Friday, August 19, 2016

A e di?



Shpirt,

A e di si përfundojnë puthjet e vjedhura

lotët mbetur në grykë  

dhimbja e mbytur në gjoks

gishtat kryqëzuar    
grushtat shtrënguar
për të goditur  “malin që s ‘bëzan”

Shpirt,  
A di të lexosh heshtjen
përshpëritjet në dritëhënë
kërkimfaljet që goja kurrë si dëgjoi
fjalët që kurrë s’u thanë  
bebzat që tradhtuan 
diellin perënduar në flakërim

 Shpirt,
A e di ku përfundojnë dashuritë e vrara ?
Më mirë të mos e dish
Ti se ke kuptur kurrë ç’është dashuria! 


Saturday, July 30, 2016

Gjithçka


Gjithçka qё më vret

mё bёnё tё ndihem e gjallё

syrin veshin duart buzët mendjen

në sy shkёlqimi i asaj që kam parë

në vesh zёrat  që kam dëgjuar

në duar çdo gjë që kam prekur

në buzë puthjet e shijuara

nё trup ёmbёlsia e dyzimit

në mendje gjithçka që kam jetuar

Bëhem e gjallë përditë

me gjithçka që më vret.

 

Monday, July 18, 2016

Kur them grua, them emrin tim

8 Korrik 2016 • 07:57 •
 
“Mjeshtre e projeksionit të pasioneve të pafundme për t’i kuptuar vlerat e lirisë njerëzore, lirinë për të dashur, lirinë e thellë  të ekzistencës..” shkruan shkrimtarja belge Bernadette Herman për poezitë e autores Ilire Zajmi. 
Përmes vargjeve të saj magjike ndien një ndjenjë sublime dhe të shijshme si mjalti e një mali. Një imazh që, në të gjitha dimensionet e mundshme, duhet të pajtohet me vetveten.
Ajo grish lexuesin për të kuptuar vlerat e lirisë njerëzore, lirinë për të dashur, lirinë e thellë të ekzistencës dhe të pasioneve  të skutave më të thella të shpirtit, shkruan Herman.
Ndërsa shkrimtarja franceze Adeline Yzac  thotë  se te  poezitë e Ilires zëri shtrihet, vargjet flasin vetë. Flet vetmia, dyshimi, brishtësia, pritjet”.
“Në poezitë e saj ka etje, dëshirë, dashuri, frikë njerëzore. Kur lexon poezitë e saj doemos të kujtohet Virginia Woolf. Kur them grua, them emrin tim, Ilire Zajmi” vlerëson Yzac.
“Ndjeshmëria e dukshme e shprehjes poetike të Ilire Zajmit është në të vërtetë kulminacioni i forcës së saj të brendshme. Në poezinë e saj spikat një vëmendje e vazhdueshme dhe një dashuri e thellë për jetën dhe njerëzimin - pavarësisht nga iluzionet dhe zhgënjimet që e kanë shënuar rrugën e ekzistencës. Këtu buron fuqia që mund dhimbjen, duke u transformuar në një gjuhë të ëmbël e imediate poetike, që flet me ata që kanë zemër dhe zgjuarsi. Fjala është një pasqyrë në të cilën mund të lexohet teatri i madh i botës, sikur të ishte një teatër i së vërtetës, pa maska”- është shprehur poeti italian Giuseppe Napolitano.
Për poezinë e Ilire Zajmit kanë shkruar edhe Edi Shukriu e Anila Xhekaliu.
“Vargjet e Ilires në dukje janë të qeta dhe u ngjasojnë një lundrimi liqeni ku përmes çasteve të zëna reflektohet deti i trazuar i jetës që e jetuam, e jetojmë dhe të njerëzores që e mëtojmë.
Në poezitë e saj Ilirja provon që t’i bëhet digë paragjykimeve gjinore dhe të ridëshmojë se poeti është poet dhe se fjala nuk ka dallim gjinie” - thotë shkrimtarja e arkeologia Edi Shukriu.
“Peizazhi poetik i Ilire Zajmit tek ‘Valsi i mesnatës’ është i tejpasur. Idhujt e saj e shoqërojnë në kuvendimet e brendshme, zëri i saj shkrihet me zërat e Safosë, Nefertitit, Musine Kokalarit, formëson të sotmen, të përditshmen, një aureolë të plotë ndijimesh. Tablotë janë si lule të dhimbjes të botës së femrës. Një poezi hera-herë e fortë, që stigmatizon, por që josh e shëron”- shkruan shkrimtarja e përkthyesja Anila Xhekaliu.
Këto janë disa nga vlerësimet për poezinë e Ilire Zajmit, të paraqitura në vëllimin poetik “Valsi i mesnatës”, të botuar nga shtëpia botuese “Buzuku” e Prishtinës.
“Valsi” edhe pse i ndarë në ciklet si “Fundi i pafund”, “Prani e munguar”, “Vaktet e dashurisë” dhe “Fundi i fillimit” vjen si një poemë.
Libri hapet me poezinë “Këshilla vetes” dhe mbyllet me poezinë “Fundi”.
Para çdo cikli në libër janë përfshirë citate të ikonave të grave shkrimtare, të shquara në kohë e vende të ndryshme si: Nefertiti, Safo, Musine Kokalari, Emily  Dickinson, Alda Merini, Ana Ahmatova, Maya Angelou, Erica Jong, Katherine Mansfield, Antonia Pozzi, Oriana Fallaci.
Citatet e përzgjedhura gërshetohen mrekullisht me poezitë e “Valsit”. Te disa poezi madje autorja kuvendon me këto autore të përmendura më sipër. Te poezia “Këshilla vetes” autorja këshillon veten: “Kujdesu fort-fort për unin tënd Musine e lufto deri në fund për gjërat që do”.
Ndërsa te poezia  “Fjalët” ajo pyet Antonia Pozzi, a ishte fjala e para?”.   
Te poezia  “Një dhomë për vete” dialogu zhvillohet me të famshmen Virgjinia Uolf. Dialogë të tilla e kuvendim me shkrimtaret e tjera, autorja kultivon edhe te poezitë e tjera të librit “Valsi i mesnatës”.
Temat që trajton janë universale. Temat e  përbotshme si dashuria, jeta e vdekja, por edhe absurditeti ekzistencial karakterizojnë poezitë e Zajmit në tërësi.
Valsi është përmbledhja e tretë me poezi e Ilire Zajmit, e botuar në gjuhën shqipe. Në libër janë përfshirë edhe poezi të mëhershme nga librat e botuar në shqip e në gjuhë të huaja.
Përndryshe, në shqip “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit vjen 15 vjet pas botimeve në gjuhë të huaja. Poezitë e Zajmit janë botuar me sukses në disa gjuhë të huaja. “Amnesia” është botuar në Portugali,  “C’est la fin” është botuar në Francë, është prezantuar në shumë revista ndërkombëtare e festivale të letërsisë, si dhe në antologji të përzgjedhura nga autorë të ndryshëm.
Përveç poezisë, Ilire Zajmi ka sprovuar veten edhe në prozë e publicistikë.
“Un treno per Blace” është botuar në Itali, ( ‘Një tren për Bllacë’, botuar edhe në shqip), ndërsa në prozë ka botuar “Fashitja e ëndrrave rebele” dhe “Era”.  Pa harruar të përmendet këtu edhe librin studimor në fushën e gazetarisë “Pamjet televizive dhe realiteti”.   
 
