etike të cilat duhet të aplikohen për gazetarinë online siç janë plasimi i saktë, i paanshëm i informacionit, verifikimi i lajmeve, citimi i burimeve, huazimi i fotografive e videove, respektimi i drejtshkrimit, etj. janë çështje brengosëse për shumë agjensi, portale e uebfaqe të ndryshme ekzistuese. 

Problemi kryesor etik në gazetarinë online në Kosovë, megjithatë mbetet respektimi i të drejtave autoriale, përkatësisht plagjiatura e shkrimeve pa cituar fare burimet prej nga janë marrë ato. I njëjti shkrim online publikohet me dhjeta herë brenda ditës në portale të ndryshme, duke mos iu referuar asnjë herë burimit. Problem serioz në gazetarinë online paraqesin edhe komentet e përdoruesve, që nuk përkojnë me rregullat e mirësjelljes dhe kodin etik.

Sa i përket mediave të reja, padyshim se ato po ofrojnë më shumë mundësi për lirinë e shprehjes, por njëkohësisht po krijojnë rreziqe të reja si shtrembërimin e të vërtetës, fushata kundër individëve të caktuar, përhapje të thashethemeve, akuza të pabaza, kritika tendencioze e në raste më ekstreme, edhe sharje, racizëm, ofendime e gjuhë të urrejtjes. Por ky është fenomen global, ku nuk bën përjashtim as Kosova.

Natyrisht në tablonë mediale kosovare gjithçka nuk është e zezë, pra ka edhe mjaft zhvillime pozitive. 
Mediat në Kosovë po zhvillohen relativisht mirë, duke iu përshtatur brenda rrethanave ekonomike e shoqërore, trendeve të gazetarisë globale. Kosova ka mekanizmat që kanë hartuar dhe miratuar kode etike. Komisioni i Pavarur për Media i Kosovës ka të miratuara disa rregullore të cilat kujdesen për respektimin e Kodit etik. Rregullorja për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve nga Përmbajtja e Dëmshme Programore, është njëra ndër rregulloret e rëndësishme për këtë sferë. Këshilli i Mediave të Shkruara gjithashtu ka Kodin e vet etik. Shumë nga mediat kanë kodet e tyre të mirësjelljes dhe standardet profesionale të gazetarisë. Rregulloret janë të hartuara sipas standardeve evropiane, por si shumëçka tjetër në Kosovë, jo rrallë mbesin vetëm në letër. Kode kemi, por shpeshherë ato nuk zbatohen as nga vetë hartuesit e tyre.  

Në fund fare, duhet theksuar se gazetarët në Kosovë janë aq etik sa iu mundëson media ku ata punojnë. Gazetarët respektojnë etikën aq sa iu lejon mediumi, punëdhënësi, redaktori, ndërhyrjet poltike nga jashtë, niveli jolojal i konkurrencës në tregun medial dhe përfundimisht  nga trajtimi që iu bëhet atyre, duke mos harruar këtu pagën , si kundërshpërblim për punën që bëjnë.

Love meals



Breakfast
Brings the stunning fragrance of your body.
Lunch
Taste of your kiss a nip in my breast
Dinner
Insidious runaway after a cup of love.
Night ...
Bind wounds of the day with bandages of memories



Love meals | Best Poems

Love meals | Best Poems

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021