Monday, January 03, 2011
Balerini që vrau dashurinë në Prishtinë
Është shprehur të ndihet më i lumturi në botë, pasi ia ka dalur të realizojë ëndërrën e tij, të inskenojë një shfaqje baleti në Prishtinë. Për herë të parë syri sheh në skenë balet modern, lëvizje ritmike, lojë dinamikë, romantizëm, vuajtje , dramaticitet dhe një muzikë të përzgjedhur nga “Lejtmotiv” dhe “Samuel Barber” që të lënë gojëhapur.
Ilir Kerni, balerini i plejadës së artë të baletit shqiptar, realizoi premtimin e dhënë, se do të ngjiste në skenë një shfaqje në gjysmën tjetër të atdheut , në Kosovë.
Një ëndërr e tij e kahmotshme, e mbushur me mëdyshje e pasiguri, një premtim i dhënë drejtorit të trupës së baletit të Prishtinës, Ahmet Brahimaj, në mbrëmjen e feksur të 23 dhjetorit në teatrin e Prishtinës, solli para publikut kosovar gjithë kreativitetin, dinamikën dhe fantazinë artistike përmes shfaqjes “Dashuria që vret”.
Një tematikë e lashtë sa vetë njerëzimi. Dashuria, trishtimi, vetmia dhe zhgënjimi, të gjitha ndjenjat që përbëjnë jetën e një njeriut u personifikuan në lojën e 17 balerinëve të trupës së baletit të Kosovës, nën firmën e koreografit zulmadh Ilir Kerni.
Shfaqje e baletit “Dashuria që vret” nuk është zgjedhur rastësisht nga koreografi Ilir Kerni. Kjo premierë në Prishtinë i dha mundësinë mjeshtrit të baletit shqiptar që ka luajtur në të gjitha skenat botërore, të jap diçka nga vetja. Ilir Kerni erdhi në skenën e Prishtinës me një rrëfim të sinqertë, me ndjenjat më sublime e emocionet nga më prekëset që mund të inskenojë një artist i kalibrit botëror përmes lëvizjeve skenike të artit të koreografisë.
I fascinuar me Kosovën, ku shkeli për herë të parë, u impresionua me pasionin, talentin dhe zellin e kërcimtarëve të rinj të trupës së baletit të Kosovës. Për trupën e vogël të Baletit të Kosovës, kjo premierë e katërta brenda një viti për këtë institucion, shënoi suksesin më të madh të tij, që nga viti 1972 kur edhe është themeluar.
Për Ilirin, nuk ishte e vështirë të punonte me këtë trupë, pasi që ajo, sipas tij, i plotëson të gjitha kushtet e një trupe të madhe botërore.
Është shprehur të ndihet më i lumturi në botë, pasi ia ka dalur të realizojë ëndërrën e tij, të inskenojë një shfaqje baleti në Prishtinë.
Për herë të parë syri sheh në skenë balet modern, lëvizje ritmike, lojë dinamikë, romantizëm, vuajtje , dramaticitet dhe një muzikë të përzgjedhur nga “Lejtmotiv” dhe “Samuel Barber” që të lënë gojëhapur.
Një atmosferë e fuqishme në skenë. E gjithë trupa e baletit është në lëvizje, nuk kemi një apo dy protagonistë mbi të cilët bie gjithë barra e shfaqjes.
E veçanta e shfaqjes është se e gjithë trupa është aktive në skenë , ndonëse ka protagonistë që spikasin. Por në tërësi bien në sy të gjithë në forma të ndryshme.
Suksesi i shfaqjes është i garantuar.
Publiku i ekzaltuar nuk resht së duartokituri. Është një shfaqje baleti e nivelit botëror, dhuratë fundviti e mjeshtrit të madh Ilir Kernit , bërë publikut të shtetit më të ri në botë. Një publik i etur për vlera të mirëfillta, që ka mall për të shijuar ëmblësira artistike. Një moment i përjetuar rrallë nga artdashësit, shfaqje që shpalos vlera të pakontestuara arti.
Për median, që konsiderohet pushteti i katërt, katapultues i vlerave të mirëfillta artistike, çuditësisht kjo ngjarje e rrallë në menynë e varfër kulturore të Kosovës nuk shënon ngjarje. Sidomos televizioni si masmedia më e shikuar, u mor pak apo aspak me këtë ngjarje të rrallë kulturore. Dështimi medial për të shënuar një ngjarje si kjo, nuk ka arsyetim. Ec e hesht pastaj për ngjarjet mediokre të cilat mbushin minutazhën e emisioneve (a)kulturore të televizioneve tona.
Sekreti i karrierës 30 vjeçare
I heshtur, modest, artisti i madh Ilir Kerni ka pas vetes një karrierë të bujshme 30 vjeqare. E konsideron veten produkt të artit shqiptar, i edukuar e i brymosur në Akademinë e Baletit të Tiranës. Ka realizuar dhjetëra role të njohura, që i kanë sjellur gëzim, sakrificë, shumë mund e pasion të pakufishëm për baletin.
Një jetë artstike e realizuar në Francë, së fundi në Kroaci, por gjithnjë me me fytyrë kthyer kah atdheu , Shqipëria.