      

      
 
 

    

Friday, June 10, 2016

U promovua “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit – Rugovës

Kulturë31.05.2016 19:33
Pasi që aktorja Anisa Ismaili e bëri një përmbledhje të punëve që bën Ilire Zajmi-Rugova, e pyeti nëse lodhet ndonjëherë. Ajo iu përgjigjet me “Po”.

Pyetjes se a ushqen shpirtin me shkrim Zajmi iu përgjigj me “sigurisht”, ndërsa pyetjes së tretë se a do të ndalet ndonjëherë së shkruari ajo u përgjigj me “kurrë”. Në këtë formë të bashkëbisedimit që dukej spontan, u promovua libri i saj i fundit në gjuhën shqipe.

“Valsi i mesnatës” përbëhet nga poezi që i thurin vargje, dashurisë, dilemave jetësore, mallit e çështjeve shoqërore. Ky libër me poezi është i treti që Zajmi-Rugova e ka botuar në Kosovë. Në foajenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, bashkë me Zajmi-Rugovën dhe Ismailin, ishin edhe aktorja dhe regjisorja Melihate Qena, poeti Shpëtim Selmani dhe aktoret Qëndresa Kajtazi dhe Fitore Boriqi. Të gostitur me kafe turke dhe llokum, ata lexuan disa nga poezitë që janë pjesë e “Valsit të mesnatës”.

Ky promovim u bë në kuadër të edicionit të katërt të festivalit “FemArt”, ndërsa libri është botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”. Zajmi – Rugova, duke mos dashur të flasë shumë për librin e fundit, ka falënderuar të pranishmit dhe ka treguar për pauzën e saj të gjatë të shkruarit të poezive në gjuhën shqipe.

“Mendoj se poezia foli”, ka thënë ajo fill pas leximit që i bënë aktorët. “Pas një kohe shumë të gjatë, pas 15 vitesh, botova libër në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe kam botuar në gjuhë të huaja, dhe në këtë libër janë të përmbledhura edhe disa poezi që janë të shkruara brenda këtyre 15 viteve”, ka thënë Zajmi - Rugova, e cila ndër të tjera është autore e përmbledhjes me poezi “Kambanat e mëngjesit”, romanit “Fashitja e ëndrrave rebele”, librin publicistik “Un treno per Blace” botuar në Itali në vitin 1999, përmbledhjen me poezi “Baladë e bardhë”.

“Ishte kënaqësi ta kemi Iliren, sepse çdo vit mundohemi të bëjmë nga një promovim të librit. Po e prisnim një ditë që të bëjmë promovim të një libri të Ilires”, ka thënë Zana Hoxha-Krasniqi, drejtoresha e “FemArt” për promovimin e së hënës, ditës së fundit të edicionit të katërt të “FemArt” kur është dhënë edhe shfaqja “Rrëfime private” nga autorja Ingmar Bergman dhe me regji të Nina Nikolikj. Përmbyllja është bërë me koncertin e sopranos Besa Llugiqi e pianistes Lirika Pula ku në fund Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, i është ndarë çmimi “FemArt”, i cili u nda për herë të parë në kuadër të këtij festivali.

Wednesday, June 01, 2016

U promovua “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit – Rugovës

U promovua “Valsi i mesnatës” i Ilire Zajmit – Rugovës: Prishtinë, 31 maj - Pasi që aktorja Anisa Ismaili e bëri një përmbledhje të punëve që bën Ilire Zajmi-Rugova, e pyeti nëse lodhet ndonjëherë. Ajo iu përgjigjet me “Po”.

Codex Episoda 12 Ilire Zajmi 14 08 2021