8 Korrik 2016 • 07:57 •
“Mjeshtre e projeksionit të pasioneve të pafundme për t’i kuptuar vlerat e
lirisë njerëzore, lirinë për të dashur, lirinë e thellë të ekzistencës..”
shkruan shkrimtarja belge Bernadette Herman për poezitë e autores Ilire
Zajmi.
Përmes vargjeve të saj
magjike ndien një ndjenjë sublime dhe të shijshme si mjalti e një mali. Një
imazh që, në të gjitha dimensionet e mundshme, duhet të pajtohet me vetveten.
Ajo grish lexuesin për të
kuptuar vlerat e lirisë njerëzore, lirinë për të dashur, lirinë e thellë të
ekzistencës dhe të pasioneve të skutave më të thella të shpirtit, shkruan
Herman.
Ndërsa shkrimtarja franceze
Adeline Yzac thotë se te poezitë e Ilires zëri shtrihet,
vargjet flasin vetë. Flet vetmia, dyshimi, brishtësia, pritjet”.
“Në poezitë e saj ka etje,
dëshirë, dashuri, frikë njerëzore. Kur lexon poezitë e saj doemos të kujtohet
Virginia Woolf. Kur them grua, them emrin tim, Ilire Zajmi” vlerëson Yzac.
“Ndjeshmëria e dukshme e
shprehjes poetike të Ilire Zajmit është në të vërtetë kulminacioni i forcës së
saj të brendshme. Në poezinë e saj spikat një vëmendje e vazhdueshme dhe një
dashuri e thellë për jetën dhe njerëzimin - pavarësisht nga iluzionet dhe
zhgënjimet që e kanë shënuar rrugën e ekzistencës. Këtu buron fuqia që mund dhimbjen,
duke u transformuar në një gjuhë të ëmbël e imediate poetike, që flet me ata që
kanë zemër dhe zgjuarsi. Fjala është një pasqyrë në të cilën mund të lexohet
teatri i madh i botës, sikur të ishte një teatër i së vërtetës, pa maska”-
është shprehur poeti italian Giuseppe Napolitano.
Për
poezinë e Ilire Zajmit kanë shkruar edhe Edi Shukriu e Anila Xhekaliu.
“Vargjet e Ilires në dukje
janë të qeta dhe u ngjasojnë një lundrimi liqeni ku përmes çasteve të zëna
reflektohet deti i trazuar i jetës që e jetuam, e jetojmë dhe të njerëzores që
e mëtojmë.
Në poezitë e saj Ilirja
provon që t’i bëhet digë paragjykimeve gjinore dhe të ridëshmojë se poeti është
poet dhe se fjala nuk ka dallim gjinie” - thotë shkrimtarja e arkeologia Edi
Shukriu.
“Peizazhi poetik i Ilire
Zajmit tek ‘Valsi i mesnatës’ është i tejpasur. Idhujt e saj e shoqërojnë në
kuvendimet e brendshme, zëri i saj shkrihet me zërat e Safosë, Nefertitit,
Musine Kokalarit, formëson të sotmen, të përditshmen, një aureolë të plotë
ndijimesh. Tablotë janë si lule të dhimbjes të botës së femrës. Një poezi
hera-herë e fortë, që stigmatizon, por që josh e shëron”- shkruan shkrimtarja e
përkthyesja Anila Xhekaliu.
Këto janë disa nga
vlerësimet për poezinë e Ilire Zajmit, të paraqitura në vëllimin poetik “Valsi i
mesnatës”, të botuar nga shtëpia botuese “Buzuku” e Prishtinës.
“Valsi” edhe pse i ndarë në
ciklet si “Fundi i pafund”, “Prani e munguar”, “Vaktet e dashurisë” dhe “Fundi
i fillimit” vjen si një poemë.
Libri hapet me poezinë
“Këshilla vetes” dhe mbyllet me poezinë “Fundi”.
Para çdo cikli në libër janë
përfshirë citate të ikonave të grave shkrimtare, të shquara në kohë e vende të
ndryshme si: Nefertiti, Safo, Musine Kokalari, Emily Dickinson, Alda
Merini, Ana Ahmatova, Maya Angelou, Erica Jong, Katherine Mansfield, Antonia
Pozzi, Oriana Fallaci.
Citatet e përzgjedhura
gërshetohen mrekullisht me poezitë e “Valsit”. Te disa poezi madje autorja
kuvendon me këto autore të përmendura më sipër. Te poezia “Këshilla vetes”
autorja këshillon veten: “Kujdesu fort-fort për unin tënd Musine e lufto deri
në fund për gjërat që do”.
Ndërsa te poezia
“Fjalët” ajo pyet Antonia Pozzi, a ishte fjala e para?”.
Te poezia “Një dhomë
për vete” dialogu zhvillohet me të famshmen Virgjinia Uolf. Dialogë të tilla e
kuvendim me shkrimtaret e tjera, autorja kultivon edhe te poezitë e tjera të
librit “Valsi i mesnatës”.
Temat që trajton janë
universale. Temat e përbotshme si dashuria, jeta e vdekja, por edhe
absurditeti ekzistencial karakterizojnë poezitë e Zajmit në tërësi.
Valsi është përmbledhja e
tretë me poezi e Ilire Zajmit, e botuar në gjuhën shqipe. Në libër janë
përfshirë edhe poezi të mëhershme nga librat e botuar në shqip e në gjuhë të
huaja.
Përndryshe, në shqip “Valsi
i mesnatës” i Ilire Zajmit vjen 15 vjet pas botimeve në gjuhë të huaja. Poezitë
e Zajmit janë botuar me sukses në disa gjuhë të huaja. “Amnesia” është botuar
në Portugali, “C’est la fin” është botuar në Francë, është prezantuar në
shumë revista ndërkombëtare e festivale të letërsisë, si dhe në antologji të
përzgjedhura nga autorë të ndryshëm.
Përveç poezisë, Ilire Zajmi
ka sprovuar veten edhe në prozë e publicistikë.
“Un treno per Blace” është
botuar në Itali, ( ‘Një tren për Bllacë’, botuar edhe në shqip), ndërsa në
prozë ka botuar “Fashitja e ëndrrave rebele” dhe “Era”. Pa harruar të
përmendet këtu edhe librin studimor në fushën e gazetarisë “Pamjet televizive
dhe realiteti”.