Pas largimit nga opera shqiptare, Kerni fitoi bursë të UNESCO-s për specializim në Operën e Parisit dhe atë të Strasburgut. Atje edhe i lindi idea të orientohej në Kroaci. Për të Kroacia doli të ishte një shans i mirë në shumë kuptime. Një teatër me traditë prej 140 vjetësh, i ofroi artistit shqiptar mundësi të panumërta.
Ilir Kerni kështu u bë me dy pasaporta, mori edhe nënshtetësinë kroate, gjë që i dha mundësi të lëviz lirshëm nëpër botë. Aty në Kroaci Kerni u bë balet-maestër. Realizoi dhjetëra role të vlerësuara jashtëzakonisht shumë, rezultat i punës së tij të palodhshme. Por, ai është shqiptar, dhe nuk e ka mohuar kurrë kombësinë e tij.
Shqipërisë së tij i ka falur edhe “dhuratën lamtumirëse”, duke interpretuar për herë të fundit në skenën shqiptare. Kishte qenë zgjidhja e tij Shqipëria, për ‘ti dhënë fund karrierës së tij si kërcimtar, dhe kishte menduar ta mbyllte në teatrin, ku në një farë mënyre ishte lindur dhe rritur si artist.
“La Sylphide”, është një shfaqje romantike, dhe artisti Kerni kishte menduar se në një farë mënyre ishte baleti me të cilin do të kishte kuptim një largim i tij nga skena.
Në Zagreb ka punën, jetën e tij artistike, familjare, shumë miq që e duan dhe e mbështesin. Në Shqipëri ka familjen, nipat, mbesat..
Por, e gjithë jeta dhe karriera e Ilir Kernit nuk do të kishte kuptim pa përmendur emrin e një gruaje të veçantë - Dorotea.
Ajo i ka ndenjur përkrah gjithë këto vite, një mikeshë e bashkëshorte shembullore, duke ndarë me të sukseset, lavdinë e skenës, pasionin për artin dhe vetë jetën. Dorotea nuk është vetëm një grua artisti. Ajo është shumë më tepër se kaq.
Shqiptari që preku majat e famës
Ilir Kerni është lindur në Tiranë më 18 maj 1959. Në 1977 mbaron Akademinë e Baletit. Si primablerin u angazhua menjëherë në Teatrin e Opera në Tiranë, ku u shqua për aktivitetin e tij artistik dhe u vlerësua me një sërë titujsh, si Artist i merituar, Çmimi i Republikës, pastaj u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri i klasit të II–të” etj. Në të njëjtën kohë është angazhuar edhe si pedagog në Akademinë e Baletit - Tiranë. Po ashtu, si pedagog ka qenë i angazhuar dhe në Tokio, Francë, Kroaci. Në vitin 1990 fitoi bursën e UNESCO–s për pedagogji e kërcim, në “Grand Opera” në Paris. Pasi përfundon këtë të fundit, angazhohet në “Opera de Strasburg”. Nga 1994 e deri sot, është i angazhuar si primabalerin në Teatrin Nacional Zagreb, ku edhe këtu, për punë kualitative është dekoruar disa herë, si: dy herë me çmimin “Oskar Ormosh”, si dhe në vitin 2002 i jepet “Çmimi më i lartë në Kroaci” për rolin e Mefistofelit në baletin “Faust”, si roli më i mirë, çmim për të cilin është nominuar edhe tri herë të tjera. Më 2005 i është besuar edhe detyra e baletmaestrit të trupës, ku është i angazhuar. Mund të përmenden dhjetëra role të spikatura të tij.
Rolet si princ: Liqeni i mjellmave, Giselle, Arrëthyesi, Bukuroshja e fjetur, Copelja, Les Silfides, Don Kishoti, Romeo dhe Zhulieta, Apolon Mussaget , Karmen, Katër stinët e vitit, La Silfide, etj.
Shfaqje dhe duete moderne: Faust, Carmina Burana, Baladat që sjell era…, Tranchilisimo, Febrille, Tramvaji quajtur pasion, Këngët e dashurisë dhe vdekjes, e shumë të tjerë.
Ka qenë i ftuar në performojë në shumë vende të botës si Itali, Francë, Belgjikë, Austri, Holandë, Spanjë, Finlandë, Portugali, Suedi, Norvegji, Zvicër, Angli, Greqi, Turqi, Bosnje, Kinë, Japoni, Makau, Hong Kong, Meksikë, Afrikë e Jugut, Maqedoni, Hungari, Gjermani, etj.
publikuar më 28.12.2010 ne InfoGlobi (www.infoglobi.com)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Publikuar: 13.05.2013 - 08:38 Gjakovë, 13 maj – Gjakova ka mbledhur poetë dhe krijues të artit të shkruar nga të gjitha hapësirat s...
-
Trampled by thousand’s feet’s Shoes boots sandals Dusty patent dirty Cleaned polluted washed Sometimes full of passengers From ...
-
“Heroinat”, ka qenë tema kryesore e aktivitetit letrar të sivjetmë “Britma e Gruas” që është organizuar të mërkurën në mesditë në kuadër...
No comments:
Post a Comment